Boçvarski: E kemi paguar transferin e parë prej 117 milionë euro ndaj NPRRSH-së për projektin me “Behtel dhe Enka”

Transferin e parë tashmë e kemi paguar ndaj Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH), në pajtueshmëri me Programin që është sjellë nga Qeveria dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare. Ky nuk është sekret dhe nuk është diçka që fshihet që të krijojë ndonjë nevrikosje në opinion për shkak se edhe kjo mund të verifikohet, theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, njofton Portalb.

Ndaj NPRRSH-së, potencoi ministri në intervistë për MIA-n, janë paguar mjete prej 117 milionë euro ose në vlerë prej 7,254 miliardë denarë.

“Nga atje, reparti projesktues i cili është formuar në NPRRSH punon në kontakt të drejtpërdrejtë dhe komunikim me kompaninë ‘Behtel’ në realizimin e hapave dhe procedurave të ardhshme në pajtueshmëri të Programit, në pajtueshmëri me Marrëveshjen dhe në pajtueshmëri me Ligjin”, thotë Boçvarski.

Qeveria e miratoi Programin për financim të infrastrukturës rrugore për projektin Korridori 8 dhe Korridori 10d për vitin 2023 në seancë më 23 mars, pas çka u publikua në Gazetën zyrtare. Në Program, mes tjerash, është theksuar se mjetet në vlerë prej 7.254.000.000 denarë (117.000.000 euro) paguhen në dy transha dhe janë të dedikuara për mobilizim, ekipim me mekanizmin, vendosje të kampeve, laboratorit dhe gjëra të tjera nga ana e realizuesit të punimeve para se të fillohet me aktivitetet ndërtimore të traseve: aksi 1 (Tetovë – Gostivar), aksi 2 (Gostivar – Bukojçani), aksi 3 (Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë) dhe aksi 4 (Prilep – Manastir). Mjetet nga transha e parë e cila është në vlerë prej 5.390.000.000 denarë (87.000.000 euro) dhe nga transha e dytë në vlerë prej 1.864.000.000 denarë (30.000.000 euro) paguhen në pajtueshmëri të nenit 17.7 nga Marrëveshja për ndërtim të Korridorit 8 dhe Korridorit 10D.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Ndërkohë, Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.