Grkovska vizitoi ekipin e RMV-së që po përballet me sulm kibernetik të simuluar me ekipe nga Shqipëria dhe Mali i Zi

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska, ka vizituar sot “Ekipin Blu” të Maqedonisë së Veriut, i cili po garon në mënyrë miqësore me ekipet blu të Malit të Zi dhe Shqipërisë, në kuadër të stërvitjes treditore rajonale të sigurisë kibernetike, transmeton Portalb.mk.

Ushtrimet synojnë të trajnojnë aftësi gjithëpërfshirëse të kapaciteteve kibernetike në nivel teknik, të përmirësojnë qëndrueshmërinë dhe ekspertizën e institucioneve publike, si dhe të rrisin ndërgjegjësimin në nivel menaxherial për efektet që mund të shkaktojnë incidentet kibernetike.

“Bashkërisht u konstatua se siguria kibernetike dhe rezistenca kibernetike e shtetit është një nga sfidat më të mëdha të ditëve të sotme dhe pikërisht për këtë arsye progresi profesional, forcimi i kapaciteteve dhe ngritja e personelit që mund të përballet në mënyrë efektive me sulme të tilla duhet të jetë prioritet i shtet”, thuhet në deklaratën e kabinetit të Gërkovskës.

Stërvitja organizohet me mbështetjen e “Akademisë së E-qeverisjes” estoneze, në kuadër të një projekti të Bashkimit Evropian i cili zhvillohet në tre lokacione: Shkup, Tiranë dhe Podgoricë.