Brenda dy ditëve në Trubarevë në kuadër të skriningut u kontrolluan mbi dyqind persona

Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Klinikën e Pulmologjisë, realizoi një skrining dyditor të popullatës në Trubarevë, me qëllim të zbulimit në kohë të simptomave të rrugëve të frymëmarrjes. Brenda dy ditëve, në kuadër të skriningut janë kontrolluar mbi dyqind persona, transmeton Portalb.mk.

“Vetëm gjatë ditës së djeshme janë kontrolluar mbi 100 persona në dy punktet e vendosura në Trubarevë, prej të cilëve tetë persona janë dërguar në Klinikën e Pulmologjisë, për shkak të sëmundjeve kronike për të cilat nuk kishin bërë kontrolle për një kohë të gjatë. Skriningu përfshiu kontroll klinik, matjen e pulsit, saturimit dhe vlerësimin e kapacitetit vital. Ky skrining pati pjesëmarrje të madhe me mbi dyqind pacientë të kontrolluar për dy ditë dhe u prit shumë mirë nga popullata lokale. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë ta ndjekim situatën në bashkëpunim me Klinikën e Pulmologjisë dhe të gjitha institucionet kompetente”, theksoi ministri Aliu.

Sipas informatave nga ekipet e Klinikës së Pulmologjisë, pacientët që janë dërguar në Klinikë kanë pasur simptoma, si: vështirësi në frymëmarrje, kollë të thatë dhe shtrëngim në gjoks. Gjithashtu, në kuadër të skriningut janë identifikuar edhe pacientë me tension të lartë të gjakut, të cilët janë këshilluar t’i drejtohen mjekut të tyre amë për kontrolle të mëtejshme.

Zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, u përfshinë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi e madhe e mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, por atë natë kur ndodhi zjarri në rajonin e Trubarevës janë realizuar 13 intervenime.

Për shkak të zjarrit, mësimi në shkollat ​​fillore “Krum Toshev”, “Njegosh”, “Vera Jocic” dhe “Naum Naumovski Borce” në Gazi Babë u zhvillua online për një javë.

Përndryshe, përqëndimi i grimcave PM10 ditëve të fundit kanë qenë në kufijtë e lejuar.