Këshilltarët e Çairit unanimisht e votuan projektin për rrugën “Cvetan Dimov”, Ganiu: Punimet fillojnë për 2-3 muaj

Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës së Çairit, të gjithë këshilltarët, gjegjësisht 27 votuan “për” miratimin e vendimit për bashkëpunim ndërkomunal mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit për ndërtimin e rrugës “Cvetan Dimov”. Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se punimet pritet të fillojnë për 2-3 muaj dhe premtoi se me këtë projekt rrëmuja në “Cvetan Dimov” do të jetë e kaluar, ndërkaq këshilltarët nga opozita dhanë përkrahje dhe kërkuan që të mos ketë zvarritje në realizimin e projektit, raporton Portalb.mk.

“Me këtë projekt parashikohet një zgjidhje moderne e arteries kryesore që në të ardhmen do të ketë gjashtë korsi, nga tre në secilin drejtim, trotuare, shtigje për biçikleta, gjelbërim dhe ndriçim të ri përgjatë gjithë trasesë. Është e vështirë në ditët e sotme të kalohet përmes rrugës “Cvetan Dimov”, por ja që kjo pasqyrë e një rrëmuje të vërtetë të përditshëm, shumë shpejtë do t’i kalojë të shkuarës. Jemi të vetëdijshëm se për t’u realizuar kjo rrugë, do të nevojitet mënjanimi i disa objekteve përreth, por të gjithë një për një do të shpronësohen dhe do të marrin atë që u takon në bazë të ligjeve ekzistuese”, tha Ganiu.

Ai shtoi se fillimet e punimeve do të nisin ndoshta për dy muaj ose dy muaj e gjysmë.

Këshilltari nga radhët e Alternativës, Muhamed Krasniqi, tha se ata e përkrahin këtë projekt, por është skeptik nëse buxheti i paraparë prej 140 milionë denarësh do të jetë i mjaftueshëm për ta mbaruar.

“Uroj që ky bashkëpunim të mos jetë vetëm formal, mjetet të cilat janë të parapara për këtë projekt të mos jenë të kufizuara, pasi janë të ndara në kuartale. Këtë vit do të miratohen, vetëm 10 milionë prej atyre 140 milionë. Pyetje ime ka të bëjë me atë se sa është i mjaftueshëm ky buxhet për realizimin e mirëfilltë të një projekti megaloman, siç është projekti i “Cvetan Dimovit”, sipas përllogaritjeve të mia, uroj të jem gabim, ndoshta nuk do të jenë të nevojshme. Dhe pastaj, pyetja tjetër është se a do të realizohet në kohën e paraparë deri në vitin 2025”, tha Krasniqi.

Këshilltari iAlternativës në Komunën e Çairit, Muhamed Krasniqi. Foto: Suad Bajrami
Këshilltari iAlternativës në Komunën e Çairit, Muhamed Krasniqi. Foto: Suad Bajrami

Këshilltarja e pavarur, Nafie Selmani, tha se është e gëzuar që me këtë projekt Komuna e Çairit do të heqë nga barra e qytetarëve dhe vetja një tollovi, një rrugë e cila gjithmonë shkaktonte rrëmujë.

“Jam e gëzuar shumë që nga kjo rrugë, do të hiqet muri, i cilësuar nga qytetarët si mur i turpit, i cili përveç një simbolike jo të bukur që e kishte, vitet e fundit, paraqiste një problem jashtëzakonisht të madh, veçanërisht kur duhej të qarkullonte ndonjë automjet i ambulancës. Unë do ta përkrahi, por shpresoj që nuk do të ketë ndonjë zvarritje eventuale, unë dua të jem optimiste dhe dua të besoj se nuk do të paraqiten pengesa të tjera të natyrës financiare dhe gjatë shpronësimit eventualisht”, tha Selmani.

Këshilltarja e pavarur, në Komunën e Çairit Nafie Selmani. Foto: Suad Bajrami
Këshilltarja e pavarur, në Komunën e Çairit Nafie Selmani. Foto: Suad Bajramini

Këshilltarja e BDI-së, Lejla Emrullai tha se “ditëve të fundit, në Komunën e Çairit të gjithë qytetarët po flasin për këtë projekt madhor dhe po e mirëpresin”.

“Edhe ne si grup i këshilltarëve të BDI-së do të votojmë për këtë projekt”, tha Emrullai.

Këshilltarja e BDI-së në Komunën e Çairit, Lejla Emrullai. Foto: Suad Bajrami
Këshilltarja e BDI-së në Komunën e Çairit, Lejla Emrullai. Foto: Suad Bajrami

Edhe këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Gjoko Velkovski, u ndal te çështja e largimit të murit dhe tha që të bëhet trysni më shumë që sa më shpejtë të mbarojë projekti.

“Më vjen mirë që pas një vjet e gjysmë e vendosëm në letër këtë projekt që të miratojnë vendim, i cili na nevojitet të gjithë neve si banor të Çairit. Fatkeqësisht që nuk u miratua më herët edhe pse ideja ishte e atillë që bashkë me kryetarin e biseduam disa herë, kaloi kohë, por mirë, ja që definivisht sot të japim mbështetje si këshilltarë që të mund të udhëhiqet ky projekt. Jemi të motivuar të gjithë, e përmendën kolegët, atë murin që u vendos, unë isha një ndër kundërshtarët më të mëdhenj dhe zëshëm kam folur. Më vjen mirë që do të ketë zgjidhje dhe e di se çfarë rëndësie është. Lutja ime është që maksimalisht të kryejnë trysni për realizimin që mos të zgjatë”, tha Velkovski.

Këshilltari i VMRO-DPMNE-së në Komunën e Çairit, Gjoko Velkovski. Foto: Suad Bajrami
Këshilltari i VMRO-DPMNE-së në Komunën e Çairit, Gjoko Velkovski. Foto: Suad Bajrami

Këshilltarja e LSDM-së, Marija VelovskaKondovska deklaroi se është e befasuar me mbështetjen që ka marrë projekti në Qytetin e Shkupit, ku të gjithë këshilltarët pavarësisht përkatësisë partiake kanë votuar “për”.

“Dua t’i falënderoj këshilltarët e Qytetit të Shkupit që kanë dhënë mbështetje nga të gjitha partitë. Kjo rrugë që e lidh jo vetëm Çairin me Qendrën, por edhe komunat tjera, më vjen mirë që me këtë rrugë do të mundemi normalisht të funksionojmë”, tha VelovskaKondovska.

Ganiu, në lidhje me çështjen e vendosjes së murit, tha se ajo ka qenë një zgjidhje e përkohshme, ndërkaq shtoi se sipas raporteve të policisë, ai mur ka parandaluar aksidentet e trafikut.

“Në lidhje me murin, e pajtohem se për sy nuk është e bukur, por ne në atë moment kemi shikuar që ta bëjmë rrugën më funksionale. Para asaj dhe tash, nuk them se është shumë më mirë, por ka përmirësime në atë drejtim. Modelin e kemi marrë nga shtetet tjera, unë personalisht e kam parë në Munih. Dhe kjo ka qenë përkohësisht. Efekti i këtij muri është shumë i madh. Nuk them se ka qenë zgjidhja më e mirë. Sipas të dhënave nga policia, ka pasur mesatarisht në javë nga 3 goditje [të veturave] ndaj njerëzve, për ndeshje të mos flasim, ndërkaq prej kur e kemi vendosur murin, e kemi vetëm një shkelje të një persona në viza të bardha. Nëse shkel dikush në zebra, duhet me e marrë me mend se çfarë papërgjegjësie është prej shoferit. Efekti është asnjë shkelje, asnjë aksident. Për ne kanë qenë fëmijët prioritet, për atë e kemi vendosur atë mur. Aty gravitojnë çerdhe, shkolla fillore dhe kjo është vendosur më tepër për sigurinë e fëmijëve”, tha Ganiu.

Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të ketë konferencë për shtyp bashkë me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në të cilën do të shpjegohen të gjitha detajet e projektit.

Seancën e plotë mund ta ndiqni më poshtë:

Ndryshe, rruga “Cvetan Dimov” në Komunën e Çairit mund të ngelet pa vargun e drunjve të vjetër me dekada, pas miratimit të rekonstruimit pa projekt të përgatitur, paralajmërojnë aktivistët e “Qyteti i gjelbër human”.

Zgjidhja e problemit me kaosin në bulevardin “Cvetan Dimov” të njohur si rruga e “Jahja Pashës” parashihet të zgjidhet me projektin ndërkomunal i cili kap vlerën e 2,3 milionë eurosh.

Aktivitetet e deritanishme, nuk e kanë zgjidhur problemin. Në kohën e kryetarit të Shkupit Petre Shilegov, gjatë orës policore, u vendos një mur ndarës, me qëllim që të mos lejohet automjetet të kthejnë në mes të rrugës dhe të mos kalojnë qytetarët në vende ku nuk ka viza të bardha. Megjithatë, kaosi vazhdon. Edhe atë, prej mbarimit të urës së Bit Pazarit deri tek Ura e Jahja Pashës, e cila pavarësisht se u ndërtua për këmbësorët që të mos e pengojnë komunikacionin, megjithatë e njëjta është thuajse e papërdorshme.