Për gjashtë muaj pritet të ketë ligj për Agjencinë për Digjitalizim, Aziri: Do të jetë nën kompetencë të kryeministrit
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), Azir Aliu në takim me gazetarët theksoi se për gashtë muaj pritet të ketë zgjidhje ligjore për themelimin e Agjencisë për Digjitalizim, e cila pritet të jetë institucion udhëheqës në procesin e digjitalizimit, raporton Portalb.mk.
Agjencia, sipas paralajmërimit, do të jetë nën kompetencë direkte të kryeministrit dhe jo të MSHIA-së, me qëllim që t’i mbulojë të gjitha institucionet.
Siç tha ministri, Agjencia, do të ketë 4 shtylla
Shtylla e parë është siguria kibernetike e cila do të duhet t’i mbrojë të gjitha institucionet.
Shtylla e dytë infrastruktura digjitale, që sipas standardeve të BE-së deri në vitin 2030 do të duhet që çdo qytetar i vendit të ketë qasje në internet të shpejtë .
Shtylla e tretë është trajnimi i qytetarëve dhe të punësuarve për përdorimin e shërbimeve elektronike.
Shtylla e katërt është zgjidhja softuerike, gjegjësisht do të ketë koordinim mes Agjencisë dhe institucioneve për përdorimin e softuerëve të ndryshëm.
Ministri Aliu tha se të punësuarit nuk duhet të frikësohen se do ta humbin punën nga digjitalizimi, por se nëse e kanë bërë atë punë që në të ardhmen do ta bëjë kompjuteri ata mund të caktohen në një vend tjetër ku do të mund të shërbejnë.
Ministri tha se prioriteti i parë është digjitalizimi i institucioneve.
“Besoj se me digjitalizimin e proceseve do të optimizojmë dhe do të ofrojmë shërbime deri te qytetarët në formë më të lehtë dhe në kohë reale”, tha ministri Aliu.
Ndryshe, formimi i kësaj Agjencie është paralajmëruar që në vitin 2021 kur ministër i MSHIA-së ishte Jeton Shaqiri. Asokohe, ministri, në një intervistë për Portalb.mk theksoi se digjitalizimi do të bëhet nëpërmjet Agjencisë Digjitale, ndërkaq po punojnë në përpilimin e ligjit.
“Kemi projektin IPA që është i pavarur nga këto për 137 shërbime tjera tërësisht elektronike dhe në të njëjtën kohë punojmë për bazën ligjore për të pasur një institucion ligjor për të pasur një institucion qendror, sepse tash është komunikimi për çdo procedurë digjitale që lidhet në çdo institucion, çfarë ka të bëjë me digjitalizimin të koordinohen, kontrollohet dhe menaxhohet nga Agjencia Digjitale. Nga të dhënat që kam marrë nga kabineti im, më është thënë se, në shumë shtete kur është krijuar kjo Agjenci, aty vetëm se ka filluar procesi i digjitalizimit të realizohet, ashtu siç duhet”, ka deklaruar për Portalb.mk ministri Shaqiri më 5 qershor të vitit 2021.