Asnjë fjalë për jurisprudencën në shqip nga takimi Shasivari-Osmani
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi takim pune me drejtorin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit institucional dhe zbatimin e vazhdueshëm të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Megjithatë, në kumtesën zyrtare nuk përmendet fare çështja e jurisprudencës në gjuhën shqipe, e cila prej muajsh ka nxitur reagime të shumta nga studentët, profesorët dhe opinioni publik, transmeton Portalb.mk.
Sipas kumtesës së Ministrisë së Drejtësisë, në takim u theksua se zbatimi i plotë i Ligjit për përdorimin e gjuhëve është obligim ligjor dhe element thelbësor për sundimin e së drejtës, sigurinë juridike dhe qasjen e barabartë të qytetarëve në institucione.
Ministri Shasivari, sipas njoftimit, riafirmoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për forcimin e mekanizmave institucionalë që garantojnë respektimin e dispozitave ligjore dhe të drejtave gjuhësore të qytetarëve.
Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, Granit Osmani, theksoi se institucioni që ai drejton ofron mbështetje profesionale dhe praktike për institucionet shtetërore në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, përmes udhëzimeve, rekomandimeve dhe asistencës ekspertike, si dhe kujdeset për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Mirëpo, asgjë nuk është folur mbi çështjen e jurisprudencës në gjuhën shqipe as në publikimet e ministrit Shasivari dhe të drejtorit Osmani në rrjetet e tyre sociale nuk është bërë asnjë referencë për këtë temë, madje nuk është postuar asgjë mbi takimin.
Postimi i fundit i Shasivarit në Facebook është para 23 orësh.
Printecreen nga profili i Jeton Shasivarit në FacebookNdërkohë, Osmani, në dy profilet e tij për herë të fundit ka postuar më 18 dhe 15 korrik.


Edhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, njoftoi për takimin por nuk u përmend të jetë folur për këtë çështje.
“Drejtori i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës,Granit Osmani, i shoqëruar edhe nga këshilltarët shtetërorë, Jeton Sulejmani dhe Nebi Bilalli, në një atmosferë bashkëpunuese dhe konstruktive, zhvilloi takim pune në Ministrinë e Drejtësisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u pritën nga ministri Jeton Shasivari. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e avancimit të politikave gjuhësore dhe forcimin e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në institucionet shtetërore. Gjithashtu, u theksua nevoja për bashkëpunim të ndërsjelltë e të vazhdueshëm institucional, për përmirësimin dhe avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe për garantimin e standardeve të cilësisë në këtë drejtim. Takimi e konfirmoi angazhimin e ministrit Shasivari, si një njohës i shkëlqyer i dispozitave të ligjit dhe zotimin e tij, në drejtim të përmirësimit të zbatimit të gjuhës shqipe, sipas dispozitave të ligjit në institucionet e vendit. Nga ana tjetër, drejtori i AZGj-së, Granit Osmani, shprehu gatishmërinë e paekuivoke të Agjencisë, për zbatimin, në germë dhe në frymë, të Ligjit të Zbatimit të Gjuhës”, thuhet në njoftim.
Mungesa e diskutimit për jurisprudencën në gjuhën shqipe bie në sy edhe për faktin se të dy institucionet janë përmendur vazhdimisht në debatin publik lidhur me këtë çështje. Ministria e Drejtësisë është institucioni përgjegjës që e ofron këtë provim, ndërsa Agjencia për Zbatimin e Gjuhës ka mandat të monitorojë dhe promovojë zbatimin e të drejtave gjuhësore.
Megjithatë, as në kumtesën zyrtare dhe as në postimet e publikuara në faqet e tyre zyrtare në rrjetet sociale nuk është dhënë ndonjë qëndrim apo paralajmërim për hapa konkretë lidhur me mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Jeton Shasivari, para se të ulet në kolltukun e ministrit, ishte profesor i juridikut në Universitetin e Evropës Juglindore, studentët e të cilit vazhdimisht kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka nxitur protesta të studentëve dhe reagime nga profesorë, organizata dhe partitë politike shqiptare, të cilët kërkojnë që provimi shtetëror të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe parimin e barazisë. Deri më tani, institucionet nuk kanë ofruar një zgjidhje konkrete për këtë kërkesë.
Kanë kaluar muaj që kur zëvendëskryeministri, Bekim Sali, u premtoi studentëve shqiptarë se çështja e provimit të jurisprudencës do të zgjidhej brenda një jave. Ndërkohë, Sali premtimin e ka zhvendosur për në shtator të këtij viti.
Provimi i jurisprudencës deri më tani ka përplasur disa herë partitë e shumicës parlamentare dhe ata opozitare. Kujtojmë se, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë që nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Studentët deri më tani kanë protestuar dy herë për problemin e provimit të jurisprudencës dhe moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
- LEXO: Bekim Sali nuk i mban premtimet për jurisprudencën në shqip, nga një javë kaloi në shtator
- LEXO: Kaluan pesë javë ndërsa Bekim Sali nuk e realizoi premtimin për provimin e jurisprudencës në shqip siç u zotua
- LEXO: Sali e shpalli zgjidhjen rreth provimit të jurispudencës, por Mickoski tha se ende po punohet për zgjidhjen