Tenderët për deponitë moderne në Pollog dhe dy rajonet tjera shpallen në prill, deri në vitin 2027 pritet të jenë gati

Thirrjet publike për ndërtimin e deponive moderne rajonale sipas standardeve të Bashkimit Evropian në rajonin e Pollogut, Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor pritet të shpallen në muajin prill të këtij viti, me çka do të vijojnë procedurat e mëtejme, ndërsa deri në vitin 2027 ata pritet të jenë të kompletuara. Këto deponi pritet të përmirësojnë gjendjen me deponitë dhe mbeturinat në këto tre rajone, shkruan Portalb.mk.

Njësia e zbatimit të projektit e krijuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor së bashku me ekspertët e ofruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si asistencë teknike po punojnë për dokumentet e tenderit, konkretisht dy procedura tenderimi për prokurim dhe dy për ndërtim.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sqaroi se pas përfundimit do të shpallet tender.

“Tenderi do të jetë ndërkombëtar dhe ofertuesi më i mirë do të zgjidhet sipas standardeve të BERZH-it sepse projekti financohet me kredinë e BERZH-it dhe grantet nga SECO dhe WBIF. Kompanitë e përzgjedhura vendase apo ndërkombëtare do të kenë detyrimin të bëjnë projektim të detajuar të deponisë sanitare dhe ta ndërtojnë atë”, theksojnë nga Ministria e Mjedisit.

Për rajonin e Pollogut është planifikuar rehabilitimi dhe ndërtimi i një instalimi rajonal për trajtimin dhe deponimin e mbeturinave në Rusino, Gostivar.

“Për rajonin e Pollogut, thirrja për të marrë pjesë në tender për projektim dhe ndërtim pritet në prill 2024. Përfundimi i marrëveshjeje me ofertuesin më të mirë në nëntor 2024 dhe mbyllja e marrëveshjes dhe fillimi i punëve të instalimit në mars 2027”, thonë nga Ministria e Mjedisit.

Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk
Deponia me krom gjashtëvalent në fshatin e Tetovës, Jegunovc, foto: Meta.mk

Ndërsa për rajonin e Pellagonisë dhe Jugperëndimor është planifikuar instalim rajonal për trajtimin dhe deponimin e mbeturinave në rrethin e REK Manastir, në komunën e Novacit në tokë të degraduar.

“Për rajonin e Pellagonisë-Jugperëndimor, thirrja për pjesëmarrje në tenderin për projektim dhe ndërtim pritet në prill 2024, lidhja e marrëveshjes me ofertuesin më të mirë duhet të jetë në nëntor 2024, dhe mbyllja e kontratës dhe fillimi i punës për instalimet në tetor 2027”, theksojnë nga Ministria e Mjedisit.

Kjo do të thotë se deri në vitin 2027 kontraktorët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre në lidhje me ndërtimet, dhe më pas të njëjtat mund të vihen në funksion.

Realizimi i këtyre deponive shihet si zgjidhje e ndotjes së ajrit, tokës dhe ujërave nga deponitë jo adekuate. Problem për të cilin Bashkimi Evropian vite me radhë alarmon me vërejtjet thuaj se të njëjta.

Me ndërtimin e tre deponive rajonale në këto pesë rajone, do të mundësohet menaxhimi modern i mbetjeve për rreth 1 milion banorë në vend. Bashkimi Evropian e ka vlerësuar ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve si një nga prioritetet kombëtare në procesin negociator të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë hua 55.3 milionë euro nga BERZH, të cilat duhet të përdoren për të ndërtuar deponi të reja në pesë rajonet. Bëhet fjalë për objekte kapitale që duhet të rrethohen plotësisht, të ndërtuara sipas teknologjisë që do të parandalojë kontaktin e mbetjeve të depozituara me tokën dhe ujërat përreth dhe për menaxhimin e të cilave do të duhet të kujdeset një ndërmarrje e posaçme publike nder rajonale e krijuar nga të gjitha komunat brenda një rajoni.

Përveç këtyre deponive, me kredinë e BERZH-it do të ndërtohen stacione për transferimin e mbeturinave nëpër komunat pesë rajone dhe do të sigurohen kontejnerë për seleksionimin e mbeturinave për të gjitha pushtetet lokale nga Pollogu, Pellagonia, rajoni Jugperëndor, Vardari dhe rajonet juglindore, automjetet për transportin e mbeturinave dhe pajisjet e përshtatshme për shërbimet publike.

Krahas kredisë së BERZH-it, për ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve në pesë rajonet, do të ketë mbështetje financiare nga Programi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) të BE-së në shumën 22.3 milionë euro.

Gjithashtu, është ofruar mbështetje financiare zvicerane për rajonin e Pollogut dhe deponinë në “Rusino”. Megjithatë kjo ndërmarrja publike rajonale “Rusino Pollog” nuk funksionon në mënyrë të rregullt pasi që ballafaqohet me sfida financiare. Problemin e kanë shkaktuar borxhet nga ndërmarrjet publike dhe operatorët privat për menaxhimin e mbeturinave të komunave të rajonit të Pollogut ndaj kësaj ndërmarrje.