Dështon zgjerimi i rrugës “Cvetan Dimov”, Qyteti i Shkupit i ka destinuar 2,3 milionë eurot për pagesë të borxheve

2,3 milionë eurot për projektin e zgjerimit të rrugës “Cvetan Dimov” apo të njohur si rruga e “Jahja Pashës”, Qyteti i Shkupit i ka tërhequr dhe i ka dedikuar për mbulimin e obligimeve Qytetit ndaj Ministrisë së Financave, thonë nga Komuna e Çairit, një muaj pasi kryetari i kësaj komune, Visar Ganiu tha se me Danella Arsovskën nuk kanë komunikim dhe bashkëpunim për këtë projekt. Nga Qyteti i Shkupit thonë se paratë kanë kanë qenë lëndë e përmbarimit për shkak të borxheve nga udhëheqësia paraprake e qytetit në krye me Petre Shilegovin, shkruan Portalb.mk.

Arteria kryesore që e lidh Komunën e Çairit me qendrën e Shkupit vazhdon të jetë në kaos. Këshilltarët e Qytetit të Shkupit në fund të majit të vitit 2023 votuan për ndarjen e 140 milionë denarëve (rreth 2,3 milionë euro) për fillimin e punimeve, ndërkaq këshilltarët e Komunës së Çairit, një javë më pas miratuan vendim për bashkëpunim ndërkomunal mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit për këtë projekt. Punimet duhej të fillonin në shtator të vitit 2023, por deri më tani ka kaluar mbi gjysmë viti dhe në terren asgjë nuk është ndërmarrë.

Nga Komuna e Çairit për Portalb.mk shpjegojnë se mjetet për këtë projekt, Qyteti i Shkupit i ka tërhequr me qëllim që të njëjtat t’i dedikojë për mbulimin e obligimeve të qytetit ndaj Ministrisë së Financave.

“Mjetet që u ndanë nga Qyteti i Shkupit për fillimin e fazës së parë për zgjerimin e bulevardit “Cvetan Dimov”, janë tërhequr dhe të njëjtat janë dedikuar për mbulimin e obligimeve që Qyteti i Shkupit i ka ndaj Ministrisë së Financave. Forma se si dhe pse pikërisht janë tërhequr mjetet e dedikuara për zgjerimin e bulevardit “Cvetan Dimov”, duhet të përgjigjet Ministria e Financave dhe Qyteti i Shkupit”, thonë nga Komuna e Çairit.

Nga ana tjetër, nga Qyteti i Shkupit thonë se paratë kanë qenë lëndë përmbarimi për shkak të borxheve të cilat janë bërë gjatë periudhës së ish kryetarit të Shkupit Petre Shilegov, ndërkaq tani do të duhet që Këshilli sërish të ndajë para.

“Për fat të keq, dhe jo për vaj të Qytetit të Shkupit, mjetet financiare të cilat janë siguruar për atë qëllim kanë qenë lëndë e përmbarimit nga ana e Ministrisë së Financave për shkak të kontestevetë vjetra të kryera në periudhën 2017-2022 në periudhën e kryetarit të qytetit Shilegov, dhe të cilat patjetër është dashur të paguhen në vitin 2023. Duke e pasur parasysh faktin se Buxheti i Qytetit të Shkupit është i limituar për shkak të pagesës së borxheve të vjetra të kryera në periudhën 2017-2021 në mandatin e kryetarit paraprak Shilegov, të cilat një pjesë e madhe janë paguar në vitin 2023, tani financimi i këtij projekti këtë vit varet prej Këshillit të Qytetit”, thonë për Portalb.mk nga Qyteti i Shkupit.

Ata shtojnë se këshilltarëve, nga ana e udhëheqësia e qytetit u është dorëzuar informatë se për realizimin e këtij projekti i cili është i pranuar edhe nga Qyteti i Shkupit, por edhe nga Komuna e Çairit duhet të mundësojnë edhe financimin e tij përkatës.

Në mes të dhjetorit, në bisedë për Portalb.mk, Ganiu u shpreh se projekti është bashkëpunim ndërkomunal dhe se ata i kanë kryer obligimet, por Qyteti i Shkupit nuk i kryejnë detyrat e tyre.

“Problemi për rrugën “Cvetan Dimov” kemi mbërri deri te një fazë ku është dashur vlerësimi për eksproprijimin e objekteve. Atë thirrje për furnizim publik dhe për përzgjedhjen e operatorit e ka bë Qyteti i Shkupit dhe ka mbërri në fazën finale dhe prej aty pastaj kemi pasur memorandum për bashkëpunim ndërkomunal ku një pjesë të projektit e kemi marrë ne përsipër dhe kemi bërë atë pjesën e animacionit se si do të duket rruga e “Cvetan Dimovit” dhe komisionet disa herë kanë pasur mbledhje, por prej momentit që Qyteti i Shkupit e mori si iniciativë dhe ne sot e kësaj dite nuk e dimë se ku ka mbetur”, shprehet Ganiu.

I pyetur nëse ka komunikuar me kryetaren e Shkupit, Danella Arsovska ai tha “vetëm me letra, në aspekt zyrtar”, por shton se ka ngecje, pasi që Qyteti i Shkupit nuk iu përgjigjet kërkesave të tyre.

“Ka ngecje, për shkak se ne kemi lëshuar letër disa herë me kërkesë që komisioni i përbashkët të funksionojë dhe t’i mbajë mbledhjet dhe prej aty të dalin të gjitha ato obligimet që i kemi marrë, por nuk thirret ajo mbledhje”, tha Ganiu duke shtuar se Qyteti i Shkupit nuk iu përgjigjet fare kërkesave të tyre.

Ndryshe, problemi me kaosin në rrugën “Cvetan Dimov” të njohur si rruga e “Jahja Pashës” parashihet të zgjidhet me projekt të përbashkët mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit, por ky bashkëpunim deri më tani në terren nuk ka ndryshuar asgjë. Ky problem shumëvjeçar, nuk ka arritur të zgjidhet edhe gjatë mandatit të kryetarit paraprak të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov, i cili gjatë orës policore në bashkëpunim me komunën, vendosi një mur ndarës, me qëllim që të mos lejohet automjetet të kthejnë në mes të rrugës dhe të mos kalojnë qytetarët në vende ku nuk ka viza të bardha. Muri, sipas paralajmërimit ishte zgjidhje e përkohshme, por zgjidhja e tillë nuk është ndryshuar, ndërkaq kaosi vazhdon, sidomos në oraret kur qytetarët shkojnë dhe vijnë prej pune.

Tekstet paraprake për rrugën “Cvetan Dimov”: