Dënim me burg, 1 vjet e 3 muaj për anesteziologun që shpërndau video në TikTok nga Gjinekologjia e Tetovës

Me 1 vjet dhe 3 muaj burg është dënuar anesteziologu Valton Dervishi nga Gjinekologjia e Tetovës i cili shpërndau video të drejtpërdrejt (live) në TikTok ku shiheshin pacientë dhe personel mjekësor. Vendimi erdhi pas gjykimit të sotëm në Gjykatën Themelore të Tetovës. Ai e pranoi veprën e kryer dhe për të njëjtën kërkoi falje, shkruan Portalb.mk.

Vendimi me 1 vjet dhe tre muaj burg u bë e ditur nga ana e Gjykatës Themelore të Tetovës të cilët sqaruan rrethanat në të cilat dënohet Dërvishi. Gjykata vendosi që anesteziologut t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me arrest shtëpiak, deri sa të futet në fuqi aktvendimi.

Ky vendim erdhi menjëherë pas seancës së parë gjyqësore e cila u mbajt sot në mëngjes me fillim nga ora 9:30.

Në seancën gjyqësore, Dervishi i pyetur nëse i kupton veprat për të cilat akuzohet, tha se e kupton akuzën.

“I pranoj veprat penale dhe pendohem për atë që kam bërë”, tha Dervishi i cili sqaroi se nuk ka qenë më parë i akuzuar.

Më pas u thanë fjalët përfundimtare.

Nga ana e Prokurorisë ku deklaruan që gjyqi të merr parasysh gjendjen faktike, të shihen të gjitha rrethanat tjera dhe të merret parasysh se i akuzuari e pranoi veprën.

Avokati Dragisha Ivanovski, theksoi që të shihen të gjitha rrethanat lehtësuese që parashihen.

Ndërkaq, anesteziologu tha se pajtohet me atë që deklaroi avokati i tij dhe kërkoi falje me arsyetimin se veprën nuk e ka bërë me tendencë dhe për ndonjë përfitim. Ai tha se në paraburgim e ka të vështirë për shkak të gjendjes shëndetësore.

Të pranishëm në seancën gjyqësore ishin dëshmitaret Daniella Simjanovska, Meral Rexhepi dhe Luljeta Rexhepi. Ndërsa munguan dëshmitarët Pëllumb Vela dhe Sezgin Dervishi. Mirëpo ata nuk u morën në pyetje pasi Dervishi pranoi veprën.

Anesteziologu u akuzua për veprat penale  “Punë e pandërgjegjshme në shërbim” (neni 353-v, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1) si dhe “Incizim i paautorizuar”  (neni 152 paragrafi 2) nga Kodi Penal.

Dervishi, i punësuar si anesteziolog në Spitalin e Tetovës ka shpërndarë video të drejtpërdrejtë (live) në TikTok nga reparti i Gjinekologjisë në Spitalin e Tetovës, ku shiheshin pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore si dhe personel mjekësor.

Më 14 mars nëpunësit policor arrestuan Dervishin (43) duke vepruar pas paraqitjes nga ana e drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, për veprën e kryer.

Fillimisht atij iu caktua masë paraburgimi prej tetë ditësh, ndërkaq më pas paraburgimi iu vazhdua edhe për 30 ditë.

Anesteziologu pas këtij rasti u përjashtua nga puna. Ndërkaq Oda e Mjekëve ia mori licencën për shtatë vjet.