Anesteziologut që publikoi në TikTok pamje të palejuara nga Spitali i Tetovës t’i zgjatet paraburgimi, kërkoi Prokuroria

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka kërkuar t’i zgjatet paraburgimi mjekut nga Spitali i Tetovës, mjeku i cili në TikTok publikoi pamje gjatë punës së spitalit në repartin e gjinekologjisë, transmeton Portalb.mk.

“Prokurori publik deri te Gjykata Themelore në Tetovë ka dorëzuar propozim për zgjatjen e masës paraprake të paraburgimit për personin e akuzuar”, sqaroi Prokuroria, në lidhje me nenin 353 dhe 152 nga Kodi Penal.

Ndryshe, me 14 mars nëpunësit policor arrestuan Valton Dervishin (43) duke vepruar pas paraqitjes nga ana e Pëllumb Vela, drejtor i Spitalit Klinik Tetovë se Dervishi i punësuar si anesteziolog në spital, ka incizuar dhe publikuar në rrjetin TikTok, personel mjekësor dhe pacientë të cilëve u është ofruar ndihmë mjekësore.

Anesteziologu pas kësaj u përjashtua nga puna, ndërkaq me propozim të Prokurorisë nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore e Tetovës, për mjekun u caktua masë paraburgimi prej tetë ditësh.

Ndërkaq Dhoma e Mjekëve solli vendimin me të cilin anesteziologut në fjalë propozon t’i merret licenca e punës për shtatë vjet.