Qyteti i Shkupit ofron 2,3 milionë euro për “Rrugën e Jahja Pashës” në Çair

Zgjidhja e problemit me kaosin në bulevardin “Cvetan Dimov” të njohur si rruga e “Jahja Pashës” parashihet të zgjidhet me vendim për bashkëpunim ndërkomunale mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit. Ky vendim në mbledhjen e 25 prillit nuk është miratuar në Këshillin e Qytetit, por pritet që sërish të vendoset në rend dite, në ndonjërën prej seancave të radhës, shkruan Portalb.mk.

Qyteti i Shkupit i fajëson partitë politike për mosmiratimin e vendimit për bashkëpunim ndërkomunal me Komunën e Çairit, nëpërmjet së cilës do të rregullohej kjo arterie e bllokuar e cila është arteria kryesore që lidh Çairin e qendrën e Shkupit.

“Këshilltarët e Qytetit të Shkupit nuk e miratuan vendimin për fillimin e realizimit të projektit për ndërtimin e rrugës “Cvetan Dimov” me çka do të zgjidhej problemi shumëdekadësh i gjithë banorëve të cilët transitojnë dhe jetojnë në atë pjesë. Për fat të keq edhe përskaj asaj që dy opsionet më të mëdha politike me dekada e kanë premtuar realizimin e këtij projekti, realiteti është se ata nuk punojnë në interes të qytetarëve, por për të vetat dhe interesin e ngushtë partiak”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Portalb.mk bisedoi me këshilltarin e BDI-së në Qytetin e Shkupit, Besnik Ajeti, i cili tha se pavarësisht se nuk ka kaluar, sërish do ta vendosin në rend dite dhe presin që të marrin mbështetje nga të gjithë.

“Pritet ta shohim për së dyti herë. Ende nuk ka mbështetje, por do ta shohim. Opozita shqiptare nuk ishin prezent atë ditë, por besoj që do të na përkrahin. Kjo rrugë është një problematikë e kamotshme që duhet të zgjidhet. Besoj se të gjithë do të na bashkohen, por atë ditë shumica nuk ishin në mbledhje dhe ndoshta ajo ishte arsyeja që nuk kaloi. Mbledhjen e ardhshme e kemi më 30 maj dhe do të shohim ta vendosim në rend dite”, tha Ajeti.

Çfarë parashikon marrëveshja?

Qyteti i Shkupit do të investojë 140 milionë denarë ose afërsisht 2,3 milionë euro për ndërtimin e rrugës “Cvetan Dimov”, në periudhën prej vitit 2023 deri në vitin 2025. Kështu thuhet në propozim-vendimin për bashkëpunim komunal me Qyteti të Shkupit dhe Komunës së Çairit.

“Qyteti i Shkupit do të marrë pjesë në këtë bashkëpunim me 140.000.000 denarë përfshirë dhe TVSH-në, mjete të siguruara nga Buxheti i Qytetit të Shkupit edhe atë 10.000.000 denarë për vitin 2023, 70.000.000 denarë për vitin 2024 dhe 60 milionë denarë për vitin 2025, nga programi JDA 482130, por edhe me zgjidhjen e kontesteve pronësore – juridike. Komuna e Çairit në realizimin e këtij bashkëpunimi do të marrë pjesë me përpunim të Projektit Urbanistik të reviduar. Mjetet do të shfrytëzohen vetëm për rrugën “Cvetan Dimov”, nga udhëkryqi me bulevardin Nikolla Karev deri dhe me udhëkryqin me rrugën “Xhon Keteni” dhe rrugën “Hristijan Todorovski Karposh” dhe në pajtueshmëri me dispozitat me të cilat rregullohen punët ndërtimore të këtij lloji për çka Qyteti i Shkupit do të zbatojë furnizim publik”, thuhet në propozim-vendimin për marrëveshje ndërkomunale.

Më tej, thuhet se për realizimin e këtij vendimi, kryetari i Qytetit të Shkupit do të nënshkruajë marrëveshje me kryetarin e Komunës së Çairit në formë dhe përmbajtje të përshkruar në Ligjin për Bashkëpunim Komunal.

Vendimi, do të hyjë në fuqi në ditën e miratimit në “Fletoren Zyrtare të Qytetit të Shkupit”.

Marrëveshjen e plotë mund ta shihni më poshtë:

Në dokument nuk tregohet se sa para do të ndajë Komuna e Çairit për këtë projekt. Në programin parazgjedhor të kryetarit Visar Ganiu, ai premtoi se me 7 milionë euro do ta zgjerojë këtë bulevard me qëllim që të mënjanohet kaosi i trafikut.

Premtimi i Visar Ganiut për bulevardin "Cvetan Dimov"
Premtimi i Visar Ganiut për bulevardin “Cvetan Dimov”

“Zgjerimi i bulevardit “Cvetan Dimov” është njëri ndër projektet më të rëndësishme që përfundimisht do lehtësojnë trafikun dhe do të shpejtojë linjat e komunikimit. Përtej kësaj, pajisje me shtigje të biçikletave do të përmirësojë dhe ulë ndotjen. Kjo rrugë me gjatësi prej 1.000 metra do zgjerohet në të dy anët e rrugës me gjerësi prej 35 metra, e cila do ketë 6 korsi dhe gjelbërim midis korsive, trotuare në të dyja anët dhe shtigje për biçikleta gjithashtu në dy anët e rrugës. Ky investim kap shifrën e 7.000.000 euro”, ky është premtimi i kryetarit të Komunës së Çairit Visar Ganiu, në programin e tij zgjedhor “ të titulluar “Zgjidh jetë voto blertë”.

Nga Komuna e Çairit për Portalb.mk paraprakisht deklaruan se po bëjnë projektimin e dokumentacionit për vlerësimin e pronave.

“Ne si Komunë jemi në koordinim të vazhdueshëm me Qytetin e Shkupit, si bartës të këtij investimi kapital që është me rëndësi të veçantë për banorët e Çairit dhe që paraqet zgjidhje të kaosit shumëvjeçar në trafik. Në përfundim është faza finale e projektimit të dokumentacionit dhe fillimi i vlerësimit të pronave që përfshihen në këtë projekt. Si publikisht, ashtu edhe në komunikimin tonë zyrtar me Qytetin e Shkupit, shprehim gatishmërinë tonë dhe vëmë në dispozicion gjitha kapacitetet tona për realizimin e këtij projekti”, thonë nga Komuna e Çairit.

Megjithatë, aktivitetet e deritanishme, nuk e kanë zgjidhur problemin. Në kohën e kryetarit të Shkupit Petre Shilegov, gjatë orës policore, u vendos një mur ndarës, me qëllim që të mos lejohet automjetet të kthejnë në mes të rrugës dhe të mos kalojnë qytetarët në vende ku nuk ka viza të bardha. Megjithatë, kaosi vazhdon. Edhe atë, prej mbarimit të urës së Bit Pazarit deri tek Ura e Jahja Pashës, e cila pavarësisht se u ndërtua për këmbësorët që të mos e pengojnë komunikacionin, megjithatë e njëjta është thuajse e papërdorshme.

Prej 5 nëntorit të vitit 2021, kur e mori postin e kryetarit të komunës, kanë kaluar një vjet e gjysmë, megjithatë, duke u bazuar në situatën aktuale në terre, Portalb.mk konkludon se ky premtim, ende nuk është realizuar.