Bjeshkataria si shhelmatisje (I)

“Në çdo ecje në natyrë ne fitojmë më shumë se sa që kërkojmë!”
John Muir

Në fillim një sqarim i vogël lidhur me titullin: Shhelmatisja nënkupton detoksifikimin, eliminimin e helmit apo marazeve, brengave të përditshmërisë ose jetës.

Moti, diku në vitin 2002, gjatë kthimit nga një konferencë e mbajtur në “Hotel Radika” ku ligjërues ishte prof. Ferid Muhiqin dhe ne, filozofi i madh, në “Toyota”-n e tij, mes tjerash na foli edhe për një sport që e ushtronte ndër vite: bjeshkataria. Kishte shkelur majat botërore, për këto vendore të mos flasim. Dhe më tregoi se natyra është nënë, është mëkuese, jep gjithnjë. Jep të mira dhe jep shpirt. “Unë kurrë nuk marr me vete ushqim kur dal në mal; marr me vete vetëm një çaki apo brisk shumë të vogël”. Po me çfarë ushqeheni? – e patëm pyetur. “Me gjërat që gjej, në natyrë s’mund të mbetesh i uritur. Dhuntitë janë të pakufishme.”

Në vitin 2017 në Saraj organizonim Takimet e Rekës bashkë me disa shokë të Gostivarit dhe Sarajit, përfshirë edhe tanimë të ndjerin afarist dhe humanist Nexhat Shaini, me të cilin ecjen e fundit e kemi pasur në Bunec të Mavrovës. Në programin dyditor të Takimeve kishim paraparë edhe ngjitjen në “Vodno” dhe në fletoren e shënimeve, si aktivitet të agjendës shënova “alpinizëm” dhe e shqiptova me zë, ndërsa bamirësi i pashoq tha: “Po, alpinizëm po bjeshkatari”. “Ëhë, paska dallim”, thash me vete dhe që nga ajo kohë jam fiksuar në këtë diferencë që në vendet me kulturë më të zhvilluar të kohës së lirë është edhe më e gjerë, siç do të shohim më poshtë.

Në këtë kohë ultradinamike, kur sociologjikisht të gjithë jemi pjesë e sprintit jetik, me shumë obligime, përgjegjësi e turbulenca, njeriu ka nevojë që të gjejë momentumin për t’u shkëputur nga përditshmëria, për të ndryshuar ritmin dhe kursin e ditës, javës, muajit… Një instrument shumë i rëndësishëm për të gjetur relaksin, për t’i thënë stop stresit dhe shoqërueseve të tij është bjeshkakaria, braktisja e jetës urbane e moderne dhe komunikimi me natyrën, dalja në zonat ku ritmi është prehjesjellës, ku s’ka trysni, autoritet, pushtet, ekonomi, ku s’ke tjetrin që të shqetëson por zërin e qetësisë, ekuilibrit, të hyjnores. Aty s’ka sherre, ka vetëm afrimitet, senzacione, adrenalinë dhe sukses të garantuar pa marrë parasysh arrin te destinacioni final kolektiv ose te ai i mundësive apo potencialit fizik.

Kultura e bjeshkatarisë është pjesë e një mënyre të re të jetesës që kërkon free time apo leisure. Përndryshe je një ballon që fryhet vazhdimisht. Shfryrja e energjisë negative është kërkesë e epokës sonë kur kemi rrugëtimin rutinë punë-shtëpi, ritualet darkë, TV, gjumë, kur s’kemi kohë të bashkëbisedojmë, të shprehim sensin e humorit, të tregojmë, të rrëfejmë eksperiencat tona nga e kaluara dhe ato aktuale, përjetimet relevante për ne nga të cilat mund të mësojnë të tjerët, që janë leksione joformale dhe seanca të papaguara të këshillimit dhe hapjeshpirtit.

Sot jetojmë në një shoqëri me vlera të përmbysura. Ja disa segmente që e pasqyrojnë këtë krizë. Raportet brendafamiljare janë fohur sa s’bën. Në kohën tonë është rrënuar edhe ura e komunikimit ndërbreznor pleqnia nuk është vlerë por disavantazh, gjendje inferiore. Dikur s’ishte kështu, të qenët më plak ka nënkuptuar autoritetin e përvojës dhe urtësisë së akumuluar ndër vite. Gjyshërit dhe gjyshet ishin mësuesit apo arsimtarët alternativë të nipër-mbesave. Vizitat farefisnore gjithashtu u tretën. Relacionet me fqinjësinë poashtu. Mënyra e re e jetesës me teknologjitë informatike i ka vënë kapak gjithë kësaj klime destruktive për disponimin human. Secili me displayin e vet, me celularin, tabletin, laptopin e vet dhe veglat e high-tech… Këstet, faturat e papaguara, shkollimi i kushtueshëm, kuzhina e rrjeteve sociale që duhet të imitohet apo të bëhet realitet… Të mos flasim për trendin e pushimeve të shtrenjta. Dubai dha Ishujt Sejshele janë bërë target i rinisë së sotme dhë përtej. Të gjitha këto krijojnë një tendosje të brendshme mes mundësive dhe kërkesave apo aspiratave. Shtypje psikologjike gjithandej. Dhe kura? Janë të shumta alternativat për t’i ikur këtij realiteti të zymtë. Religjioziteti si segment trandeshndental që na largon nga imanentja dhe na shpie drejt një bote spirituale. Komunikimi me Krijuesin e bën njeriun të ndjehet ndryshe, të besojë në të Madhin, në tjetrin, në veten dhe në përkohësinë e problemeve, të shpresojë se pas vashtirësive vjen lehtësimi. Marrja me art, aktivizimi në një shoqatë vullnetare, sportet e ndryshme(si tenisi, futbolli, biçiklizmi…), puna në kopsht, tpërkujdesja për kafshët, turizmi e të ngjashme.

Një nga alternativat për arratisje nga “çmenduritë e modernitetit” është edhe bjeshkataria apo alpinizmi që kanë filluar të afirmohen edhe ndër ne. Nëgjuhën angleze përdoren termat trekking, hiking (shëtitje, ecje në këmbë) dhe mountaneering (alpinizëm) dhe disa të tjerë që do t’i shpjegojmë në shkrimin e radhës dhe që perceptohen si aktivitete sportive ose forma të stërvitjes fizike që nënkuptojnë edhe vëzhgimin e panoramës, të peizazheve, të kafshëve të egra, të zogjve, kampimin, ngjitjen në pika malore të caktuara, në terrene të lehta e të rënda, me dëborë… Bjeshkataria është term i përgjithshëm për ecje në zonat malore, të banuara e të pabanuara, që mund të nisin herët në mëngjes dhe përfundojnë në mbrëmje, madje mund të zgjasin edhe disa ditë, duke ndryshuar kështu totalisht vatrën apo shtëpinë konvencionale me një të improvizuar. /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.