Pas raportimit në media, u hoq baraka me mbetje të dyshuara nga narkotikët në oborrin e shkollës në Tetovë

Pas publikimit të pamjeve të një barake me mbetje të dyshuara nga konsumi i substancave narkotike në oborrin e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë, nga ana e shkollës janë ndërmarrë masat e nevojshme dhe baraka është larguar që mbrëmë, transmeton Portalb.mk.

Këtë e konfirmoi për Portalb.mk drejtoresha e shkollës, Sihana Kaba Kasami, e cila tha se gjatë fundjavës pritet të ndërhyjë edhe kompania përgjegjëse për punimet, për ta rrethuar sërish hapësirën e kantierit ku po ndërtohet pishina.

“Vikendin presim që kompania e punëve të vijë dhe, edhe njëherë, ta rrethojë vendin e kantierit ku punohet. Rrethimi u bë qysh në fillim të punimeve, në maj, por rrethoja u shkatërrua deri në palcë, nuk e di nga kush”, deklaroi Kaba Kasami për Portalb.mk.

Dje u publikuan pamje të mbetjeve të dyshuara nga konsumi i substancave narkotike, xhamave të thyer dhe papastërtive në një barakë brenda perimetrit të shkollës, rreth pesë metra larg objektit shkollor. Baraka fillimisht ishte vendosur për strehimin e punëtorëve që po ndërtonin pishinën, punimet e së cilës nisën para më shumë se një viti.

Pas raportimit, drejtoresha kishte deklaruar se nuk ishte në dijeni për gjendjen e barakës dhe se përgjegjësia për sigurimin e hapësirës i takonte investitorit dhe realizuesit të punimeve, përkatësisht Komunës së Tetovës dhe kompanisë “Eurovia”.

Ndërkohë, ndërtimi i pishinës, që ishte paraparë të përfundonte në tetor të vitit 2026, ende nuk ka përfunduar dhe deri më tani është realizuar vetëm konstruksioni.