Pendarovski në Samitin e Kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të EJL-së: Të kemi përfitime të prekshme para anëtarësimit në BE
Presidenti Stevo Pendarovski sot në Podgoricë të Malit të Zi iu drejtua Samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL). Presidenti Pendarovski në fjalimin e tij falënderoi Malin e Zi për përpjekjet e bëra në vitin e kaluar gjatë kryesimit të PBEJL-së dhe shpalli prioritetet e kryesimit të Maqedonisë me këtë iniciativë. Presidenti theksoi se si kryetar do të udhëhiqemi nga parimet e përcaktuara në dokumentet themeluese të vitit 1996, përkatësisht marrëdhëniet e mira fqinjësore, stabiliteti, siguria, bashkëpunimi në EJL dhe integrimi në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira dhe demokratike., transmeton Portalb.mk.
Ai vuri në dukje se këto parime janë po aq të rëndësishme sot sa ishin dy dekada më parë dhe kujtoi se që atëherë është bërë përparim i rëndësishëm në aspektin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, siç dëshmohet nga zbatimi i Strategjisë EJL 2030 dhe krijimi i Tregu të përbashkët rajonal.
Në fjalën e tij, presidenti Pendarovski prezantoi parullën “Kalimi i ndarjeve, ndërtimi i besimit” si temë kryesore e presidencës së Maqedonisë, me fokus të veçantë në pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimeve euroatlantike.
Presidenti Pendarovski, duke vënë në dukje tensionet etnike në rajon, të cilat shfrytëzohen lehtësisht nga aktorët e jashtëm, si dhe rënien e euro-entuziazmit, tha se është thelbësore të bëhen të gjitha përpjekjet për t’iu kundërvënë këtyre tendencave përmes dialogut dhe kërkimit të zgjidhjeve të pranueshme reciprokisht me mirëkuptim dhe respekt për njëri-tjetrin.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut po ndjek me përkushtim këtë rrugë, siç tregohet nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit, Marrëveshja e Prespës, Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë me Republikën e Bullgarisë dhe miratimi i kornizës negociuese të BE-së korrikun e kaluar, e cila na lejoi të hapim negociatat për anëtarësim.
Gjithashtu, duke folur në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës, ai theksoi urgjencën e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe shprehu pritjen e mbështetjes nga vendet anëtare të BE-së për të siguruar përfitime të prekshme, duke përfshirë aksesin në fondet e BE-së në zonat përkatëse gjatë gjithë procesit, duke mos pritur përfundimin e tij.
Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski shprehu kënaqësinë me njoftimin e fundit të Presidentit të Komisionit Evropian për Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili tha se është plotësisht në përputhje me kërkesën tonë për të marrë një avantazh të caktuar nga anëtarësimi në BE, para formalizimit të anëtarësimin.
Presidenti theksoi se përmirësimi i sigurisë energjetike në Evropën Juglindore, ndërtimi i korridoreve të transportit trans-evropian dhe promovimi i shkëmbimeve kulturore do të renditeshin gjithashtu lart në listën tonë të prioriteteve, për të cilat ai shprehu besimin se do t’i shërbejë përpjekjeve më të gjera të platformës sonë dhe do të mbështesë prosperitetin e të gjithë rajonit.
Presidenti Pendarovski me fillim nga ora 13:00 do të mbajë konferencë të përbashkët për media me presidentin malazez Jakov Milatoviq, në cilësinë e presidentëve të shteteve që janë presidentët aktualë dhe të ardhshëm të PBEJL.
Në këtë Samit, Pendaroski i bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për përshpejtimin e perspektivës evropiane të rajonit, garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Presidenca e Republikës së Maqedonisë së Veriut me Procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore fillon më 1 korrik 2023.