Dëshmi për dhunë në qendrën bullgare të emigrantëve
Autoritetet bullgare ende nuk kanë dhënë shpjegim
Një i ri është mbështetur në mur në cep të dhomës, pranë krevatit. Dyshemeja përpara tij është e mbuluar me gjak, si edhe fytyra dhe këmbët e tij. Kjo skenë shqetësuese mund të shihet në një nga videot të cilat i siguroi BIRN, në të cilën dokumentohen pasojat e asaj që të paraburgosurit e përshkruajnë si dhunë masive policore në qendrën e qëndrimit të migrantëve dhe refugjatëve Pastrogor në Bullgarinë juglindore në afërsi të kufirit me Turqinë.
Tre djem që për momentin ndodhen atje thanë se pjesëtarë të njësitit special të policisë i kanë rrahur të paraburgosurit në të gjithë objektin, duke i lënë disa me krahë dhe gishta të thyer e të tjerë edhe me lëndime në kokë. Me kërkesën e tyre BIRN nuk i publikoi fotot sepse viktimat kanë frikë nga pasojat që mund t’i vuajnë nëse zbulohen identitetet e tyre.
Burimet me të cilat biseduan pretendojnë se dhuna ka ndodhur më 26 korrik të këtij viti, pasi gjatë një proteste nga qendra janë arratisur dy persona. E njëjta ngjarje u përshkrua edhe në njoftimin për shtyp më 7 gusht të lëshuar nga Kolektivi italian i aktivistëve Rruga Ballkanike.
Në rreth 28 kilometra larg kufirit turk dhe i vendosur pranë qendrave të tjera në të cilat vendosen emigrantë Pastrogor nga viti 2012 funksiononte si kamp i hapur ku përpunoheshin kërkesat për azil. Nga muaji dhjetor i vitit të kaluar ai u transformua në një qendër për emigrantë sipas Paktit të ri Evropian për Azilin dhe Migracionin të Bashkimit Evropian.
Pakti hyri në fuqi më 12 qershor. Në atë kohë në kamp kishte vetëm disa persona, por tani aty ndodhen rreth 220 persona, thonë aktivistët.
Sipas paktit të ri, shumica dërrmuese e atyre që mbërrijnë në mënyrë ilegale në kufijtë e jashtëm të BE-së do të mbahen atje nga shtatë ditë deri në 12 javë, përderisa kryhen kontrollet dhe procedurat për azil. Në disa raste, siç janë për personat që presin riatdhesim ose transferim në vend të tretë, qëndrimi mund të zgjasë edhe më shumë.
Duke e shprehur shqetësimin e saj të thellë për raportet për dhunë, eurodeputetja italiane Cecilia Strada tha: Kjo nuk është hera e parë që pranojmë raporte për dhunë ndaj emigrantëve nga ana e forcave policore bullgare.
Çfarë ka ndodhur?
Aktivistët thonë se para dhunës së supozuar për disa javë rresht janë zhvilluar protesta kundër kushteve në Pastrogor dhe vetë aktit të ndalimit. Sipas Kolektivit Rruga Ballkanike, “të paktën një person është rrahur nga policia, është dërguar në stacionin policor dhe është detyruar të nënshkruajë se nuk do të merrte më pjesë në protestat e ardhshme”.
Situata ka arritur kulmin më 26 korrik kur grupi i aktivistëve italianë ka organizuar protestë para qendrës. Refugjatët dhe emigrantët u janë bashkuar nga brenda.
Në një nga videot të cilat pati mundësinë t’i shohë BIRN mund të shihen nëntë emigrantë në një dhomë të vogël duke thërritur “hapeni kampin”, si dhe disa aktivistë që qëndrojnë sipër një makine në afërsi të objektit. Aktivistët thonë se protesta ishte paqësore.
Në kushte anonimiteti një i paraburgosur maroken tha se ishin arratisur dy djem, nga Turqia dhe Tunizia. Edhe burime të tjera e konfirmuan këtë.
“Pastaj erdhi një polic dhe më foli në anglisht e më tha t’u thoja miqve të mi të ktheheshin në dhomat e tyre lart sepse po vinte njësiti i ndërhyrjes së shpejtë dhe nëse na shihnin jashtë dhomave gjërat do të merrnin për keq”, tha marokeni.
“Të gjithë e kuptuan situatën. Ishte rrezik, kështu që në heshtje u kthyem në dhomat tona.”
Nuk është e qartë se për cilën njësi policore thoshte “njësiti i ndërhyrjes të shpejtë”. Por, nga përshkrimet e dhëna nga emigrantët dhe refugjatët policët mund të kenë qenë pjesë e xhandarmërisë bullgare.
Sipas burimeve të BIRN në qendrën e paraburgimit policët kanë qenë të veshur me veshje të plota për shpërbërjen e trazirave, me maska, shkopinj gome dhe elektroshok. Ata kanë qenë të shoqëruar edhe nga policë të rregullt. Burimet thonë se gjithsej kanë qenë nga 30 deri në 40.
“Unë dhe shoku im ishim në dhomën e parë”, tha marokeni.
“Një nga të maskuarit që mbante armë e hapi derën dhe tha: ‘Poshtë! Poshtë!’ Kur u shtriva në dysheme në dhomë hynë rreth 15 policë dhe filluan të na rrihnin me shkopinj gome. Mendova se mora fund. Më rrahën derisa humba ndjenjat. Shokun tim e lënduan në kokë. Na rrahën pa mëshirë. Asnjëherë në jetë nuk jam rrahur kështu. Kështu bënë nëpër të gjitha dhomat.”
Dëshminë e konfirmuan edhe dy emigrantë të tjerë, nga Maroku dhe Pakistani.
Të gjitha burimet me të cilat bisedoi BIRN theksuan se rrahjet ishin joselektive dhe se kishin ndodhur në të gjithë objektin. Nga Kolektivi Rrugët Ballkanike thanë se kamerat e mbikëqyrjes ishin fikur para se të fillonte dhuna, por nuk ofruan prova për këtë gjë.
“I mbuluar në gjak“
Marokeni i dytë tha se policët i kishin shkatërruar të gjithë telefonat që i kishin gjetur “që të mos publikonim foto të rrahjeve”. Por, dolën edhe foto edhe video.
Në ato që i pa BIRN mund të shihen të paktën tetë persona të ndryshëm me lëndime serioze, përfshirë dy me plagë në kokë nga të cilat u rrjedh gjak. Një emigrant ishte i mbuluar me gjak.
Emigranti nga Pakistani tha se njihte të paktën 18 të tjerë që ishin të lënduar.
“Ata na trajtuan brutalisht, sikur të ishim kriminelë, e jo azilkërkues”, tha ai, ashtu si edhe të tjerët që folën në kushte anonimiteti.
Pas rrahjes marokeni i parë tha se ai dhe 11 të tjerë ishin nxjerrur jashtë.
“Filluan të na godisnin, të na shajnë dhe të na hidhnin ujë”, tha ai.
“Ndihesha shumë keq, ndihesha sikur po ngulfatem.”
Ai tha se abuzimi fizik dhe verbal kishte vazhduar në stacionin policor më të afërt deri të nesërmen.
“Ata thanë: ‘Nëse nuk ju pëlqen ushqimi, mos e hani. Mos e bëni këtë. Mos flisni.’ Na detyruan të nënshkruanim dokument dhe na thanë: ‘Nëse nuk ju pëlqen ky trajtim, kthehuni në vendin tuaj’.”
“Standarde evropiane”
Nga Agjencia Shtetërore Bullgare për Refugjatët për BIRN thanë se Ministria e Punëve të Brendshme, nën kompetencat e së cilës vepron agjencia, është përgjegjëse për sigurinë në qendrën Pastrogor, por thanë se “kushtet materiale dhe për jetesë në Qendrën e Strehimit të Përkohshëm në fshatin Pastrogor i përmbushin standardet e përcaktuara evropiane”.
Pa iu referuar akuzave për dhunë policore nga Agjencia Shtetërore për Refugjatët thanë se “e njohin rrezikun ekzistues të përshkallëzimit të tensioneve midis komuniteteve të ndryshme, të cilat mund të shkaktohen kryesisht nga dallimet në prejardhjen etnike dhe/ose fetare të personave të strehuar atje, dhe se në kohë po merren masa në këtë drejtim”.
Kryetari i komunës së Pastrogorit, Ilijan Iliev, dhe policia lokale nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Në deklaratë për uebfaqen lokale e-svilengrad.com Iliev i konfirmoi raportet për trazira, por tha se protesta mund të ketë qenë një truk për ta ndihmuar një emigrant që të arratiset.
Emigranti pakistanez për BIRN tha: “Ne nuk e dimë se çfarë krimi kemi bërë ose pse po na mbajnë këtu”.
“E kuptojmë që nëse një person dëshiron të aplikojë për azil në një vend, ai ka të drejtë të kërkojë azil. Por mbajtja e njerëzve në një kamp të mbyllur paraburgimi si ky është jashtëzakonisht mizore dhe e padrejtë.”
Në periudhën para zbatimit të Paktit Evropian për Azil dhe Migracion kritikët paralajmëruan për qasjen e monitoruesve të të drejtave të njeriut në objektet e reja. Paralajmërimet rezultuan si të arsyeshme, tha Strada, eurodeputetja italiane.
“Nëse shkelje të rënda mund të ndodhin në këto qendra në territorin evropian pa dëshmitarë, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë kur t’i nxirrni jashtë,” tha Strada.