Përsëri është sulmuar një studente e Fakultetit të Shkencave Natyrore në Shkup, iu vodh telefoni

Një studente 20 vjeçare në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FShMN) në Shkup është sulmuar dje rreth orës 9 të mëngjesit nga një person, i cili ia ka marrë celularin dhe e ka shtyrë . Sulmi në këtë lokacion vjen më pak se tre muaj pasi studentët e FShMN-së u ankuan dhe kërkuan rritje të sigurisë përreth institucionit, transmeton Portalb.mk.

Sulmi i studentes fillimisht u raportua nga motra e saj. Ajo ka shkruar në Facebook se pasi studentja ka tentuar të mbrohet, sulmuesi ia ka ndrydhur me forcë krahun dhe e ka shtyrë në rrugë.

Meta.mk i është drejtuar edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), nga ku e kanë konfirmuar rastin.

“Me datë 23.01.2024 në ora 12:30 në SPB Shkup, S.M.(20) nga Shkupi ka raportuar se rreth orës 09:15 në rr. “Arhimedova” në Shkup, një person me dhunë i ka marrë celularin dhe e ka shtyrë. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, njofton MPB.

Meta.mk ka kontaktuar me motrën e studentes së sulmuar, e cila është përgjigjur se disa muaj pas vjedhjeve dhe sulmeve të tjera, lokacioni është sërish i pasigurt. Ajo tha se së fundmi është sulmuar edhe një student tjetër i FShMN-së, por duke qenë se në atë kohë kishte siguri, hajduti nuk ia arriti qëllimit.

“Para disa kohësh është sulmuar edhe kolegu i saj, por aty kanë sjellë sigurimin, ndaj ka reaguar menjëherë dhe nuk i është marrë asgjë. Tashmë disa kohë që nuk ka njeri”, thotë Tamara, motra e studentes së sulmuar.

Tenderi për punësimin e një firme sigurie për FShMN-në përfundoi më 28 dhjetor të vitit të kaluar, por ende nuk ka rezultate në faqen e Byrosë së Prokurimit Publik nëse është përzgjedhur një kompani e caktuar sigurie.

Vjedhjet dhe sulmet fizike në zonën përreth Fakultetit të Shkencave Matematike të UKM-së janë bërë më të shpeshta gjatë vitit të kaluar.

Në nëntor, Portalb.mk kishte raportuar se studentët e këtij fakulteti ankohen se në afërsi të FShMN-së në orët e vona të pasdites, pas mësimit, persona të panjohur i sulmojnë me thika dhe i grabisin.

Autoritetet policore konfirmuan tre raste të tilla nga qershori deri në nëntor, ndërsa autorët nuk u arrestuan.

Studentët e FShMN-së kanë nënshkruar edhe një peticion me disa kërkesa për të rritur sigurinë e tyre. FShMN ndodhet në kodrën e Gazi Babës, kështu që për të arritur në fakultet, studentët duhet të ngjitin shkallët që nuk kanë ndriçim adekuat rrugor apo kamera sigurie.

Pas njoftimit të Portalb.mk, rruga për në FShMN u bë me roje dhe ndriçim, por vetëm përkohësisht. Portalb dhe Meta vizituan fakultetin në muajin nëntor dhe folën me studentët e shqetësuar. Disa prej tyre thanë se vjedhjet dhe sulmet kanë qenë të zakonshme në vend prej vitesh – studentët janë sulmuar dhe sendet e tyre personale janë vjedhur.