Arsimi frymëzon ndryshim

Shkrimtari amerikan William Arthur Ward ka thënë: “Arsimi është më tepër se transferi i njohurive, arsimi frymëzon ndryshimin. Të mësosh është më shumë se të absorbosh fakte, është të arrish të kuptosh”.

Kjo ditë e bukur marsi, me diell ende të ftohtë por me qiell të kthjellët, me rrugë plot me fëmijë që vrapojnë me lule në duar t’u bëjnë surpriza mësuesve të tyre të dashur, është mundësi e mirë për të reflektuar mbi rëndësinë e kësaj date.

7 Marsi është dita kur filloi me punë mësonjtorja e parë në gjuhën shqipe në Korçë. Dita kur fëmijët shqiptarë filluan të mësojnë abetaren e parë në gjuhën shqipe. Atë abetare që të parët tanë e shprëndanë fshehurazi e në mënyrë klandestine duke e bartur në mënyrë ilegale nëpër territoret tona të okupuara nga pushtues të ndryshëm. Abetarja e bartur si kontrabandë u hapi diapazonin fëmijëve të mësonjëtores së Korçës, ua krijoi e forcoi ndjenjat kombëtare, i rriti e i bëri shqiptarë që e dinë se ç’janë e ç’duhet të bëhen.

Në atë kohë kontrabandoheshin abetare, ndërsa tani kontrabandohen substancat narkotike. Në atë kohë fëmijët fshehurazi mësonin germat e ndaluara, ndërsa sot jo dhe aq fshehurazi konsumojnë substanca të cilat disa kontrabandues tjerë, ua sjellin mu në mes të shkollës. Kontrabanduesit e abetares nuk përfitonin gjë për veten e tyre, ndërsa këta kontrabanduesit e sotëm ndërtojnë pasuri e thesare në kuriz të fëmijëve të moshës shkollore të cilëve ua vjedhin të ardhmen, ua vjedhin jetën. Kohët kanë ndryshuar, kanë ndryshuar edhe gjërat që kontrabandohen, jo domosdoshmërisht për të mirë.

Sot është ditë e bukur për të reflektuar mbi kualitetin e arsimit që fëmijët, si krijesa të pafajshme, si sfungjerë që thithin gjithçka të mirë e të keqe, e marin nëpër shkolla. Është ditë e bukur për t’u rikujtuar se arsim nuk është vetëm transferi i njohurive dhe mësimi përmendësh i fakteve të cilat lehtazi mund të gjenden me një klikim. Në kohët e sotme, kur qasja deri tek informatat është kaq e shpejtë, të çosh kohën dëm me mësim përmendësh të fakteve të cilat harrohen pas një ore është vërtet e pakuptimtë. Në kohën e sotme kur dituria është një klikim larg nesh, është mëkat të mbetemi siç ka thënë Fan Noli anës dijes të panxënë.

Në kohët e sotme arsimi ka kaq mundësi të frymëzojë ndryshim, e megjithatë fëmijët dhe të rinjtë tanë janë në një gjendje apatie. Nuk është kjo apati vetëm rezultat i substancave të kontrabanduara, por është mbi të gjitha rezultat i konsumimit pa masë dhe pa kuptim i të gjitha informatave të panevojshme që i mbajnë në xhepat e tyre në formë të telefonit të mençur. Përhapja, shpërndarja dhe stimulimi i kotësive që është bërë masovik në rrejtet sociale i bën të rinjtë tanë dhe një pjesë të mirë të gjithë popullatës të jenë krejtësisht apatikë. Në kushte të tilla arsimi duhet të frymëzojë ndryshim, duhet të frymëzojë vlera më të larta se një video pa asnjë kuptim në TikTok e cila mbledh pëlqime pa fund.

Kjo ditë është ditë për të reflektuar se ku ka filluar e si është zhvilluar ndër shekuj arsimi jonë. Urime 7 Marsin të gjithë mësuesve e arsimtarëve e profesorëve të përgjegjshëm, atyre që e kanë kuptuar se arsimi është profesion i shenjtë që lë mbresa të përhershme në zemrën e një fëmije.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.