Anëtarët e Këshillit Gjyqësor Selim Ademi dhe Hanif Zendeli kanë pranuar se kanë lidhje me gjykatësin Enver Bexheti

Pas zvarritjeve disamujore në procedurën për përgjegjësinë e gjykatësit të Apelit Enver Bexheti, i cili e ka ruajtur 9 muaj në sirtar lëndën “Target-Fortesa” për përgjimin masiv kundër ish drejtorit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, dy anëtarët e Këshillit Gjyqësor, kanë pranuar se janë të lidhur me atë dhe kanë kërkuar të mos kyçen në komision, transmeton Portalb.mk.

Siç mëson SDK, Ademi ka kërkuar që të mos jetë anëtar në Komisionin që duhet ta hetojë rastin dhe të përgatitet për miratim përfundimtar, për atë se çfarë ka ndodhur rreth shkarkimit të kryetares Vesna Dameva. Në opinion u fol se lufta ishte që të shpëtohet gjykatësi Bexheti, ndërkaq Ademi, si udhëheqës i atij procesi, në deklaratë për Portalb.mk i hodhi poshtë këto pretendime. Nën udhëheqësinë e Damevës, Këshilli Gjyqësor në fund të vitit 2022 hyri në Gjykatën e Apelit që të kontrollojë dhe konstatoi se Bexheti lëndën e Mijallkovit e ka ruajtur 9 muaj në mënyrë të paligjshme, që të vjetërsohet.

Të largohet ka kërkuar edhe anëtari tjetër i Këshillit Gjyqësor, Hanif Zendeli, i cili sipas përzgjedhjes është dashur të jetë kryetar i Komisionit. Ai ka thënë se ka relacione të afërta me Bexhetin, pasi që më herët kanë punuar bashkë.

Por, Zendeli nuk ka kërkuar përjashtim kur paraprakisht janë zgjedhur gjykatës në Gjykatën Supreme. Ai votoi që Enver Bexheti të bëhet gjykatës suprem, por asokohe Bexheti nuk mori vota të mjaftueshme.

Anëtar i tretë i Komisionit është Dameva, të cilën Ademi e shkarkoi nga detyra. Këshilli GJyqësor duhet të vnedos edhe për largimin e saj, pasi që bashkëshorti i Damevës është paraqitur si i dëmtuar në lëndën “Target-Fortesa”, ku ka qenë viktimë e përgjimit të paligjshëm.

Gjatë ditës së djeshme, Këshilli Gjyqësor mbajti seancë për konflikt interesash të ish-kryetares Dameva. Gjatë seancës pati debate dhe akuza të ndërsjella. Për Damevën pati akuza se ka marrë pjesë në procedura për caktim të përgjegjësisë së gjykatësve, ku si palë është paraqitur bashkëshorti i saj.

Ndryshe, pas shkarkimit kontrovers të Damevës me vetëm shtatë vota pro, Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri.

Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.

Megjithatë, para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta – në orën 13:30 dhe në orën 14:00. Në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës. Më pas, i dyti me nëntë vota ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar. Mirëpo në dy seancat me dyer të mbyllura nuk është diskutuar fare për gjyqtar apo kandidat për gjyqtar.