Deri më tani në KSHZ janë paraqitur 16 ankesa në lidhje me votimin në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka marrë gjithsej 16 ankesa deri në mëngjesin e sotëm në lidhje me procedurën për përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, të mbajtura më 2 nëntor, transmeton Portalb.mk.
Një ankesë në KSHZ është paraqitur nga Haqim Ramadani nga VLEN, i cili humbi garën për kryetar komune në Bërvenicë ndaj kandidatit të VMRO-DPMNE-së Jovica Ilievski me 150 vota. Ankesa ka të bëjë me procedurën për përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve në qendrat e votimit 2034, 2033, 2032, 2035, 2034, 2033, 2032, 2035 në Brvenicë.
Një ankesë për përmbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve për dy qendra votimi (2631 dhe 2613) në Komunën e Karposhit është paraqitur edhe nga koalicioni “Përvoja për sukses”, kandidati i të cilit Stevço Jakimovski humbi në raundin e dytë ndaj kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Sotir Lukrovski, me 1,134 vota.
Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE paraqiti dhjetë ankesa për qendrat e votimit në Shuto Orizare (2956, 2971/1, 2973, 2959/1, 2955, 2956/1, 2959, 2961/1, 2961, 2971), ndërsa ankesa për qendrat e votimit 2966, 2962 dhe 2961 në këtë komunë u paraqitën edhe nga Unioni i Romëve. Në Shuto Orizare, Kurto Dudush nga Unioni i Romëve fitoi me 3,894 vota kundër kandidatit të VMRO-DPMNE-së Erxhan Demir, i cili mori 3,406 vota.
Afati për paraqitjen e ankesave përfundon sot në orën 16:30, 48 orë pas shpalljes së rezultateve fillestare, ndërsa seanca për të vendosur për ankesat ka shumë të ngjarë të mbahet nesër.
Më 2 nëntor u zhvillua rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, ndërsa më 19 tetor u zhvillua rrethi i parë. Votimi në të dy raundet kaloi pa ndonjë incident serioz.