RMV, ndryshimet skandaloze në Kodin Penal, lëvizjet në ekzekutiv dhe vendimi për datën e zgjedhjeve karakterizuan vitin 2023

Viti 2023 në skenën politike të Maqedonisë së Veriut ka qenë me batica e zbatica, herë periudha të qeta e herë me vendime skandaloze. Ndryshimet që ndodhën në Kodin Penal ishin një nga vendimet që u kritikua ashpër si nga mediat, ashtu edhe nga ekspertët dhe faktori ndërkombëtar. Përveç kësaj, ky vit pati lëvizje partish në pushtetin ekzekutiv, dy parti shqiptare ndërruan vendet, njëra nga pushteti kaloi në opozitë, tjetra nga opozita në pushtet. Që në fillim të vitit, nuk ka munguar kërkesa e VMRO-së për zgjedhje të parakohshme, diçka që ishte karakteristikë edhe gjatë vitit 2022. Mirëpo kjo kërkesë hasi në refuzim të vazhdueshëm nga partitë në pushtet. Tek në fund të vitit 2023 u vendos që data e zgjedhjeve të dyfishta të jetë 8 maji, ndërsa qeverinë teknike, ashtu siç kishin rënë dakord parterët e koalicionit LSDM-BDI ta udhëheqë një kryeministër shqiptar dhe ai u propozua që të jetë Talat Xhaferi, shkruan Portalb.mk.

7 janar të vitit 2023, kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski vijoji kërkesën e njohur të vitit 2022 për zgjedhje të parakohshme në maj, diçka që në vazhdimësi e refuzuan partitë në pushtet LSDM dhe BDI.

Më 3 shkurt, VMRO-DPMNE propozoi amnisti të plotë për autorët e së enjtes së përgjakshme me Ligjin për amnisti. VMRO-DPMNE dorëzoi Ligjin për amnisti për dhunuesit në Kuvend, të cilin e hartuan treshja Mitrevski, Peshevski dhe Timovski. Por, deputetët e shumicës qeveritare nuk e miratuan propozim ligjin.

12 shkurt, Alternativa pas mbledhjes së Kuvendit Qendror të partisë vendosi të kthehet në opozitë, kjo si rezultat i hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, e cila ngushtoi kolltukun e partisë Alternativa me të cilën në zgjedhjet e fundit parlamentare dy partitë ishin në koalicion, i cili zgjati deri dhjetorin e vitit 2021 kur Alternativa vendosi nga opozita të kalojë në pozitë. Me 28 shkurt, Kuvendi i Maqedonisë së Veriu votoi zgjedhjen e ministrave të rinj, deputetët nga opozita maqedonase nuk votuan. Me këtë, Aleanca për Shqiptarët u bë zyrtarisht pjesë e Qeverisë.

Foto kolazh - Dhuna në Kuvend, 27 prill 2017
Foto kolazh – Dhuna në Kuvend, 27 prill 2017

Nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10d

Më 8 mars u nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Bechtel-Enka. Projekti do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër, i cili duhet të shtrihet nga Tetova deri në Qafathanë. Gjithë korridori 8 së bashku me atë 10D në tërësi janë 110 kilometra autostradë, që pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027, pra për 4 vite e 7 muaj. Kjo u pasua me dyshime për keqpërdorime të mundshme në tenderin për përzgjedhjen e kompanisë për mbikëqyrjen e punimeve në vlerë prej 22.3 milionë eurosh.

Në maj, Kuvendi miratoi ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve lidhur me realizimin e Marrëveshjes “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e katër sekcioneve të autostradave në korridoret 8 dhe 10D. Edhe këto ndryshime u kritikuan, pasi u konsideruan se çojnë në trajtim të pabarabartë të punëtorëve të degëve të njëjta dhe të ndryshme, dhe mungesa e një kuadri ligjor që do të rregullonte deklarimin e disa projekteve me “rëndësi kombëtare ose strategjike” sjell pasiguri juridike dhe një fushë për abuzime.

Nënshkrimi i marrëveshjes për Korridorin 8 dhe 10d. Foto nga Qeveria e Maqedonise se Veriut
Nënshkrimi i marrëveshjes për Korridorin 8 dhe 10d. Foto nga Qeveria e Maqedonise se Veriut

Në prill të viti 2023, filloi me punë grupi punues për ndryshimet Kushtetuese, i cili përbëhet nga 23 anëtarë, nga të cilët 10 janë nga radhët e ekspertëve, 10 janë propozime të partive politike dhe 3 anëtarë janë nga institucione, Kabineti i Kryetarit të RMV-së, MPJ-së dhe SÇE-së. Partitë opozitare, në mesin e të cilave edhe VMRO-DPMNE-ja edhe përskaj thirrjeve të pushtetit, kanë refuzuar që të marrin pjesë në grupin punues. Ata mbeten në qëndrimin se nuk do të mbështesin ndryshime kushtetuese dhe se të njëjtat nuk do të miratohen gjatë kohës së kësaj përbërje parlamentare.

Këshilli Gjyqësor, njollë e zezë 

Një tjetër njollë e zezë gjatë vitit 2023 në gjyqësor ishte puna e Këshillit Gjyqësor, i cili në muajin maj ishte cak i kritikave negative nga ndërkombëtarët, pasi ish-kryetarja Vesna Dameva u shkarkua nga posti i saj më 26 prill. Në seancën e Këshillit Gjyqësor ka pasur debat kur Dameva ka refuzuar të vendosë një pikë votimi që nuk ishte në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi bëri thirrje për votim për shkarkimin e saj. Ai është mbështetur nga shtatë anëtarë dhe ka deklaruar se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës.

Pas skandalit ka ardhur një reagim nga ambasada amerikane. Nga aty theksuan se anëtarët e Këshillit kanë për detyrë ndërtimin e një sektori të pavarur gjyqësor. Pas dorëheqjeve të dy gjyqtarëve, Koalicioni “Të gjithë për një proces të drejtë” u bëri thirrje anëtarëve të tjerë që të dorëzojnë dorëheqjet. Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.

Vesna Damevs dhe anëtarët e Këshillit gjyqësor, RMV
Vesna Damevs dhe anëtarët e Këshillit gjyqësor, RMV

Tani, Këshillit Gjyqësor i janë dhënë gjithsej 40 rekomandime në raportin e misionit vlerësues të Bashkimit Evropian. Këto rekomandime kanë të bëjnë me strukturën dhe kompetencën e Këshillit Gjyqësor, mandatin e anëtarëve, vlerësimin për përzgjedhje dhe emërim, procedurat disiplinore, transparencën në komunikimin me publikun, si dhe financimin e Këshillit.

Nga 40 rekomandimet, 17 nuk kërkojnë ndonjë ndryshim, qoftë kushtetues apo ligjor, dhe ato mund të zbatohen në muajt në vijim, por, siç thotë ambasadori Geer, nëse Këshilli Gjyqësor arrin t’i miratojë në muajt në vijim, do të jetë një “revolucion”. Nga këto 17 rekomandime, 10 kanë të bëjnë me ngritjen në detyrë të gjyqtarëve dhe shtatë kanë të bëjnë me transparencën.

Skandali më i madh që e bëri Qeveria e vendit, bashkë me opozitën që nuk e parandaluan ishte ndryshimi i Kodit Penal, që deri tani ka mundësuar vjetërsimin e disa krimeve të rënda. Ndryshimet në Kodin Penal, Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), ndërsa i nënshkroi edhe presidenti Stevo Pendarovski, për tu botuar në fund në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.

U caktua data e zgjedhjeve

Takimi i liderëve. Foto: Qeveria e Maqedonisë së Veriut
Takimi i liderëve. Foto: Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Data e shumëkërkuar e zgjedhjeve nga VMRO-DPMNE-ja më në fund u caktua. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill, poashtu e mërkurë.

Kovaçevski tha se 100 ditë para zgjedhjeve ose më 28 janar do të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së.

Kryeministri i parë shqiptarë do të jetë kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi. Kështu vendosi më 8 dhjetor, Bashkimi Demokratik për Integrim në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të partisë

“Jam i kënaqur që më në fund do të kemi zgjedhje të rregullta parlamentare nga viti 2006. Duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe festave fetare. Propozova që raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahet më 24 prill dhe raundi i dytë më 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare. Qeveria teknike do të formohet më 28 janar”, tha Kovaçevski.

Përndryshe në aspektin e eurointegrimeve, Maqedonia e Veriut gjatë vitit 2023 e kreu me sukses procesin e skriningut, më 7 dhjetor,me skriningun bilateral për Kapitullin 31 – “Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes” si pjesë e klasterit 6 – Marrëdhëniet e jashtme”.  Në këtë kapitull, Maqedonia e Veriut ka 100 % harmonizim të legjislacionit me BE-në për shkak se është anëtar i NATO-s.