Vazhdon peshkimi ilegal në Liqenin e Ohrit edhe pse Ministria e Bujqësisë e dha liqenin me koncesion

Keqmenaxhimi institucional në fushën e peshkimit ka bërë që në Maqedoninë e Veriut të merr hov peshkimi ilegal dhe masakrimi i botës endemike nënujore. Kritika në këtë drejtim vendi mori edhe në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian. Disa muaj më parë Liqeni i Ohrit u dha me koncesion nga Ministria e Bujqësisë, edhe pse një hap i tillë është në kundërshtim me UNESCO-n. Ministri i Bujqësisë thotë se koncesioni do e shpëtojë liqenin nga peshkimi ilegal megjithatë në liqen vazhdon peshkimi ilegal, vetëm brenda 2 muajsh janë sekuestruar 126 rrjeta peshkimi ilegale, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse Maqedonia e Veriut nuk karakterizohet me një sipërfaqe të madhe ujore, peshkimi në liqenet dhe lumenjtë e vendit tonë është një fushë veprimi mjaftë me peshë. Përderisa ka një numër të madh qytetarësh që peshkimin e praktikojnë si sport rekreativ, i lartë është edhe numri i atyre që jetesën dhe ekzistencën familjare e sigurojnë falë peshkimit. Keq-menaxhimi në këtë fushëveprimi është në dëm të ekonomisë së vendit, por mbi të gjitha edhe në dëm të botës endemike ujore dhe natyrës në përgjithësi. Edhe përkundër kundërshtimeve të ekspertëve dhe ekologëve më 7 mars 2023, Ministria e Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut ka dhënë me koncesion për 6 vjet Liqenin e Ohrit, duke përcaktuar edhe kuota gjuetie nga 3.000 kg deri në 30.000 kg në vit për 6 speciet kryesore në liqen përfshirë koranin dhe belushkën, të cilat vlerësohen si lloje në rrezik.

Struga, Liqeni i Ohrit - Fotografuar nga Shefkije Alasani / Portalb.mk
Struga, Liqeni i Ohrit – Fotografuar nga Shefkije Alasani / Portalb.mk

Në një prononcim për Portalb.mk, studiuesi i zonave të mbrojtura Arian Meroli, shprehet se dhënia në koncesion e Liqenit është në kundërshtim me konstatimet e UNESCO-s dhe në dëm të disa specieve endemike. Meroli shprehet me keqardhje se nuk ka një proces gjithëpërfshirës ku pjesë të jenë shoqëria civile dhe ekspertet, kur bëhet fjalë përballimi i sfidave në Liqenin e Ohrit, një pasuri e madhe jo vetëm kombëtare por edhe globale.

“Misionet Monitoruese te UNESCO-s, (2017,2020) konstatuan gjatë vizitave në rajonin e liqenit të Ohrit, që ka një serë kërcënimesh serioze ndaj specieve endemike në liqen, rezultat  një sërë faktorësh si mbi peshkimi, përdorimi i mjeteve jo standarde nga peshkatarët, monitorimi jo i plote, kuadër ligjor të ndryshëm nga te dy shtetet lidhur me mënyrën e peshkimit, mungesë të ripopullimit permanent, mungesë të një database për të pasur të dhëna që do të ndihmonin në hartimin e Studimit mbi Rezervën peshkore, që kanë sjellë për pasojë peshkim të paqëndrueshëm. Plani Strategjik i Rivitalizimit ka propozuar aktivitetet që do të ndërmerren për zbatimin e këtyre Rekomandimeve, nën emërtimin: I. Qëllimi strategjik: Një sistem efektiv për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit. II. Krijimi i kushteve të favorshme për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, në faqen 40. Ndalim i plotë i kapjes së peshqve prioritare Korani dhe Belushka, derisa të krijohen popullata të qëndrueshme. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë ka dhënë me koncesion liqenin e Ohrit”, u shpreh Arian Meroli.

Gjatë muajit mars ministri i Bujqësisë Lupço Nikolloski, u shpreh për mediat se duke dhënë me koncesion Liqenin do t’i jepet fund peshkimit ilegal, fenomen ky që mori hov të madh nga viti 2020. Megjithatë, peshkimi ilegal vazhdon të lulëzojë në Liqenin e Ohrit edhe përkundër faktit se tashmë Liqeni ka koncesioner. Në periudhën prej dy muaj nga Liqeni i Ohrit janë sekuestruar 126 rrjeta peshkimi me 219 copë peshk, dy persona janë arrestuar dhe janë ngritur padi penale.

“Gjatë muajit maj dhe qershor 2023, Stacioni i Policisë për Mbikëqyrje Kufitare “Liqeni i Ohrit” në kuadër të Qendrës Rajonale për Punë Kufitare “Perëndim”, në mënyrë të pavarur, por edhe në bashkëpunim me SPB Ohër dhe inspektoratin për peshkim nga Inspektorati Shtetëror për Bujqësi, Pylltari dhe menaxhimin e ujit, në ujërat e liqenit të Ohrit dhe në tokë, kanë kryer rreth 100 kontrolle dhe masa patrulluese sipas Ligjit për Peshkimin dhe Akuakulturë, me qëllim të gjetjes së personave që kryejnë peshkim të paligjshëm. Duke vepruar kështu, oficerët e policisë në ujërat e liqenit gjetën dhe sekuestruan 126 rrjeta peshkimi me gjatësi 2800 metra, me 219 copë peshq të kapur në peshë totale 45 kilogramë, si dhe disa lloje mjetesh peshkimi e pajisje të ndryshme. Janë privuar nga liria dy persona nga Republika e Shqipërisë, të cilët kanë kaluar ilegalisht kufirin shtetëror me një skaf, si dhe një person që po peshkonte me fuzhnjë në ujërat e liqenit.
Janë ngritur dy padi penale për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror dhe peshkim ilegal në ujërat territoriale të RMV-së, si dhe kallëzime për kundërvajtje nga Ligji për peshkim dhe akuakulturë dhe një akuzë nga Ligji për lundrim në brendësi”, bënë të ditur nga Zyra për marrëdhënie me publikun, MPB Ohër.

Peshkimi si hobi në birgjet e liqenit, Struga- Fotografuar nga Shefkije Alasani / Portalb.mk
Peshkimi si hobi në birgjet e liqenit, Struga- Fotografuar nga Shefkije Alasani / Portalb.mk

BE me disa rekomandime për kuadrin ligjor të RMV-së në fushën e peshkimit

Përshtatja e kuadrit ligjor kombëtar me Politikën e Përbashkët të Peshkimit të BE-së, është një ndër kushtet që vendi jonë duhet të përmbush në rrugën drejt integrimit në familjen evropiane. Në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni Evropian u vlerësua se Maqedonia e Veriut nuk është duke ecur në ritmin e duhur për sa i përket kësaj fushe veprimi.

Vendi është mesatarisht i përgatitur në këtë fushë. Është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës raportuese dhe rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:

  • të harmonizojë ligjin për peshkimin me acquisin e BE-së në fushën e politikës së tregut, masave strukturore dhe ndihmës shtetërore;
  • të përmirësojë sistemin e mbledhjes së të dhënave dhe raportimit;
  • të vendosë program shumëvjeçar të masave strukturore.

Meqenëse Maqedonia e Veriut ka vetëm peshkim në liqene dhe akuakulturë, një pjesë e madhe e acquisin e BE-së për peshkimin nuk është i zbatueshëm. Kuadri ligjor kombëtar megjithatë nuk po ecën me ritmin me ndryshimet në politikën e përbashkët të peshkimit të BE-së.

Liqeni i Ohrit- Fotografuar nga Shefkije Alasani / Portalb.mk
Liqeni i Ohrit- Fotografuar nga Shefkije Alasani / Portalb.mk

Kapacitetet administrative për menaxhimin e burimeve dhe flotës, si dhe inspektimet dhe kontrollin e politikës së peshkimit mbeten të pamjaftueshme. Kapacitetet për të kontrolluar peshkimin e paligjshëm, të paraportuar dhe të parregulluar (IUU) në përputhje me kërkesat e BE-së duhet të përmirësohen. Nuk ka pasur përparim në përafrimin e politikës kombëtare dhe kornizës legjislative me acquisin e BE-së në periudhën raportuese. Maqedonia e Veriut ende duhet të forcojë formulimin, zbatimin dhe kapacitetet e saj të politikave. Koordinimi i përgjithshëm, duke përfshirë edhe me autoritetet mjedisore në lidhje me mbrojtjen e biodiversitetit duhet të forcohet.

Masat strukturore janë të pamjaftueshme për zhvillimin e akuakulturës dhe restaurimin e fondeve të peshkut. Sistemi i mbledhjes së të dhënave për peshkimin dhe akuakulturën duhet të zhvillohet më tej në përputhje me acquisin e BE-së.

Studimet e shkencëtareve të ndryshëm theksojnë që fauna e peshkut në liqenin e Ohrit, është një nga më të pasurat dhe më të larmishmet në Evropë. Liqeni i Ohrit ka shërbyer dhe shërben si “shtëpi” për 17 peshq vendas, ku përfshihen speciet endemike si korani dhe belushka e Ohrit të cilat janë specie edhe me vlerë ekonomike.

Edhe pse pjesë e trashëgimisë botërore falë veçorive dhe vlerave kulturore e natyrori rajoni dhe liqeni i Ohrit vazhdimisht përballet me problematika të shumta, si nga ana e Maqedonisë së Veriut ashtu edhe në anën e Shqipërisë. Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar mbi këto problematika. Për më tepër lexoni: