Tetova me plot deponi të vogla që i japin erë të keqe qytetit (FOTO)

Menaxhimi me mbeturinat komunale mbetet sfidë e pazgjidhur për shumë vite për Ndërmarrjen Publike Komunale. Ky problem bëhet më “i pazgjidhshëm” gjatë muajve të verës kur mbeturinat hudhen gjithandej jashtë kontejnerëve dhe krijohen mini deponi. Ky problem u ngrit edhe në Këshillin Komunal të Tetovës, ndërsa NPK-ja thotë që e kanë situatën nën kontroll. Por, pamjet dhe qytetarët nga terreni thonë ndryshe, shkruan Portalb.mk.

Mbeturinat dhe mini deponitë ishin pyetja që këshilltarja komunale Halime Rustemi parashtroi në seancën e pyetjeve të këshilltarëve në Komunën e Tetovës ndaj sektorëve përgjegjës.

“Ne si këshilltarë por edhe si qytetarë të Tetovës vazhdimisht përballemi me ankesa nga banorët për problemin e mbeturinave në qytet, ku në disa pjesë krijohen edhe mini deponi. Deri sa të gjendet një zgjidhje afatgjate, çfarë masash do të ndërmerrni dhe a keni plan konkret?”

Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” – Tetovë u arsyetuan, fajin e hodhën te reshjet e shiut.

“Sa i përket problemit që ndodhi si pasojë e fluksit dhe situatës që u paraqit për festat e bajramit, NPK-ja me të gjithë kapacitetet e veta nuk ishte në gjendje që të reagojë ad-hoc për shkak të reshjeve që ishin në ditët në vijim. Qytetarët dhe banorët e Komunës së Tetovës nuk kishin mundësi që të bëjnë pastrimin pranveror që e kanë si zakon. Andaj edhe ditët përpara bajramit ishin ditët të cilat qytetari i shfrytëzoi për pastrim gjeneral të shtëpive dhe oborreve të veta, si pasojë e kësaj kishim rritje të sasive të mbeturinave që ishin të paraqitura rreth kontejnerëve”, thanë nga NPK Tetova.

Nga atje shtuan se për shkak të reshjeve të shiut kanë pengesë gjatë transportimit të mbeturinave për shkak të rrëshqitjes së gomave të automjeteve dhe të baltës që paraqitet.

“Për momentin situatën e kemi nën kontroll, e kemi stabilizuar situatën me çështjen e hedhurinave dhe jemi në suaza të transportit dhe korrektimit ditor të hedhurinave”, thanë nga NPK Tetova.

Por, qytetarët ankohen se ky problem nuk po zgjidhet me vite. 

“Këtu ku jetoj kontejnerët i kam përballë, përditë bëhet kaos, mbeturinat jashtë i hedhin se s’ka aq kontejnerë, edhe nëpër trotuare, u vjen era, jena lodhur më”.

“Çka të them ju e shihni vetë, kjo është situata, nuk ka përmirësime, çdo ditë e njëjta histori”.

“Ka përmirësime në disa pjesë por duhet ende ma shumë punë”.

Këto janë vetëm disa nga pikat më kritike me mbeturinat në Tetovë.

Një nga pikat më kritike si mini deponi është edhe pjesa në qendër të qytetit, para hyrjes në Qendrën për Bashkëpunim Ballkanik – LOJA. Këta të fundit reaguan duke shpërndarë edhe fotografi nga kjo pikë.

“No comment, vlerësojeni vet! Gati se në qendër të qytetit! Çdo ditë e njëjta storje! Turp!”, thanë nga LOJA.

Mbeturinat para Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik – LOJA. Foto: LOJA (Facebook)
Mbeturinat para Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik – LOJA. Foto: LOJA (Facebook)

Përndryshe, nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë njoftuan se gjatë vitit 2022 janë regjistruar dhjetë raste të ndotjes së ambientit, ndërsa në vitin 2023 vetëm dy. Numri i dënimeve të shqiptuara nga Inspektorati komunal për vitin 2022 nga fusha e mjedisit jetësor është vetëm pesë.