Edhe pse Arsovska premtoi, asnjë shenjë nga transporti publik falas në Shkup

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, më 18 tetor të vitit 2022 në një deklaratë për mediat premtoi se qytetarët e Shkupit në gjysmën e dytë të vitit 2023 do të kenë transport publik falas, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk. Erdhi gjysmëvjetori i dytë i vitit 2023 dhe nuk ka asnjë shenjë të realizimit të premtimit të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, se pikërisht në këtë periudhë kohore qytetarët e Shkupit do të kenë transport publik falas. Kjo deklaratë e kryetares është e pavërtetë.

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, premtimin për transport publik falas e përfshiu si një nga projektet kyçe në programin parazgjedhor „Programi për Shkupin Modern“ me të cilin i fitoi zgjedhjet lokale në vitin 2021. Ky premtim parazgjedhor deri më tani nuk është realizuar, transmeton Portalb.mk.

“Kaosi në komunikacionin rrugor në Shkup do të jetë një gjë e së kaluarës nëse kemi transport publik lehtësisht të aksesueshëm dhe falas. Ne parashikojmë transport publik me autobus të qytetit PLOTËSISHT FALAS me cilësi të lartë që do të zbatohet në faza gjatë një periudhe adaptimi. Qytetarët e Shkupit do të kenë alternativë ekologjike për automjetet dhe do të dinë ta bëjnë zgjedhjen e duhur”, thuhet në faqen 8 të programit parazgjedhor të kryetares Danella Arsovska.

Vërtetmatësi.mk që në 26 shtator të vitit 2022 në një tekst të publikuar e cilësoi si të parealizuar premtimin parazgjedhor të Arsovskës për zbatimin e transportit publik falas në Shkup.

Pak më pak se tre javë më vonë, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, më 18 tetor të vitit 2022, dha një deklaratë për media, në të cilën premtoi se qytetarët e Shkupit në gjysmën e dytë të vitit 2023 do të kenë transport publik falas.

Si përgjigje në pyetjet e gazetarëve, Arsovska tha se transporti publik falas do të realizohet ashtu siç është shkruar në programin e saj.

Megjithatë, siç tha ajo, të gjitha institucionet duhet t’i respektojnë obligimet dhe t’i paguajnë borxhet e tyre.

“Problemi në këtë vend është tek të gjithë ata që nuk i respektojnë detyrimet e tyre. Me pengesa nga të gjitha institucionet, që e kanë “ngrënë” këtë vend për 30 vjet, ne nuk mund të ndërtojmë as një qytet më të mirë dhe as një shtet më të mirë. Të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm për detyrimet që kanë dhe kjo do të thotë që nëse dikush ka më shumë se dy milionë euro borxh, të mos pyesë se si do të ketë transport publik falas, por t’i paguajë detyrimet e tij.

E njëjta gjë vlen edhe për pushtetin qendror edhe për ato njësi të vetëqeverisjes lokale që nuk i përmbushin obligimet e tyre”, tha Arsovska, transmeton Portalb.mk.

Këtë deklaratë të kryetares Danella Arsovska e transmetoi televizioni „Теlma“, si dhe agjencia kombëtare e lajmeve MIA në 18 tetor të vitit të kaluar.

Meta.mk më 9 dhe 15 maj përmes postës elektronike i ka dërguar pyetje Qytetit të Shkupit për atë se deri ku është procedura për vendosjen e transportit publik falas në Shkup, a do të respektohet afati i caktuar për vendosjen e transportit publik falas në gjysmën e dytë të vitit 2023 dhe a i ka siguruar Qyteti i Shkupit mjetet e nevojshme për realizimin e këtij premtimi. Po ashtu pyetëm se nëse zgjatet afati, cila është data e re nga kur qytetarët mund të presin përfundimin e këtij projekti. Por nga Qyteti i Shkupit nuk morëm përgjigje.

Bazuar në argumentet e lartëpërmendura, mund të vlerësojmë se deklarata e kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e dhënë në tetor të vitit 2022 për vendosjen e transportit publik falas në gjysmën e dytë të vitit 2023 është e pavërtetë, ndërsa ky premtim parazgjedhor nga “Programi për Shkupin Modern” mbetet i parealizuar.