Antikorrupsioni do ta publikojë listën e institucioneve dhe funksionarëve të cilët kanë paguar gjoba vetëm për të mos bashkëpunuar

Në seancën e fundit si antikorrupsionerë, përbërja aktuale e Komisionit Shtetërorë për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 5 shkurt do ta publikojë listën e institucioneve dhe funksionarëve të cilët kanë paguar gjoba vetëm mos të japin listë anketuese ose dokumente që u ka kërkuar Antikorrupsioni, njofton Portalb.mk.

Shemsi Sallai, anëtar i KSHPK-së, për Portalb.mk thekson se lista së shpejti do të publikohet dhe se për atë do të informohen mediumet. I pyetur konkretisht për datën, duke e pasur parasysh se ata janë në fund të mandatit të tyre, ai tha shkurt se “në seancën e fundit më 5 shkurt”.

Paraprakisht, kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanoska, në një emision televiziv theksoi se KSHPK me 80 përqind të institucioneve ka pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm, por kanë ekzistuar edhe institucione të tilla, që nuk ua kanë dorëzuar dokumentet edhe krahas kërkesave të tyre.

“Do të jetë interesante për mediat se cilat janë ato institucione, por edhe bartës të funksioneve të cilët kanë paguar gjobë dhe sërish nuk kanë dorëzuar listë anketuese ose dokumentet që i kemi kërkuar”, tha Ivanovska.

Kujtojmë se mandati i përbërjes aktuale të Komisionit Kundër Korrupsionit është deri më 7 shkurt 2024, ndërsa Komisioni i ri pritet të fillojë me punë më 8 shkurt 2024.

Më 22 dhjetor, deputetët me 97 vota “për” i votuan Cveta Ristovska, Tatjana Dimitrovska, Sofija Spasovsa Medarska, Servet Demiri, Besnik Xhemaili, Biljana Karakashova Shulev dhe Zoran Bogoevski për anëtarë të rinj të Antikorrupsionit. Kryetare e re u zgjodh Tatjana Dimitrovska.

Meta.mk, nëpërmjet një analize shkruajti se biografitë e kandidatëve për anëtarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit janë sekrete për publikun. Biografitë e printuara i morën vetëm anëtarët e komisionit që vendos për përzgjedhjen e tyre dhe anëtarët që i bënin intervistat.

Atyre u duhej të nënshkruanin një marrëveshje konfidencialiteti sepse biografitë përmbanin “të dhëna personale”. Mbetet e paqartë se pse këto të dhëna, si numri i vetëm amë i qytetarit, adresa e banimit apo numri i telefonit nuk u fshehën, pra nuk u fshinë dhe pastaj të njëjtat të publikoheshin në mënyrë që publiku të mund të shihte se cilët kandidatë pretendojnë të luftojnë kundër korrupsionit në katër vitet e ardhshme.

Në përbërjen e fundit të KShPK-së kryetare ishte Biljana Ivanovska, ndërsa anëtarë ishin Vladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikolovska, Nuri Bajrami, Goran Tërpenoski dhe Semshi Sallai.

Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.