Arsovska tregoi kur mund të ketë transport publik falas në Shkup, kërkoi nga këshilltarët ta votojnë vendimin për 250 autobusë ekologjikë

Para këshilltarëve ishte dorëzuar vendimi me të cilin duhej të fillojnë të blihen 250 autobusë ekologjikë, megjithatë te ata për fat të keq vetëdija nuk është në atë nivel që ta kuptojnë se për qytetarët tanë është e nevojshme të kenë transport publik falas me të cilin do të mbërrijnë në çdo lokacion të mundshëm, raporton MIA. Bëj thirrje që në interes të qytetarëve ta votojnë këtë vendim, sepse kjo është diçka që nuk duhet të ketë prapavijë politike, porositi sot kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

“Për realizimin e këtij projekti, tashmë dhjetëra herë u është dorëzuar këshilltarëve vendimi me të cilin është dashur të blihen këta 250 autobusë. Megjithatë, për fat të keq, vetëdija e tyre nuk është në atë nivel për të kuptuar se është e nevojshme që qytetarët tanë të kenë transport publik që do të arrijë në çdo vend të mundshëm, në çdo vendbanim, në mënyrë që të gjithë të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë dhe të arrijnë në vendet e tyre të punës në kohë. Kjo është diçka që duhet bërë në interes të elektoratit dhe të gjithë atyre që i kanë zgjedhur në zgjedhje”, deklaroi Arsovska, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas promovimit të projektit “Përmirësimi i ujësjellësit për vendbanimet Rashçe, Kopanicë, Bojanë, Bukoviq, Llaskarcë, Çajlanë dhe Semenishtë”.

Në pjesën e transportit publik falas, Arsovska tha se ky është projekt i cili do të buxhetohet në vitin 2024. Vendimi do të vendoset para këshilltarëve kur do të votojnë për buxhetin në vitin 2024.

“Paralajmëroj se nga buxheti i ardhshëm, tashmë e buxhetojmë transportin publik falas për të gjithë qytetarët. Do të vendoset edhe ky vendim para këshilltarëve kur do të votojnë për buxhetin në vitin 2024”, shtoi Arsovska.

Ndryshe, Ndërmarrja për transport publik “Shkupi” vitin e kaluar e ka mbyllur me humbje prej 6.2 milionë euro. Kjo është dyfishi i humbjes operative krahasuar me vitin 2021 kur humbja ishte 3 milionë euro.

Ndryshe, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në televizionin Kanal 5, tha se vendosja e transportit publik falas, që ishte një nga premtimet kryesore të saj në fushatën zgjedhore të mbështetur nga VMRO-DPMNE, lidhet drejtpërdrejt me prokurimin e autobusëve të rinj, për të cilët ajo nuk mori mbështetje nga anëtarët e Këshillit.

Kujtojmë që Arsovska, më 18 tetor të vitit 2022 në një deklaratë për mediat premtoi se qytetarët e Shkupit në gjysmën e dytë të vitit 2023 do të kenë transport publik falas.  Arsovska, premtimin për transport publik falas e përfshiu si një nga projektet kyçe në programin parazgjedhor „Programi për Shkupin Modern“ me të cilin i fitoi zgjedhjet lokale në vitin 2021. Ky premtim parazgjedhor deri më tani nuk është realizuar.