Digjitalizimi i universiteteve: Edhe këtë vit studentët humbasin nervat me indekset dhe vërtetimet në letër

Gazetarë: Bojan Bllazhevski dhe Fisnik Xhelili

Një pjesë e universiteteve shtetërore kanë mbetur shumë prapa në procesin e digjitalizimit, si pasojë studentët humbasin kohë dhe nerva gjatë regjistrimit të semestrit në sportelet e administratës studentore në fakultete, duke paguar në banka për çdo shërbim nga fakultetet dhe duke pritur me orë të tëra për të marrë një dokument. Sipas asaj që nxori në pah analiza jonë, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Universiteti Shtetëror në Tetovë dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, në periudhën e ardhshme më së shumti duhet të punojnë në digjitalizimin, shkruan Portalb.mk dhe Meta.mk.

Forumi për Ndryshime në Arsim, si pjesë e iniciativës DigiU, së bashku me organizatat partnere nga Shoqata e Fuqizimit të Rinisë dhe Instituti për Demokratizim dhe Perspektiva Euro-Atlantike, këtë periudhë kanë bërë një “Аnalizë të gjendjes me digjitalizimin në universitetet shtetërore në RMV”. Në këtë dokument të rëndësishëm jepen rekomandime të rëndësishme për përmirësimin e shërbimeve elektronike në universitetet shtetërore, dhe atë: heqja e dokumenteve të printuara nëpërmjet prezantimit të një sistemi të regjistrimit, vërtetimit të semestrave dhe paraqitjeve digjitale.

Analiza rekomandon prezantimin e një indeksi elektronik dhe heqjen e indeksit të letrës në të gjitha universitetet, por dhe azhurnimin e mjeteve dhe platformave digjitale (iKnow, i-Learn dhe e-library) për tu ofruar studentëve shërbimet më të mira të mundshme. Ndër rekomandimet e tjera rekomandohet edhe transformimi i shërbimeve studentore në fakultete në shërbime mbështetëse të studentëve, sigurimi i internetit cilësor dhe të shpejtë për studentët e fakulteteve, mësimdhënie e kombinuar dhe bibliotekë elektronike për qasje në literaturë.

Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim sqaron se shembulli më pozitiv i digjitalizimit në vend është Universiteti i Shtipit “Goce Dellçev”, i cili i ka digjitalizuar plotësisht shërbimet dhe procesin mësimor. Kjo do të thotë se studentët nuk e përdorin fare indeksin e printuar, pasi nënshkrimet dhe notat ato i marrin në platformën iKnow.

“E dyta që e kanë të digjitalizuar që duhet të merret shembull nga universitetet tjera është që Universiteti “Goce Dellçev” i Shtipit posedon bibliotekë online që studentët kanë qasje në literatura botërore, që universitetet tjera për fat të keq nuk e kanë”, thotë Blendi Hodai.

Ai shton se raste të kundërt të kësaj janë Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, të cilët kanë mbetur prapa sa i përket digjitalizimit.

Sa i përket UKM-së, Hodai shton se edhe pse është universiteti më i vjetër dhe më i mirëranguar, fakultetet në kuadër të tij ende përdorin indekse të printuar dhe studentët presin nga tre orë për ta regjistruar semestrin. Nëse u duhet të marrin një dokument të caktuar, studentët detyrohen të paguajnë për të në sportelet e bankave, e pastaj të shkojnë në sportelet e universitetit – dhe atje të presin sërish për ta marrë atë dokument. Studentët e UKM-së nuk kanë qasje në një bibliotekë online, për dallim të atyre nga UniversitetiGoce Dellçev”.

“Pra, është një gjendje shumë kaotike që menaxhohen dy sisteme paralele, pra edhe kanë Iknow sistem që notat shkruhen në Iknow por i detyrojnë studentët që të njëjtat shërbime t’i kryejnë edhe në mënyrë fizike, duke u arsyetuar në atë që duhet t’i ruajnë të dhënat “, shton Blendi Hodai.

Mirëpo, ai thekson se në kuadër të UKM-së gjendja e fakulteteve nuk është gjithandej e njëjtë, me ç’rast veçohet Fakulteti i Shkencave të Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) dhe Fakulteti Elektroteknik, të cilët i kanë digjitalizuar të gjitha shërbimet e tyre dhe i kryejnë të gjitha shërbimet online, pa patur nevojë për t’i detyruar studentët të marrin pjesë fizikisht në fakultet.

Forumi për Ndryshime në Arsim thekson shembullin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, i cili edhe pse është themeluar në vitin 2016, në këto pak vite ekzistencë ka mbetur prapa në procesin e digjitalizimit.

Universiteti Shtetëror i Tetovës është universiteti që ndan më së paku mjete buxhetore dhe financiare për digjitalizim në vend, kështu që vetëm tre përqind e buxhetit vjetor të Universitetit të Tetovës shkon për digjitalizimin e Universitetit të Tetovës.

“Universiteti është në një gjendje kaotike ku shumë pak shërbime kanë të digjitalizuara”, thotë Hodai.

Universitetet me reagim: Disa heshtin, disa mburren, të tjerë arsyetohen

Redaksitë e Meta.mk dhe Portalb.mk kanë dërguar pyetje në lidhje me digjitalizimin e universiteteve shtetërore edhe atë: Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Universitetit “Goce Dellçev”, Universitetit “Nënë Tereza”, Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit “Shën Klement Ohridski”.

Nga UKM-ja sqarojnë se sistemi elektronik informativ për shërbime studentore iKnow ekziston, ndërsa aktualisht po bëhen përpjekje për të mundësuar përdorimin e plotë të sistemit edhe për ciklin e tretë të studimeve.

“Sistemi, ndër të tjera, e ndjek ecurinë e studentit duke filluar nga regjistrimi i tij e deri në përfundim të studimeve sa i përket semestrave të regjistruar, lëndëve (krediteve), provimeve të dhëna në sesionet e caktuara të provimeve dhe rezultateve të arritura akademike (notat). Në këtë kuptim sistemi ka një funksionalitet të plotë të një indeksi elektronik. Universiteti lëshon edhe indeks në formë të printuar gjatë regjistrimit të studimeve, në përputhje me Rregulloren për përmbajtjen dhe formën e diplomës, udhëzimet për përgatitjen e shtojcës të diplomës dhe dokumenteve të tjera publike”, sqarojnë nga Rektorati i UKM-së.

Studentët e UKM-së ushtrojnë edhe të drejtën e tyre për mbrojtje shëndetësore falas pa pasur nevojë të dorëzojnë vërtetim për student të rregullt në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, sepse sistemi iKnow shkëmben të dhëna elektronike me Fondin dy herë në vit, pas regjistrimit të semestrit veror apo atij dimëror.

Nga ana tjetër, asnjë nga dokumentet publike të UKM-së (vërtetime, diploma, fletëparaqitje për provime) nuk lëshohet në format digjital, edhe pse nga UKM thonë se janë të vetëdijshëm se aspekti administrativ dhe teknik për momentin ju merr shumë kohë studentëve.

“U mor një vendim për krijimin e një koncepti për avancimin e digjitalizimit në Universitetin “Sh. Kirili dhe Metodi” në Shkup, i cili përcakton mekanizmat bazë për avancimin e digjitalizimit të Universitetit, të cilat i përmbajnë sistemet e integruara digjitale, të përcaktuara në Strategjinë e Universitetit, Planin e Veprimit për Zbatim dhe Programin për Punë dhe Zhvillim të Universitetit, të plotësuar me sisteme që burojnë nga kërkesat për përmirësimin e punës mësimore, hulumtuese-shkencore, artistike, profesionale, me qëllim rritjen e vizibilitetit të Universitetit, si dhe lehtësimin e punës administrativo-teknike, që reflekton në procesin arsimor të studentëve”, thuhet në reagimin nga UKM-ja.

Nga Universiteti i Manastirit “Shën Kliment Ohridski” sqarojnë se pothuajse të gjitha dokumentet që përdoren prej tyre gjenerohen fillimisht në formë digjitale nga sistemi iKnow ose janë në dispozicion për shqyrtim online, e më pas në varësi të rregullave ligjore dhe statutore ato printohen në letër, e i tillë është edhe rasti me indeksin.

Nga Rektorati i Universitetit të Manastirit sqarojnë se regjistrimi elektronik i semestrave dhe regjistrimi elektronik i provimeve, përfshirë pagesën e detyrimeve financiare online, funksionojnë tashmë prej kohësh.

“Megjithatë, Universiteti “Shën Kliment Ohridski” – Manastir nuk është plotësisht i integruar në aspektin organizativ, anëtarët (fakultetet) kanë njëfarë lirie në organizimin e proceseve të punës dhe për këtë arsye për momentin kemi fakultete ku ato elemente realizohen ekskluzivisht në formë elektronike, fakultete ku fillimisht kryhet regjistrim në formë elektronike dhe më pas dokumentet sillen në administratën studentore brenda një periudhe të caktuar, gjë që eviton rrëmujën para sporteleve, por edhe fakultete ku regjistrimi i semestrave dhe paraqitja e provimeve bëhet në mënyrën klasike brenda një afati të caktuar kohor, dhe pastaj azhurnohen të dhënat për studentët në administratën studentore”, na u përgjigjën nga ky universitet.

Ata sqarojnë se vetë dosja elektronike online e studentëve i mundëson universitetit të lëshojë vërtetime, çertifikata dhe diploma në format elektronik, por për momentin kjo nuk do u shërbente shumë studentëve, pasi dokumente të tilla nuk do të njiheshin askund përveçse brenda universitetit.

Sa i përket procesit mësimor, në Universitetin e Manastirit, një pjesë e ligjëratave në ciklin e parë, por veçanërisht në ciklin e dytë dhe të tretë, zhvillohen online ose si mësim i kombinuar ndërsa në proces e sipër është rregullimi ligjor i gjithë procedurës.

“Universiteti “Kliment Ohridski” tashmë në masë të madhe është digjitalizuar dhe ne jemi gati që në më pak se një vit të kalojmë në veprim të plotë digjital në pjesën e proceseve administrative, nëse për këtë sigurojmë fonde nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës apo nga organe të tjera kompetente dhe donatorë. Mbështetja nga buxheti i RMV-së nevojitet jo vetëm për blerjen apo zhvillimin e burimeve softuerike dhe harduerike, por edhe për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të tyre”, sqarojnë nga Universiteti i Manastirit.

Nga Universiteti i Shtipit “Goce Dellçev” thonë se studentët e tyre kanë një e-indeks ku mund t’i shohin të gjitha informacionet në lidhje me studimet e tyre. Vërtetimi për student të rregullt lëshohet në formë elektronike, ndërsa fletëparaqitjet me notat përgatiten në sistemin elektronik pa kurrëfarë vështirësie. Në letër jepen vetëm diplomat e studentëve, si dhe ato dokumente për të cilat institucionet kërkojnë nga studentët origjinalin në letër.

“Për të mundësuar digjitalizim të plotë të punës arkivore, i nevojshëm është harmonizimi i Ligjit për Lëndën Arkivore dhe Ligjit për Dokumentet Elektronike, Identifikimin Elektronik dhe Shërbimet Konfidenciale, si dhe harmonizimi i punës me autoritetet dhe institucionet e tjera shtetërore në lidhje me pranimin e dokumenteve digjitale të lëshuara”, thonë nga Rektorati i Universitetit “Goce Dellçev”.

Nga Universiteti i Shtipit shtojnë se përpjekjet shtesë për digjitalizimin e punës të tyre lidhen me investimet strategjike që varen nga buxheti, mirëmbajtja e sistemit, si dhe procedurat ligjore që nuk janë në kompetencë të tyre.

Nga Universiteti “Nënë Tereza” thonë se në institucionin e tyre të arsimit të lartë të digjitalizuara janë fletëparaqitjet për marrjen e notave dhe vërtetimi si student i regjistruar, por nuk kanë indeks në format elektronik dhe nuk lëshojnë as diploma në mënyrë elektronike.

“Për transformimin digjital të punës Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, sa më shpejt që të jetë e mundur planifikon një prokurim publik dhe lidhje të Marrëveshjes për prokurim publik për softuer për një portal studentor, me të cilin do të zgjidhen problemet e numëruara”, u përgjigjën nga ky universitet në lidhje me pyetjen se çfarë ndryshimesh planifikojnë të ndërmarrin në periudhën e ardhshme në drejtim të transformimit digjital të punës.

Ata shtojnë se indekset elektronike dhe të gjitha dokumentet për studentët, si dhe procedurat administrative për regjistrim dhe vërtetim do të zbatohen përmes softuerit të portalit të ardhshëm studentor, ndërsa për arsye sigurie diplomat lëshohen në letër.

Meta.mk dhe Portalb.mk kërkuan përgjigje në pyetjet, të cilat ishin identike për të gjitha universitetet shtetërore, edhe nga Universiteti i Tetovës, por edhe krahas disa përpjekjeve për të marrë të dhëna për shkallën e digjitalizimit të shërbimeve në këtë universitet, përgjigje në pyetjet e parashtruara nuk morëm.

Disklejmeri për Smart Balkans, disclaimer