Anesteziologu nga Tetova është pezulluar, kërkohet t’i merret licenca e punës

Shprehi keqardhje të madhe që një punonjës shëndetësorë të sillet në këtë mënyrë dhe do të bëjmë gjithçka që në të ardhmen të mos na ndodhë diçka e tillë, porositi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në konferencën e sotme për media, së bashku me drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës, Pëllumb Vela. Pasi një anesteziolog nga ky spital, inçizoi pacientë dhe videon e publikoi në rrjetin social “Tik Tok”, transmeton Portalb.mk.

“Më është paraqitur në telefon edhe shefi i SPB Tetovë dhe më tha se punonjësi shëndetësor është arrestuar dhe ne më tej do të bëjmë gjithçka që të mos na ndodhin raste të këtilla në të ardhmen. Jemi në koordinim me shumë institucione të tjerë dhe me Odën e Mjekëve dhe unë kërkova që këtij mjekut menjëherë t’i ndërpritet raporti i punës dhe t’i merret licenca për punë”, deklaroi Mexhiti.

Ndërkaq, drejtori i Spitalit Klinik, Vella shprehi gjithashtu keqardhje për ngjarjen dhe sqaroi se, ka denoncuar personalisht rastin në polici, pasi ka kuptuar për inçizimin e publikuar.

“Ajo ka nodhur në repartin për kiretazhë, ku ai ka punuar si anesteziolog. Përderisa mbrëmë unë isha në Shkup, videon ma dërgoi një gazetar. Sapo e pash videon, menjëherë kam ardhur në Tetovvë dhe unë personalisjt, si drejtori i spitalit, kam denoncuar rastin në polici, sepse bëhet fjalë për çështje serioze. Për rastin ishim në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministrin”, potencoi Vella.

Pas denoncimit nga ana e drejtorit të spitalit, policia mbrëmë pak para mesnate, arresoi anesteziologun e repartit gjinekologjik të Spitalit Klinik të Tetovës, i cili publikoi video live të pacienteve, të cilave po u ofrohej ndihmë mjekësore.

“Më 14.04.2023 në orën 23:40, nëpunës policor kanë arrestuar V.D. (43) në fshatin Odër të Tetovës, duke vepruar pas paraqitjes nga ana e P.V., drejtor i Spitalit Klinik Tetovë se, V.D. i punësuar si anesteziolog në spital, ka incizuar dhe publikuar në rrjetin “tik tok”, personel mjekësor dhe pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore. Është informuar edhe prokurori publik dhe pas dokumentimit të rastit, do të dorëzohet paraqitje përkatëse”, njoftuan nga MPB.

Incidentin në fjalë e ka dënuar ashpër edhe Oda e Mjekëve, prej ku thanë se organet e kësaj organizate do të mblidhen për të shqyrtuar rastin dhe për të marrë masa adekuate.

“Kërkesa për respektimin e të drejtave personale, nis nga respektimi i të drejtave të të tjerëve, në këtë rast të dretjat e pacientëve, për këtë, në afat sa më tëshkurtër, organet e Odës do të thirren që të shqyrtojnë rastin dhe të ndërmarrin aktivitete dhe masa. Me kodin e deontologjisë mjekësore, mjekët obligohen që ta kryejnë profesionin me ndërgjegje dhe përgjegjësi, se do ta respektojnë dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e të sëmurëve dhe se do ta ruajnë besimin e tyre. Oda e mjekëve, si organizatë e pavarur dhe profesionale, e të gjithë mjekëve në vend, vazhdon të punojë në mbrojtjen dhe avancimin e profesionalitetit dhe detyrimeve etike dhe të drejtave të mjekëve, por me raport kritike ndaj gjithë atyre që e shembin dinjitetin, pasqyrën dhe integritetin profesionit, si veprimtari e interesit të posaçëm shoqëror”, thuhet në reagimin e organizatës.

Mbrëmë në rrejtet sociali qarkulloi një video ku shihet anesteziologu i punësuar në repartin për pastrim në Gjinekologji, në Spitalin Klinik të Tetovës, ka incizuar gratë – paciente në njërën nga sallat e spitalit, dhe ka publikuar ato drejtpërdrejtë në rrjetin social TikTok.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button