BDI me akuza se pranë varrezave në Bllacë po ndërtohet kazino, kompania Makoten hodhi poshtë akuzat
Në një konferencë për shtyp sot, Imrane Veliu nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzoi se punimet ndërtimore që po zhvillohen këto ditë në parcelën afër varrezave në Bllacë kanë shqetësuar opinionin publik, pasi sipas të dhënave të tyre zyrtare, toka figuron si pronë e kompanisë “Flamingo Casino”, transmeton Portalb.mk.
“Nëse konfirmohet se aty po ndërtohet objekt për veprimtari të lojërave të fatit, atëherë kemi të bëjmë me një nga vendimet më të papërgjegjshme dhe më fyese ndaj ndjenjave të qytetarëve. Varrezat nuk janë vend për kazino. Varrezat nuk janë zonë për bixhoz. Varrezat nuk janë hapësirë për fitim komercial. Ato janë vende dinjiteti. Dhe çdo tentim që pranë tyre të vendoset industri e lojërave të fatit është provokim i rëndë ndaj familjeve, ndaj besimtarëve dhe ndaj çdo norme njerëzore”, ka thënë Veliu.
Ajo ka kërkuar që të publikohet destinimi real i objektit dhe gjithë dokumentacioni përkatës, të ndalen punimet deri në sqarimin e plotë të rastit, të hetohet se si është lejuar një veprimtari e tillë pranë varrezave si dhe të respektohet vullneti dhe ndjeshmëria e qytetarëve të kësaj zone.
“Dhe në fund, si shtesë e domosdoshme: qytetarët kanë të drejtë të dinë pse kjo qeveri tërhoqi edhe ligjin me të cilin premtonte largimin e lojërave të fatit nga afërsia e shkollave dhe zonave të ndjeshme. Sot, kur shohim çfarë po ndodh pranë varrezave, ajo pyetje bëhet edhe më e rëndë”, ka shtuar Veliu.
Nga VLEN kanë reaguar duke thënë se, BDI po mundohet të manipulojë me tema që vetë i ka prodhuar për vite me radhë.
“Ata që për vite e kthyen industrinë e lojërave të fatit në arkë politike, sot sillen sikur nuk dinë gjë. Absurd që nuk pi ujë. E vërteta është e thjeshtë. Kur BDI flet për kazino, në prapavijë flet kutia e zezë e Artan Grubit. Ajo kuti për vite me radhë e mbajti këtë sektor nën kontroll përmes dorës së tij të djathtë, të arratisurit Përparim Bajrami, e licencoi, e menaxhoi dhe e ktheu në mekanizëm për ndikim politik, presione dhe interesa të ngushta. Sot BDI nuk po zbulon problem, por po pengohet në gjurmët e veta. Nëse BDI dëshiron të flasë për licencat, adresën e ka shumë të qartë. Le ta kërkojë te Artan Grubi dhe te arkiva e vet politike, aty ku për vite me radhë është vizatuar harta e kazinove në shtet”, kanë thënë nga VLEN.
Lidhur me këto akuza, reaguan edhe nga kompania MAKOTEN DOOEL, duke i hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e BDI-së si shpifje e pastër, përmes së cilës, sipas tyre, manipulohet me ndjenjat më të thella fetare të qytetarëve për qëllime të ashpra politike. Nga kompania sqarojnë se MAKOTEN është një firmë me kapital të huaj nga Bashkimi Evropian dhe se çdo investim i tyre është në përputhje të rreptë me ligjet.
“Casino Flamingo nuk përcakton parcela ndërtimore dhe as nuk merret me planifikim urbanistik. Çdo pretendim se kemi për qëllim të cenojmë dinjitetin e dikujt apo të rrezikojmë tokë ku ka varreza është shpifje. Me asnjë projekt të ri investimi nuk do ta cenojmë reputacionin tonë korporativ”, thonë nga kompania.
Kompania u bëri thirrje faktorëve politikë që menjëherë të ndalojnë përpjekjet për keqpërdorimin e markës së tyre të njohur ndërkombëtarisht për përplasje ditore politike, duke paralajmëruar për dëme të pabazuara ndaj reputacionit të tyre.