Arsovska: Transporti publik falas lidhet drejtpërdrejt me blerjen e 250 autobusëve të rinj

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në televizionin Kanal 5, tha se vendosja e transportit publik falas, që ishte një nga premtimet kryesore të saj në fushatën zgjedhore të mbështetur nga VMRO-DPMNE, lidhet drejtpërdrejt me prokurimin e autobusëve të rinj, për të cilët ajo nuk mori mbështetje nga anëtarët e Këshillit, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Kushti i dytë, thekson ajo, është që edhe këshilltarët të duhet ta votojnë në të ardhmen, si dhe të japin dritën jeshile për subvencione për NQP-në nga buxheti i qytetit në mënyrë që kjo ndërmarrje publike të gjenerojë para dhe të mbijetojë.

“Transporti publik falas lidhet drejtpërdrejt me blerjen e 250 autobusëve të rinj për banorët tanë, sepse nuk mund të prezantosh linja të shumta të reja, nuk mund të bësh llojin e infrastrukturës dhe atë që është e nevojshme për banorët tanë nëse nuk ke mjete adekuate transporti me të cilat të zbatohet transporti publik falas. Ju e dini që nëse një projekt i tillë fillon nesër, imagjinoni fluksin e njerëzve që duan të përdorin transportin publik dhe ju nuk keni me çfarë t’u ofroni këtë shërbim. Para së gjithash, përveç të qenit miqësor me mjedisin, duhet të jetë i sigurt””, tha Arsovska.

Për financat me të cilat do të mbijetonte NQP-ja, ajo tha se vitin e kaluar ka pasur probleme serioze për shkak se nuk janë ndarë para, edhe pse për krahasim në vitet e kaluara ka pasur subvencione. Për këtë, ajo tregoi shembuj se gjatë krizës së Covid-it kur transporti publik nuk përdorej në atë masë, qyteti ka dhuruar dhe ka pasur ndihmë edhe nga pushteti qendror. Tani, Arsovska dhe NQP nuk mund të llogarisin në ato para.

“NQP duhet të funksionojë për mirëmbajtjen që do të financohet nga qyteti. Ajo nuk ka fonde të veta nga të cilat mund të gjenerojë dhe nëse nuk ngarkohen nga qytetarët, pavarësisht se kemi një nga tarifat më të ulëta për transportin publik në këtë pjesë të botës, për të bërë atë transport publik falas, do të duhet të mbulojë qytetin dhe të buxhetohet siç duhet – këshilltarët duhet ta votojnë”, tha Arsovska.

Kujtojmë që Arsovska, më 18 tetor të vitit 2022 në një deklaratë për mediat premtoi se qytetarët e Shkupit në gjysmën e dytë të vitit 2023 do të kenë transport publik falas.  Arsovska, premtimin për transport publik falas e përfshiu si një nga projektet kyçe në programin parazgjedhor „Programi për Shkupin Modern“ me të cilin i fitoi zgjedhjet lokale në vitin 2021. Ky premtim parazgjedhor deri më tani nuk është realizuar