Deponia me mbetje ndërtimore nën stadiumin e vjetër të Tetovës do të pastrohet pas asfaltimit të rrugës, paralajmëruan nga Komuna

Në Tetovë në çdo cep të qytetit krijohen mini deponi nga qytetarë të pandërgjegjshëm. Një ndër to është edhe deponia me mbetje ndërtimore dhe jo vetëm e cila gjendet në hyrje të qytetit nga ana e stadiumit, pak më poshtë se stadiumi i vjetër i qytetit. Për këtë problem zgjidhje u kërkua edhe në këshillin komunal të Tetovës, ndërkaq nga Sektori për Veprimtari Komunale thanë se e njëjta do pastrohet pas asfaltimit të rrugës që kalon nën deponinë, e cila është në plan të bëhet këtë vit, shkruan Portalb.mk.

Sapo mbaron bulevardi “Bllagoja Toska” nga ana e Kazermës së qytetit deri te rrethrrotullimi ku rruga më tej është e paasfaltuar, mbi këtë rrugë, nën stadiumin e vjetër të qytetit gjendet një deponi e krijuar me mbetje ndërtimore dhe mbeturina të tjera, madje aty janë rritur edhe kullosat dhe disa mbetje kanë ngelur nën kullosa.

Këtë çështje në Këshillin Komunal e ngriti edhe këshilltari nga AlternativaFaton Selami i cili kërkoi që të pastrohet e njëjta.

“Kur do largohet kjo deponi me mbetjet inerte? Pasi që siç e dimë, nëse nuk gaboj vitin e kaluar në muajin mars, Inspektorati Komunal pati një prezantim ku në atë prezantim u premtua se do largohet ajo deponi, mirëpo deri sot nuk ka zhvillime aty dhe ende ekziston ajo deponi”, tha Selami.

Për këtë problem, nga Komuna e Tetovës, udhëheqësi i Sektorit për Veprimtari KomunaleMemet Jonuzi tha se vitin e kaluar është ndërhyrë në atë pjesë, ku ndërmarrjet që paraprakisht i kishin pasur të deponuara në atë pjesë mbetjet e tyre inerte që kanë punuar gjatë vitit 2021, ata i bartën pjesën që ishte e tyre. Megjithatë, aty prapë janë hedhur mbetje.

Jonuzi sqaroi se mbetjet inerte dhe mbeturinat do të pastrohen pasi të asfaltohet rruga e cila kalon afër Kazermës. Ai tha se kjo rrugë e cila është edhe pjesë e “Bllagoja Toskës” që kap gjatësinë prej 450 metrash është në përfundim të projektit, ai përmendi se me punë planifikohet të fillohet pas muajit korrik-gusht.

“Kur të vijë në radhë që të realizohet, mendojmë që me depërtimin e kësaj rruge do të na jepet mundësi”, tha Jonuzi.

Kur jemi te kjo rrugë, e njëjta është në gjendje të keqe të paasfaltuar dhe përbën problem për banorët tani e disa dekada. Ata në fund të vitit të kaluar protestuan që e njëjta të rregullohet. Ndërkaq nga komuna patën thënë se e njëjta është në plan për vitin 2023 për tu realizuar.