Qyteti i Shkupit vendosi për ndërtimin e rrugës “Cvetan Dimov”

Këshilltarët e Qytetit të Shkupit kanë votuar për ndarjen e 140 milionë denarëve për fillimin e punimeve rreth ndërtimit të rrugës “Cvetan Dimov”, ndryshe e njohur si “Rruga e Jahja Pashës”, transmeton Portalb.mk.

Punimet pritet të zhvillohen nga kryqëzimi ndërmjet rrugës “Cvetan Dimovit” dhe “Nikolla Karev”, deri te kryqëzimi që lidh rrugën “Cvetan Dimov”, “Xhon Kenedi” dhe “Hristijan Todorovski Karposh”. Për këtë investim në Këshillin e Qytetit të Shkupit votuan 30 këshilltar “për”, 2 “kundër” dhe 4 “të përmbajtur”.

Në seancën e Qytetit të Shkupit, pati kritika ndaj këshilltarëve për shkak se janë duke mbështetur një projekt i cili akoma nuk është krijuar.

Ndryshe, rruga “Cvetan Dimov” në Komunën e Çairit mund të ngelet pa vargun e drunjve të vjetër me dekada, pas miratimit të rekonstruimit pa projekt të përgatitur, paralajmërojnë aktivistët e “Qyteti i gjelbër human”, raporton Meta.

Zgjidhja e problemit me kaosin në bulevardin “Cvetan Dimov” të njohur si rruga e “Jahja Pashës” parashihet të zgjidhet me vendim për bashkëpunim ndërkomunale mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Çairit. Ky vendim në mbledhjen e 25 prillit nuk ishte miratuar në Këshillin e Qytetit.

Megjithatë, aktivitetet e deritanishme, nuk e kanë zgjidhur problemin. Në kohën e kryetarit të Shkupit Petre Shilegov, gjatë orës policore, u vendos një mur ndarës, me qëllim që të mos lejohet automjetet të kthejnë në mes të rrugës dhe të mos kalojnë qytetarët në vende ku nuk ka viza të bardha. Megjithatë, kaosi vazhdon. Edhe atë, prej mbarimit të urës së Bit Pazarit deri tek Ura e Jahja Pashës, e cila pavarësisht se u ndërtua për këmbësorët që të mos e pengojnë komunikacionin, megjithatë e njëjta është thuajse e papërdorshme.

Prej 5 nëntorit të vitit 2021, kur e mori postin e kryetarit të komunës, kanë kaluar një vjet e gjysmë, megjithatë, duke u bazuar në situatën aktuale në terre, Portalb.mk konkludon se ky premtim, ende nuk është realizuar.