Një shtetas serb është kapur në “Bogorodicë” me 5.000 kuti cigaresh të padeklaruara me vlerë rreth nëntë milionë denarë
Prokuroria Themelore Publike e Gjevgjelisë ka nisur procedurë kundër një shtetasi serb, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kontrabandim”, të paraparë në nenin 278, paragrafi 2 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
I dyshuari, përmes linjës doganore në pikën kufitare “Bogorodicë”, gjatë hyrjes në vend, me një kamion të një kompanie serbe në pronësi të tij, ka transportuar mallra të padeklaruara, përkatësisht 5.000 kuti cigare të markave “Marlboro”, “Davidoff” dhe “Winston”, të vendosura në 100 kuti kartoni pa shenja identifikuese.
Vlera e përgjithshme e cigareve është e konsiderueshme dhe arrin rreth 9.000.000 denarë. I dyshuari ishte përpjekur t’i transportonte ato me kamion, duke deklaruar se po transportonte granula propileni. Megjithatë, gjatë kontrollit të mallit të deklaruar në rimorkio, zyrtarët doganorë zbuluan edhe mallrat e padeklaruara, në pjesën e përparme dhe në mes të rimorkios, të cilat menjëherë u sekuestruan.
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, pasi ekzistojnë rrethana që tregojnë qartë rrezikun e arratisjes.