Referendumi për largimin e kazinove nga Tetova do të mbahet edhe përkundër ndryshimeve ligjore

Nisma për inicimin e referendumit lokal në Tetovë për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet do të vazhdojë edhe përkundër miratimit të Qeverisë të propozim ndryshimeve të fundit ligjore për Lojërat e Fatit, ku parashihet që hapësirat afariste, gjegjësisht vendet për pagesë në të cilat organizohen lojërat e fatit të jenë në largësi jo më pak se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme, shkruan Portalb.mk.

Lëvizja Antibixhoz thotë se do të vazhdojnë me referendumin në Tetovë, që sipas tyre kjo është një procedurë në vete.

“Siç e kemi thënë, Tetova është fillimi i referendumit. Në qoftë se ky ligj nuk do i plotëson kushtet reale të kësaj shoqërie në RMV, ne do të iniciojmë në çdo qytet që komunat të marrin ingerencat, në qoftë se nuk do të arrihet me referendume, por të ketë fuqi ligjore që ata të vendosin për pastrimin nga kjo dukuri negative”, tha Jushi Emërllahu.

Nga kjo lëvizje thonë se referendumi është në procedurë e sipër, ku kanë takime me Komunën dhe pritet që e njëjta të kalojë në Këshillin Komunal.

“Diskutohet për momentin kur është më i përshtatshëm kur është për t’u bë referendumi, mendojmë se inicimi i referendumit ndoshta është edhe ai impakti që Qeveria pak e ka kuptuar më seriozisht se nuk ka hajgare me kërkesat e qytetarëve të vet, në botë kudo funksionon referendumi dhe është fjala e fundit e cila din të mbështes për muri mbretër dhe qeveri më të fuqishme se sa një qeveri siç është qeveria e shtetit tonë, e dimë forcën që kanë”, tha Nuhi Ganija.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës për ndryshimet e fundit ligjore thotë se për to nuk janë të mjaftueshme, pasi sipas tij pjesët më të frekuentuara të qytetit janë të uzurpuara nga kazinotë dhe objektet tjera të lojërave tjera të “pafatit”.

“Ne në mbledhjen e radhës të Këshillit, konform asaj të cilën e kemi nisur si iniciativë do të sigurohet një informatë, e cila është siguruar nga administrata e komunës për procedurat e mëtutjeshme se si në Komunën e Tetovës të jenë të ndaluara kazinotë dhe objektet tjera të lojërave të pafatit, në këtë drejtim besoj se këshilli komunal do gjejë mënyrën më të mirë që në kuadër të pjesës urbane, vendbanimeve në kuadër të Komunës së Tetovës mos të ketë objekte të tilla”, tha Bilall Kasami.

Kujtojmë se inicimi i referendumit lokal në Tetovë u prezantua dhjetorin e kaluar, ku përmes debatit publik u pyeten qytetarët nëse duan që t’i largojnë objektet për lojëra të fatit nga vendbanimet. 

Profesori i Juridikut, Qebir Avziu, pati sqaruar se nëse Komuna e Tetovës organizon referendum të tillë, ai nuk do të jetë obligues për Qeverinë dhe Kuvendin, pasi shteti është me karakter unitar dhe ligjet vlejnë për tërë territorin, por kjo sipas tij në mënyrë indirekte do të ketë ndikim pozitiv.

Që të organizohet referendum lokal, duhet që të sigurohen nënshkrimet e 20% të numrit të përgjithshëm të votuesve.

Lëvizja Antibixhoz disa herë organizoi protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button