Kërkimi i paqës në kohëra apokaliptike (I)

“Paqja nuk mund të arrihet përmes dhunës, por vetëm përmes arsi(mi)mit.”

Albert Eisntein

Më 10-11 nëntor të muajit të shkuar në Vlorë, nën patronazhin e Institutit Shqiptar të Sociologjisë, Forumit Sociologjik Ballkanik, Akademisë Shqiptare të Shkencave etj. u mbajt konferenca ndërkombëtare ndërdisiplinare e titulluar “Kapitali shoqëror dhe sfera publike në shoqërinë bashkëkohore”, ku morën pjesë 245 (ko)autorë  nga 22 vende të ndryshme të botës. Pjesë e këtij eventi të rëndësishëm ishte edhe seanca speciale e mbështetur nga Federate Botërore e Paqës, e titullur “Paqja – Konteksti ballkanik”, ku u elaboruan shtatë kumtesa të ekspertëve të fushës që trajtojnë tema aktuale në një kohë kritike kur bota siç u shpreh ish-sekretari gjenerali i OKB-së, pas “11 Shtatorit 2001”, bota ka hyrë në mileniumin e tretë përmes një porte të zjarrtë (gate of fire).

Kumtesa e parë e titulluar “Studimi i luftës dhe paqës” (L. & E. Kutrolli)  shtronte tezën se themelimi i paqës – që analizohet nga antropologjia, shkenca politike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, sociologjia, psikologjia e deri te psikiatria – do të thotë të thyesh ligjin e xhunglës që ka dominuar historinë. Sipas autorëve lufta shkaktohet nga tre motive: frika (nga të tjerët), nderi (i grupit vetjak) dhe interesi (arritja e interesave të mundshme). Në kohën tonë lufta nuk është në modë, nuk është biznes profitabël, ka kosto skajsmërisht të shtrejntë dhe sjell përfitime modeste; në kohën e Revolucionit të Katërt (robotizimi, dronizimi, IA-inteligjenca artificialec) edhe i vogli mund të ngadhënjejë ndaj të fuqishmit, si rasti Davidit me Goliatin 3000 vjet më parë. Për të eternalizuar paqen, për t’ua mbyllur rrugën pushtimeve dhe masakrave, na duhet një gjë: përkushtimi ndaj paqes.

  1. Zenelaga përmes artikullit “Kapitali social dhe paqja” kumtoi se paqendërtimi është një proces i vështirë, sfidues, që lidhet me hapat para dhe mbrapa. me respektimin e normave, krijimin e rrjet(ëzim)eve, me ndërtimin e mirëbesimit, në mënyrë që të arrihen gjërat së bashku dhe të krijohet kapitali social, që iu mundëson qytetarëve që t’i zgjidhin problemet kolektive dhe të prodhojnë zgjidhje afatgjata, paqe e mirëfilltë dhe e qëndrueshme. Në këtë drejtim autorja iu referua figurave respektabile të termit kapitali social si Bourdieu, Coleman dhe Putnam.
  2. Rroshi, nga Universal Peace Federation foli për temën “Familja- instucioni i parë i paqes”, duke theksuar se ëndrra e paqes gjithënjerëzore mund të realizohet vetëm përmes kombit dhe shoqërisë paqësore, e këto të fundit frymojnë paqësisht vetëm nëpërmjet premisës së shtëpisë apo familjes paqësore. Pra bota e paqes është e mundur vetëm nëse ndërtojmë familje paqësore, këtë çerdhe ku përmes shembujve krijohet kultura e dashurisë ndaj njeriut dhe njerëzimit; familjaështë një komb i vogël, një mikrokosmos ku krijohen relacionet që si epiqendër kanë paqën, është shkollë e moralit dhe zhvillimit shoqëror, burim i vlerave tona të thella. Andaj sot, kur familja përjeton një krizë të thellë, është kërkesë urgjente që të rikthehen standardet e familjes së shëndoshë të bazuara në dashuri dhe vlera të vërteta.

Kumtesa e I. Nikajt, “Paqja dhe feja” si tezë kishte idenë se lumturia nuk është e barasvlefshme me mirëqenien materiale, se jeta e kuptimtë është përkufizim i të jetuarit mirë (living well). Sipas autores shkrimet e shenjta, krishtere, islame dhe budiste dhe të tjera, afirmojnë parime të njëjta apo të ngjashme që mbështesin bashkëpunimin ndërfetar dhe paqen globale. Fetë janë ndërmjetësuese në drejtim të gjetjes së rrugëve të harmonisë, të udhës hyjnore që shpie drejt paqes me veten, botën  dhe të tjerët. Spiritualiteti fetar e shndërron njeriun në krijesë të mirë dhe dënon ata që duan luftën dhe vdekjen e tjetri apo të të thjerëve. Fetë duhet të bashkojnë energjitë e tyre pozitive, urtësinë dhe përpjekjet pacifiste në mënyrë që të krijojnë një shoqëri dhe botë të jetueshme, një ideale. /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.