Bukuroca: Burrat me komplekse kanë shumë frikë nga gratë e dijshme

Lis Bukuroca është i lindur më 05.01.1960 në Bukurocën e Malit, malësi e Preshevës. Kur ishte katërvjeçar prindërit shpërngulen në Kumanovë, ku ka mbaruar shkollën fillore dhe gjimnazin. Në Prishtinë studioi Gjuhën dhe Letërsinë Frënge. Është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge. Ka punuar në Kumanovë gjysmë viti shkollor vitin 83 dhe një vit shkollor në Miratoc. Në vitin 1988 duhej të shkonte për specializim, për magjistraturë në Spanjë, por pas një qëndrimi disajavor në Gjermani, nuk mundi të kthehej më sepse e kërkonte polica serbe. Natyrisht, e ndërsyer nga shqiptari apo shqiptarja e Preshevës. Qysh atëherë jeton dhe punon në Gjermani. Ka punuar si pjatalarës, kuzhinier, kamerier, pronar restoranti, por kryesisht si përkthyes për gjashtë gjuhë. Nga viti 2015 e këtej punon si pedagog i bashkisë në departamentin për integrim. Flet me një entuziazëm, “kamxhik” burrave, e mall të pashoq për vendlindjen, këtu në Portalb.mk.

Cili është kuptimi i jetës sipas jush?

Lis Bukuroca: Nuk di saktësisht a ka një kuptim, mendoj se jo, por e di se kuptimi duhet t’i dhurohet, domosdoshmërisht. Përndryshe ngelemi të pandryshueshëm si kafsha. Jeta është një sfidë para së gjithash. Ajo nuk është as vullnet vetjak për lindje, as vendim vetjak për vdekje, në shumicën e rasteve. Është një urdhër definitiv i ekzistencës. Pra, njeriu detyrohet të lindet pa dëshirë, dhe detyrohet të vdesë pa dëshirën e tij, si edhe çdo gjallesë tjetër. Jeta fiton kuptimin kur kuptohet ekzistenca dhe kur përmirësohet nga brezi në brez, kur lihen gjurmë, nëse jo për shumë veta, atëherë së paku për familjen. Sepse ka jetë dhe ka gjallim. Shumica, për fat të keq, gjallojnë dhe nuk jetojnë. Për t’i dhënë kuptim jetës, duhet dije. Pra, për ta jetuar jetën me lumturi duhet edhe dije, shumë dije, për të gjalluar, jo, aspak! Pa dije jetohet si kafshë, për shembull, në përpjekje për të mbijetuar. Aftësinë e mbijetesës dhe shumimit e kanë të gjitha gjallesat, por jo të mësuarit, jo përparimin. Për të mbijetuar, nuk duhet mësim, aspak, apo fare pak. Truri i kafshëve nuk mund të bëjë më tepër. Kafsha lind pa aftësi dhe mundësi për të ndryshuar veten. Kështu, jeta na rezulton aty vetëm si urdhër absolut për vazhdimësi, për mbijetesë. Për të shërbyer si ushqim. Mospërparimi i humb kuptimin e jetës dhe e kthen, redukton njeriun në kafshë duke ia anuluar aftësitë e trurit, që ia ka dhuruar natyra. Mospërdorimin e trurit e ka predikuar me shekuj religjioni, prandaj kudo pat ndaluar arsimin.

Kuptimi i jetës nis me zgjedhjen e profesionit që dëshiron ta ushtrojë njeriu dhe djalin apo vajzën që e dashuron, apo asnjërën, e as tjetrin. Nëse nuk do. Nëse me profesionin nuk jemi të lumtur, nuk do të kemi dëshirë të shkojmë në punë, nëse nuk e kemi zgjedhur vetë të dashurin, apo të dashurën, nuk do të kemi dëshirë të kthehemi në shtëpi. Nëse njëra mungon, gjysma e jetës është e dëmtuar; nëse të dyja mungojnë, atëherë e tërë jeta dëmtohet dhe bëhet vetëm një përpjekje për të mbijetuar, si te kafshët në mal. Pasojnë sëmundjet, disa prej tyre. Kështu, jeta shfaqet si një detyrë e rëndë, jo si një mundësi e madhe, siç do të duhej të ishte. Si shans i mrekullueshëm, jo si obligim i tmerrshëm. Mirëpo, nuk duhet harruar se ka edhe përjashtime. Ka njerëz aseksualë që nuk dëshirojnë as seks, as dashuri dhe as të bashkëjetojnë me dikë. Bota përparon duke pranuar individualitetet e njerëzve si origjinale dhe unike. Pengimi, përjashtimi dhe stigmatizimi i tyre është qëndrim ekstremist dhe nuk është problem i atyre që ndihen ashtu, por probleme kanë njerëzit me komplekse, që nuk mund ta pranojnë botën ashtu si është.

Foto nga arkivi personal i shkrimtarit
Foto nga arkivi personal i shkrimtarit

Si fillon dita atje ku zgjoheni? 

Lis Bukuroca: Ujitja e luleve në ballkon, pastrimi, kafe për mua dhe bashkëshorten. E bëj gati gjithmonë unë sepse ngrihem më herët. Ndihmohemi pa shikuar se kush bën çfarë. Jemi një çift, jo një sistem hierarkik ku njëri qëndron mbi tjetrin. Në orën shtat nisemi për në punë. Asgjë më shumë. Nga semafori në semafor deri te vendet e punës…

Po rruga nga vendlindja si duket në imagjinatë? 

Lis Bukuroca: Shpirtërisht nuk jam ndarë kurrë, por jetoj dhe bashkëjetoj me fitoret dhe dështimet e atjeshme. Shpirtërisht jam gjithmonë aty. Dhe, edhe pse jetoj në Gjermani për më shumë se tri dekada, nuk ndihem këtu ku jam duke iu përgjigjur pyetjeve tua tani, por atje. Me krenaritë, dëshpërimet dhe zhgënjimet. Kur më pyesin kur do të shkojë atje, them me vete, unë jam aty tërë kohën dhe do të kisha dëshirë të shkoja në Gjermani për pak pushime. Për t’i vizituar disa vende të rëndësishme…

Dikur ëndërroja që të ktheheshim të gjithë. Ishim idealistë. Derisa politikanët na bënë të qartë se ata nuk kishim dashur shtet për popullin, por për ta vjedhur vetë. Në vitin 2000 kam kërkuar punë dhe kam dashur të kthehem. Nuk gjeta. Jo se nuk u kthyem ne që ishim dëbuar nga Serbia, por po ikin edhe sot. Përveç gjenocidit dhe zezonës kolektive, kjo republikë e Kosovës na kushtoi edhe rreth një milion njerëz të humbur përgjithmonë në mërgim. Në brezin e katërt, do të jemi të gjithë të asimiluar. Kështu thonë sociologët.

Njerëzit nuk braktisin vendet e tyre vetëm për mungesë të punës, por edhe për mungesën e shtetit ligjor. Mungesa e tij shkakton rënien e sigurisë kolektive dhe lumturia i rezervohet një elite hajdutësh: një aristokracie të rreme dhe të arsimuar keq, përgjysmë ose fare. Aq sa Serbia ka ndikuar në dëbimin tonë, aq ka ndikuar edhe idiokracia shqiptare duke penguar kthimin tonë dhe duke motivuar dhe ndikuar në vazhdimin e imigrimit.

Pse u drejtoheni me dy libra burrave? 

Lis Bukuroca: Sepse burrat janë prishur me një edukatë mashkullore. Edukatë vetëm për djemtë. Bijat edukoheshin për të mësuar nënshtrimin dhe shërbimin, ne djemtë për të nënshtruar pa ndier dhembje. Ne nuk mësoheshim t’i nderojmë gratë, por t’i përbuznim, jo t’u pranojmë lirinë dhe dinjitetin, por t’i posedojmë, jo t’i dashurojmë, por t’i rrëmbejmë, jo t’i duam, por t’i kidnapojmë fizikisht dhe shpirtërisht. Pastaj ata burra nuk krijonin familje, por kazerma ose qelia burgu. Ata, siç ishin të prishur vetë, diskriminonin dhe dhunonin ata që duhej t’i donin dhe në këtë mënyrë, nuk bënim ndonjë dallim në vrazhdësi nga sjelljet e policëve të Millosheviqit.

Po pse burrave? Për t’i parë veprat e veta, për t’i zgjuar, për të kërkuar ndryshimin! Janë dy pasqyra ku duhet ta shohim vetveten dhe pasojat. Para dhe prapa. Defektet e veta të djeshme dhe ato që do t’i shkaktojnë nëse nuk ndryshojnë. Sepse në rrethin ku jam rritur unë, burrat ishin rrënuesit kryesorë të lumturisë. Sepse ata nuk e lejonin. E ndalonin! Sepse dominimin dhe nënshtrimin i konsideronin moral dhe edukatë. Edhe pse nuk kishin lexuar kurrë një libër mbi edukatën, madje as shumica e arsimtarëve.

Sepse në shoqëritë patriarkale, burrat nuk dëmtojnë vetëm familjen, por edhe kombin. Ata shkatërrojnë lirinë e dashurisë dhe e imponojnë seksin; seksin pa dashuri, duke i ndaluar parathënien, anën shpirtërore. Duke i ndaluar hyrjen dhe argëtimin paramartesor, anën njerëzore. Duke imponuar me dhunë shtratin, si në stallë, anën shtazore. Kështu, fëmijët traumatizoheshin në ambiente të tilla dhe burrat shëtitshin si qentë endacakë pa gratë e tyre dhe pa fëmijët. Shpesh burrat, pas martesës, fitojnë apo fitonin edhe më shumë liri, ndërsa gratë e humbin krejt. Edhe sot, shihen natën vonë nëpër kafene burrat që argëtohen vetëm me burra dhe pa gratë e tyre. Thua se janë në pubertet, të lirë dhe të pamartuar!!! Apo thua se dashurojnë vetëm burra!

Nëse hedhim një vështrim prapa, nuk do të diktohet asnjë grua intelektuale. Jo pse gratë e kishin zgjedhur injorancën, por pse injoranca e grave u ofronte burrave një siguri, një garanci, dhe ajo injorancë e imponuar me dhunë ishte një lloj terapie për komplekset e tyre të vogëlsisë. Ose për shkak të çrregullimeve të personalitetit që ishin rezultat i çedukatës së tyre. Burrat me komplekse kanë shumë frikë nga gratë e dijshme: prej tyre trishtohen më shumë se nga djalli.

Gjyshja ime nuk ishte analfabet me dëshirën e saj, por pse ia kishin imponuar analfabetizmin burrat. Nëna ime nuk qe larguar vullnetarisht nga shkolla, por në moshën dhjetëvjeçare e kanë hequr me dhunë burrat. Për ta shpëtuar nga “prishja”, domethënë nga dija dhe vetëdija. Të mos bëhej “shkinë!” Thua se “shkinat” nuk i kishte krijuar zoti, por dreqi. Injoranca iu imponua edhe motrave të mia si një urdhër kategorik. Ne besonim se po i mbronim nga “prishja”, por në të vërtetë, po e shkatërronim lumturinë e familjes, po i prishnim djemtë dhe këtë prishje, e quanim moral. Kështu, neve si fëmijë nuk na lejohej të kishim nënë të dijshme, por edhe nuk na mësohej nderimi i grave, sepse konsideroheshin njerëz me më pak aftësi dhe me më pak dinjitet e integritet. Nuk mësuam empati për gratë dhe bijat, por vetëm përdorimin, nënshtrimin dhe dominimin, dhe ato vepra barbare, i quanim akte burrërie.

Foto nga arkivi personal i shkrimtarit
Foto nga arkivi personal i shkrimtarit

Ai nuk duhej të trajtojë me dashuri, sepse zhburrnohej, por duhej të dominonte më të dobëtit se vetvetja, njerëzit që duhej t’i donte dhe të kështu do të burrnohej! Madje edhe gratë e mira nuk i quanim zonja të mëdha, por burrnesha, sepse ne adhuronim vetëm burra dhe për ne vetëm burri mund të ishte i fisnik. Një popull që shtyp gratë e veta lufton kundër përparimit dhe lumturisë së vet. Dy librat nuk janë mjaftueshëm për të përshkruar tragjeditë që kemi shkaktuar ne burrat. Çdo grua shqiptare është një libër në vetvete, apo edhe një kollanë. Në rrudhat e ballit të çdo gruaje shqiptare kam lexuar librin e jetës së saj: një libër dramatik, teatral, i mbushur me dhembje dhe trishtim. Edhe atë qysh nga dita e lindjes, pastaj nga nata e parë e martesës, kur ajo dërgohej nga prindërit për t’u dhunuar seksualisht nga një njeri i panjohur!!! Vajza e re nuk mbrohej as nga burri dhe as nga prindërit. Madje, në rast të ndarjes, i merreshin edhe fëmijët. Në ato dy libra gjenden ngjarje të jetës, por për dëmin e shkaktuar, për dëmin kolektiv, nuk do të mjaftonte një bibliotekë e tërë. Por, pse u drejtohem burrave? Sepse librat synojnë emancipimin e burrit, sepse gratë tashmë janë të emancipuara. Burrat kanë mbetur së paku disa breza pas tyre. Si gjela mbi pleh, akoma përpiqen ta përligjin degradimin dhe diskriminimin. Pa burrin e emancipuar, nuk mund të kemi një shoqëri të lumtur. Pse burrave? Për t’u rikthyer lirinë e humbur. Ata nuk kanë besim në vetveten dhe i imagjinojnë gratë si të lehta, si të përdala, si të gatshme për tradhti. Edhe pse shumica e grave nuk janë të përdala, por e përdalë është fantazia e burrit. Ai i tutet imagjinatës së vet, jo veprave të grave, sepse nënën e vet e konsideron të shenjët, por jo nënën e fëmijëve të vet! Ky është qëndrim skizofrenik dhe patologjik. Amoralitetin e imagjinon, e beson për të përligjur kontrollin dhe nënshtrimin e grave dhe bijave. Pse burrave? Për t’u çliruar nga komplekset, nga prishja dhe nga primitivizmi. Për ta demotivuar abuzimin e familjes së vet. Ata janë prishur aq shumë, sa besojnë se nënshtrimi i grave, bijave dhe fëmijëve është një edukatë fisnike. Pse burrave? Sepse u kanë ndaluar grave të tyre, bijave të tyre, motrave të tyre dhe fëmijëve të tyre përdorimin e trurit, ose më saktë, u është lejuar të përdornin trurin vetëm për memorizimin e urdhrave të tyre, por jo ta përdornin për të kuptuar botën dhe jetën. Mu si religjioni. Sipas tyre trurin duhet ta përdorin vetëm për të mbajtur mend urdhrat dhe dëshirat e tyre. Domethënë, ta përdornin trurin për të mbijetuar, siç e bëjnë kafshët apo insektet. Në Gjermani punojnë rreth 19 milionë gra. Pa to, ekonomia gjermane do të fundosej. Ja çfarë do të thotë emancipimi i burrit. Ai mundëson përparimin dhe lumturinë kolektive. Kur isha unë fëmijë dhe kur burrat kishin fjalën kryesore, nuk martoheshin dy veta, por martoheshin dy familje në mes vete. Nuk kishte gati as shkurorëzim. Dhe, ata të rinj, nuk kishin guxim as të ankohen, por të bënin seks dhe të sillnin fëmijë në botë. Pse? Sepse burrat emocionin më fisnik të njeriut, dashurinë, e quanin kurvëri!!!

Foto nga arkivi personal i shkrimtarit
Foto nga arkivi personal i shkrimtarit

Pse duhet të ndryshojnë burrat? 

Lis Bukuroca: Sepse kanë shkaktuar dhe shkaktojnë shumë vuajtje. Sepse derrat shtypin në shtëpi. Sepse bishat vrasin të dashurën e vet në shtëpi. Sepse shtazët diskriminojnë në familje e vet, në shtëpi. Sepse bërtasin e lehin si qentë në shtëpi. Sepse si asnjë kafshë tjetër, burri kryen vepra penal në shtëpi. Në familje. Ai rrah, dhunon, poshtëron, diskriminon, privon lirinë, shtyp dhe nënshtron. Të gjitha këto janë vepra të ndaluara dhe të dënueshme. Ata duhet të emancipohen njerëzisht dhe politikisht dhe ta kuptojnë se ligjet në Kuvend nuk aprovohen për të vdekurit, por për të gjallët. Edhe pse kjo është përcaktuar në Kushtetutë, ata shpesh nuk respektojnë dinjitetin e grave, bijave dhe motrave, por vetëm të burrave, veçanërisht të atyre që ua kanë frikën.  Pse duhet të ndryshojnë burrat? Sepse edhe sot nuk guxojnë të jetojnë sipas dëshirave të tyre, por i binden pritshmërive të prindërve dhe shoqërisë. Sepse kundërshtojnë përparimin. Sepse duhet t’i rikthejmë lumturinë familjes. Sepse pengojnë drejtësinë në familje dhe e kundërshtojnë atë. Sepse nëse ne shtypim më të dobëtit, gratë dhe fëmijët, pse ne jemi më të fortë, atëherë fëmijët mësojnë të na shtypin edhe neve kur ata të jenë më të fortë se ne. Ndoshta ata nuk do të na godasin siç kemi bërë ne me ta ose nënat e tyre, por ata do të na injorojnë tërësisht,  thua se nuk ekzistonjmë fare. Kjo do të shkaktojë të njëjtën dhembje si rrahja jonë nënave të tyre.

Duhet të ndryshojmë sepse kemi kuptuar se jemi edukuar keq, ose më saktë, kemi qenë të dresuar keq. Jemi prishur. Palumturia e prindërve na detyron të gjejmë kuptimin e jetës. Kemi kuptuar se jemi prishur dhe duhet të përmirësohemi. Nuk është e drejtë që të na dojë askush nga frika, por duhet të na dojë nga dashuria. Dashuri nuk është kur njeriu varet nga ne, por sepse ka emocione ndaj nesh. Shumica e grave të dikurshme shqiptare kanë jetuar jetën pa e përjetuar dashurinë dhe e kanë jetuar si detyrim sepse ishin viktima të varësisë së tyre nga burri. Shumica prej tyre ishin në njëfarë mënyre të rrëmbyera dhe shumica prej tyre nuk i dashuronin burrat e vet. Kam biseduar me dhjetëra gra në këtë drejtim. Asnjë ndjenjë, asnjë emocion, pa kokërr dashurie, por vetëm bashkëjetesë me “çyçanin” si e detyruar sepse i mungonte mundësia për mbijetesë. Dhe, “çyçanin” duhej ta shërbente tërë jetën si foshnjën! Deri në vdekje! Pastaj ai “çyçan” akuzonte gruan se ia mori fëmijët. Edhe pse ai me dhunë i kishte syrgjynosur tek nëna! E pra, pse duhet të ndryshojnë burrat? Duhen të kenë ëndrra për t’i realizuar, për të bërë familjen të lumtur, jo të ëndërrojnë për të humbur realitetin. Duhen të kuptojnë botën dhe jetën ashtu siç na shfaqen, jo siç besojmë ne se duhet të jenë. Pa dashuri dhe pa barazi nuk ka drejtësi, dhe kur nuk ka drejtësi, nuk ka as lumturi, as familje! Pse duhet të ndryshojnë? Shikoni sa agresivë janë nëpër debate publike dhe merre me mend si sillen ata në shtëpi. Shikoni si përdorin dhunën verbale nëpër debate dhe nuk turpërohen. Mendimin ndryshe e përjetojnë si kërcënim. Ata janë dëmtuar dhe abuzuar në shtëpi, ata janë viktima të viktimave që në aspektin psikologjik ekzekutojnë individualitet dhe prodhojnë kopje te veta, të prishura dhe i konsiderojnë jo të mirë ata që duan t’i realizojnë ëndrrat e veta, pa ditur dhe kuptuar se vetë janë të prishur deri në palcë. Dhe, mburren pse janë dëmtuar me dhunë, jo pse janë përmirësuar. Përmirësimi kërkon dije, mësim, përkushtim, prishja nuk kërkon asgjë, pos mbetjes në një vend si teneqe e ndryshkët. Ata janë dëmtuar aq shumë, sa edhe dhunën e ushtruar ndaj tyre, e konsiderojnë edukatë. E pra, pse duhet të ndryshojnë burrat? Sepse burri i fortë nuk rrah pjesëtarët e familjes, vetëm pse i ka zënë ngushtë. Burri i dijshëm nuk diskriminon. Burri i urtë nuk dëmton lumturinë e familjes. Burri fal gabime, sepse ai e di se nga gabimet mësohet. Burri i mirë luan rolin e tij si burrë i mirë, si prind i mirë, si vëlla, si koleg etj. por nuk përvetëson dy role sociale që nuk i ka dhe që nuk duhet KURRË t’i ketë: prokuror dhe gjykatës. Një studim kanadez dokumentonte se rrahja dëmton inteligjencën te fëmijët. Burri nuk duhet të ushtrojë as dhunë verbale, as fizike, as të arsyetojë ato. Ai e di se dashuria dhe durimi janë virtyte të njeriut me vetëdije të lartë. Dhe ai nuk ndërhyn kurrë në dashurinë e dikujt, por i gëzohet asaj sepse është dashuri. Çdo dashuri është dhuratë, por edhe çdo fund dashurie, sepse ofron mundësi për një dashuri të re. Sepse nëse mungon dashuria, është më mirë të ndahemi dhe të ruajmë kujtimet e mira si miq, sesa të jemi armiq në një shtrat. Jo me “çyçanin”!

Foto nga arkivi personal i shkrimtarit
Foto nga arkivi personal i shkrimtarit

Ç’e fisnikëron më shumë një burrë? 

Lis Bukuroca: Burrin e fisnikëron durimi, vetëpërmbajtja, mirënjohja, falënderimi, falja, sjellja e butë, zëri i qetë, eleganca në fjalor, mosbërtitja, mossharja, moskërcënimi. Burrin e bën burrë guximi për të pasur frikë nga brerja e ndërgjegjes, guximi për ta shprehur dashurinë hapur, guximi për të luftuar për të, guximi për të puthur kur i pëlqen puthja, jo kur e lejon turma, guximi për të mos iu përgjigjur “ndërsimit”, ofendimit, dhunës me dhunë, sepse nëse e bën, ka autorizuar të tjerët për t’ia hequr plotfuqishmërinë dhe autonominë vetjake. Burrin e fisnikëron dëgjimi i pashqetësuar i një njeriu, që ushtron dhunë verbale dhe mosrënia në gjendjen e tij. Domethënë, të mos lejojë telekomandimin nga jashtë: kur e nevrikos dikush, të mos përgjigjet me nervozë, por ta shpërfillë, sepse burri i vërtetë nuk bie në gropë nga e provokon një i edukuar keq. Ai nuk autorizon ndonjë tjetër për ta drejtuar dhe manipuluar si qenin. Ai vendos sepse ka autonomi vetjake, ai vendos për veprimet e veta dhe nuk mund të provokohet nga jashtë, sepse ka dinjitet dhe integritet. Sepse nuk është qen, sepse posedon inteligjencë emocionale. Me pak fjalë: burri i mirë nuk përdor inteligjencën e vet as kundër vetvetes, as kundër bashkëshortes, as kundër fëmijëve të vet. E as nuk investon jetën e vet për ta dëmtuar të pjesëtarëve të familjes. Ai e fiton dashurinë e fëmijëve vetëm nëse e trajton me dashuri nënën e fëmijëve të vet, përndryshe kurrë!

Cili është krijimi juaji i fundit? 

Lis Bukuroca: Krijimi fundit është libri me poezi kushtuar bashkëshortes: “Shatë parimet e dashurisë.” Nga viti 2000 shkruaj vazhdimin e dytë të romanit “Ngjyrat e dashurisë”, një libër me poezi “Kush ia ndaloi zotit pendimin?” por kam edhe një libër me tregime, që i kam shkruar në vitet e 90…

Ç’thonë lexuesit? Cili koment ju ka bërë të mendoni gjatë? 

Lis Bukuroca: Komenti i Lizës, i kryepersonazhit të romanit “Ngjyrat e dashurisë”. Për “Letër burrave” ka shumë rrëfime trishtuese që më dërgohen privatisht, që konfirmojnë ose kundërshtojnë ndonjë ngjarje, mospajtimet vijnë sidomos nga burrat. Në fakt, çdo mendim më bën të mendoj. Ndonjëherë shoh edhe një perspektivë që unë vetë nuk e kisha pasur në mendje. Secili libër ka lexuesit e vet, dhe, për fat të keq, shumë mendime më dërgohen privatisht, të cilat nuk i publikoj kur lexuesi vetë nuk e bën. Dua të ruaj atë privatësi, sepse më shkruajnë për librat duke i ilustruar me përjetimet e veta… Falënderime ka shumë për librin “Kuptimi i jetës”, por edhe për “Letër burrave I dhe II”… I falënderoj për blerjet. I shoh nga cili vend i porosisin, por nuk di kush janë. Mendimet e tyre më kanë ndihmuar të vazhdoj dhe të besoj se jam duke bërë mirë…

Leu Trumcaku personazhi juaj, ku zë fill?

Lis Bukuroca: Leu Trumcaku zë fill në realitetin zhgënjyes. Ai është një iluminist seksual, i cili ka si detyrë të lumturojë gratë që shpesh janë shpërfillur, shtypur ose keqtrajtuar nga burrat. Ai përpiqet të zgjojë burrat nga kllapia, nga halucinacionet dhe ushtron kujdestari seksuale. Ai ndjek Kanunin, Kodin Erotik dhe e respekton atë me përpikëri. Ai shfaqet aty ku mungon një burrë i mirë. Ai jep një kontribut social dhe shpërndan lumturi. Seksin e dhuron dhe e përjeton si detyrë, si empati dhe si altruizëm…

Cilat janë kritikat më të mëdha drejtuar shqiptarëve?

Lis Bukuroca: Mungesa e individualizmit. Mungesa e autonomistë vetjake. Për shembull, një gazetar 45-vjeçar thoshte me krenari se nuk e kundërshton mendimin e babait, edhe kur ai e ka gabim. Ai qëndrim tregon për mungesën e personalitetit të zhvilluar dhe paaftësinë për të formuar një identitet vetjak. Domethënë mbetjen e tij në moshë të mitur. Ai qëndrim flet për pasojat e prindit dhe zhdukjen e një individualiteti. Por, edhe ia ka mësuar gënjeshtrën, shtirjen, si moral, edhe dyfytyrësinë. Cilat janë kritikat më të mëdha? Mungesa e guximit për t’u veçuar, për të jetuar si i pëlqen jeta dhe të jetuarit si e pret turma. Mungesa e guximit edhe te intelektualët për të qenë shëmbëlltyrë dhe shkrirja e tyre në masë. Kur shihen në debate, shihet se e flasin gjuhën e ‘nonave’ thua se nuk kanë qenë asnjë ditë në shkollë. Ditëve të fundit pashë dy intervista me dy profesorë fakulteti të Prishtinës, që nuk dinin t’i ndërtonin fjalitë në gjuhën shqipe. Si mund njeriu të mbarojë një fakultet dhe të mos e zotërojë gjuhën e vet, nuk e di. Si e ka kaluar vitin shkollor, nuk e di, por e di, se ata mediokritete, mburren me zotërimin e gjuhëve të huaja, jo të një dialekti të anglishtes apo frëngjishtes. Nëse mendimet e tyre do të përktheheshin në dialekt të gjermanishtes apo frëngjishtes, do të tmerroheshin intelektualët. Do ta konsideron rrugaç, sepse intelektuali nuk flet si i paarsimuari.

Cilat janë kritikat më të mëdha? Mungesa e sinqeritetit; kërkimi i fajit jashtë dhe gjetja e tij vazhdimisht jashtë; mungesa e objektivitetit, krenaria me vepra të huaja, jo me të vetat. Kultivimi i viktimizimit dhe pritja që telashet t’ia zgjidhë dikush tjetër: pafuqi e mësuar quhet kjo në psikologji. Nuk mjafton të kuptohet padrejtësia, por të luftohet ajo. Te ne flasin shumë për të ligat, por nuk revoltohen kundër tyre. Kështu i humbet kuptimi jetës dhe presin si viktimë me aftësi të kufizuar.

Si dukemi ne në sytë e të huajve? 

Lis Bukuroca: Për Shqipërinë po përmirësohet imazhi vazhdimisht, kurse për neve jashtë kufirit ka pësuar rënie të vazhdueshme. Shkurt, Shqipëria përkapet gjithnjë e më shumë si vend perëndimor, Kosova gjithnjë e më shumë si vend lindor… Sidoqoftë kudo ka racizëm dhe paragjykime, por ato është vështirë të luftohen sepse duhet luftuar pikësëpari injoranca. Racizmi dhe paragjykimet janë pasojë e arsimimit të dobët. Pastaj çdo shqiptar ku vepron rrezaton ndikimin e vet. Çdonjëri prej nesh është një ambasador në rrethin e tij. Aty krijohen bindjet.

Sidoqoftë ne jemi më të mirë se shumë kombe më të mëdha se ne. Ka shumë shqiptarë punëtorë dhe intelektual që bëjnë punë të ndryshme dhe njihen si të zellshëm dhe të integruar mirë. Natyrisht se ka krime nga shqiptarë, që bëhen publike nëpër revista e gazeta, por sa herë më janë përmendur ato me qëllim denigrimi, ua kam thënë këtë:

“Megjithatë jemi më të mirë se ju: ju keni të drejtë kur shpreheni të pezmatuar për një kriminel shqiptar, por shteti jonë nuk ka dërguar kurrë kriminel të armatosur për të vrarë njerëz në shtëpi të veta si: Rusia sot, Serbia, Gjermania dje, Franca, Kalifati Osman, Mbretëria e Bashkuar, Italia etj. Ne thjeshtë aty-këtu kemi ndonjë kriminel apo hajdut, por nëse futet njeriu në muzeun e Parisit, Londrës, Berlinit, Madridit, Romës, Beogradit, Moskës etj. do të gjejë mijëra artefakte që Franca, Anglia, Gjermania, Spanja, Serbia, Italia e Rusia, i kanë vjedhur në mënyrë të organizuar, që ishte rezultat i kriminalitetit të organizuar. Nuk besoj se ju i konsideroni krime të mira vrasjet e njerëzve më të dobët në shtëpitë e veta, por të ligë këtë vrasje që paska kryer një shqiptar… “

Zakonisht aty përfundon debati. Ne jemi një komb i madh, kemi shpëtuar hebrenj, kur të tjerët i kanë shfarosur!

Foto kopertine nga arkivi personal i shkrimtarit

Ç’ka mbetur nga kujtimet e Naser Aliut?

Lis Bukuroca: Shkolla, gjimnazi, fakulteti, lagjja në Kumanovë, të afërmit, shokët, jeta ime, por ai emër dhe mbiemër është fatkeqësi identiteti. Është atentat ndaj tij. Është një gabim teknik nëpër dokumente; është një imazh dhe tregues i stabilizimit të injorancës si projekt shekullor: një fushë reklame për një identitet të huaj. Një nderim dhe mirënjohje pushtuesit shekullor, me apo pa vetëdije. Një testament i pushtuesit të djeshëm si duhej të dukesha unë. Si të mburret ai me pasojat e veta. Një katastrofë, një gjenocid kulturor. Dhe, ai emër e mbiemër favorizon shumë diskriminimin në Perëndim.

Po Lis Bukuroca ç’ ka ndryshe nga Naser Aliu?

Lis Bukuroca: Lis Bukuroca është vetvetja. Është vetëdija dhe revolta, është refuzim i projektit, i dëshirës dhe rezultatit të pushtuesit të djeshëm. Është ndarje dhe shkëputje. Është kthimi në origjinë. Është liria për të qenë ai që ndihem unë, jo ai që dëshironte pushtimi. Refuzim për të mbetur vepër e shpërfytyruar e huaj. Për të mos shprehur falënderim me emër e mbiemër. Me praninë time në këtë botë. Lisi është mali ku jam lindur dhe Bukuroca e Malit, (e Keçe quhej dikur, sepse Bukuroca e Mirë është në fushë, quhej edhe e Fushës), është vendlindja. Lis Bukuroca është liria për të qenë vetvetja dhe i lumtur me vetveten. Lisi është mali, Bukuroca është atdheu. Malësia. Lis Bukuroca është çlirimi. Për t’u ribërë ashtu si e deshi natyra, siç e ka dashur universi, jo si e ka dëshiruar robëria shekullore. Shqiptar, si e ka dëshiruar zoti vetë apo jeta, port jo si e ka gdhendur pushtimi. Emri e mbiemri tregojnë dijen e prindërve. Së paku mbiemri do të duhej ta dëshmonte origjinën. Si kudo në Perëndim. Si kudo në botë.

Pas vdekjes sonë në mërgim, nipat e mbesat tona, me emra e mbiemra joshqiptarë, do t’i ndryshojnë për t’i ikur diskriminimit. Kështu do të zhduken gjurmët tona përgjithmonë. Në fund ju falënderohem përzemërsisht për këtë intervistë dhe për këto pyetje të thella, që më kanë shqetësuar dhe që më kanë shtyrë të mendojë shumë. Nëse përgjigjet janë të mira, atëherë janë thjeshtë përthyerje të atyre pyetjeve…