NTP vitin e kaluar me humbje prej 6.2 milionë euro, dy herë më shumë se në vitin 2021, kërkon që qyteti i Shkupit ta mbulojë deficitin

Ndërmarrja për transport publik “Shkupi” vitin e kaluar e ka mbyllur me humbje prej 6.2 milionë euro. Kjo është dyfishi i humbjes operative krahasuar me vitin 2021 kur humbja ishte 3 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

Ndërmarrja nuk ka mundësi të mbulojë humbjen as me punën vjetore, andaj kërkon nga Qyteti i Shkupit që t’u japë para dhe të mbulojë deficitin.

“Humbja nga puna në vitin 2022 është 384 milionë denarë ose 6,2 milionë euro. Humbja mbetet e pambuluar. Gjatë vitit 2023, themeluesi Qytetit të Shkupit duhet të gjejë një mënyrë për të mbuluar humbjen, duke pasur parasysh se të gjitha rezervat ligjore të NTP Shkup janë shteruar, kështu që në pajtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, themeluesi duhet ta rikapitalizojë ndërmarrjen”, thuhet në vendimin e dorëzuar në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

Kjo kërkesë e NTP-së do të shqyrtohet në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit, e cila do të mbahet të enjten.

Sipas llogarisë vjetore për vitin 2022, ndërmarrja ka realizuar të hyra prej 1.699.215.767 denarë, ndërsa shpenzimet janë më të larta, gjegjësisht arrijnë në 2.083.180.133 denarë. Numri i të punësuarve është 1319 persona.

Kryetarja Danella Arsovska erdhi në detyrë me premtimin se do të vendosë transport falas me autobus për të gjithë qytetarët. Jo vetëm që nuk ka transport falas, por nuk ka pasur transport të rregullt publik nëpër Shkup për gjysmë viti pasi ajo pati zënka me transportuesit privatë.