“Anima Mundi” publikoi video shqetësuese me disa qen të ngordhur në Butel, kërkoi hetim urgjent
Shoqata për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi” kërkoi reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) lidhur me helmimin e dyshuar të disa qenve në Butel të Shkupit. Nga atje thonë se qentë, të cilët duken sikur i përkasin të njëjtës pjellë, janë gjetur të ngordhur pranë njëri-tjetrit në një hapësirë publike, ndërsa sipas informacioneve të Shoqatës, ata janë helmuar, transmeton Portalb.mk.
“Anima Mundi” publikoi në Facebook edhe një video të qenve të gjetur të ngordhur.
“Është jashtëzakonisht e pazakontë dhe shqetësuese që të gjithë janë gjetur në të njëjtin vend. A janë helmuar aty? A i ka sjellë dikush dhe i ka lënë pranë njëri-tjetrit? A kanë pronar, pse duken si zagarë nga e njëjta pjellë? Çfarë ka ndodhur saktësisht? Kërkojmë që MPB-ja dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të dalin urgjentisht në terren në Butel, të kryejnë inspektim, të sigurojnë prova, të përcaktojnë shkakun e ngordhjes dhe të kontrollojnë kamerat e sigurisë në zonën përreth. Gjithashtu, duhet të përcaktohet prejardhja e kafshëve dhe autori i mundshëm i veprës”, thonë nga “Anima Mundi”, duke kërkuar hetim për rastin.
Veçanërisht shqetësues dhe një kërcënim serioz për sigurinë publike, sipas tyre, është fakti se prania e mundshme e helmit në një hapësirë publike nuk paraqet rrezik vetëm për kafshët, por edhe për qytetarët, veçanërisht për fëmijët.
“Neni 233 i Kodit Penal parasheh sanksione për vrasjen e kafshëve pa arsye të justifikuar dhe keqtrajtimin e tyre. Kërkojmë hetim urgjent, veprim institucional dhe përgjegjësi. Nuk lejojmë që edhe një rast i tillë të përfundojë me heshtje institucionale dhe harresë”, shtojnë nga Shoqata për mbrojtjen e kafshëve.