Mexhiti: Nuk ka politikë në shkarkimin e Jovevit

Nuk qëndron absolutisht politika pas shkarkimit të drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë Sashko Jovev, thotë ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. I pyetur se cila ishte arsyeja e shkarkimit të kardiokirurgut i cili ka kryer disa transplante zemre si dhe operacione të tjera, Mexhiti tha se nuk është vetëm profesori në këtë, por ka një ekip të tërë që punon për operacione kaq të komplikuara, por se më shumë detaje rreth ndërrimit të Jovevit tha se do të tregojë gjatë ditës, transmeton Portalb.mk.

“Kudo që ka keqpërdorime, me mua si ministër do të ketë edhe sanksione”, tha Mexhiti gjatë vizitës së sotme në Klinikën e Endokrinologjisë.

Mexhiti tha se ka dëgjuar nga mediat se ka pasur presione politike për shkarkimin e Jovevit, por theksoi se nuk do të dorëzohet para presioneve të tilla.

“Ekziston një inspektorat sanitar dhe shëndetësor ku ka profesionistë dhe kur kemi indikacione se një klinikë ka mangësi, ata veprojnë. Por unë që në ditën e parë njoftova që nuk do të ketë institucion ku nuk do të ketë kontrolle”, ka shtuar Mexhiti.

Ndërsa kur do të bëhet njoftimi i tij se presionet politike nuk do të jenë arsye për emërimin e drejtorëve, Mexhiti theksoi se ligji tani për tani e lejon derisa të zbatohet iniciativa e tij për qendër të përbashkët klinike, e cila do të shfuqizojë drejtorët organizativë dhe do të bëjë drejtues mjekësorë të klinikave.

“Ne si Ministri e Shëndetësisë e kemi dërguar informacionin në Qeveri dhe ajo e ka fjalën kyçe dhe parlamenti duhet ta votojë. Është mirë që të jetë nga 1 janari i vitit 2024, sepse atëherë planifikohen buxhetet e institucioneve shëndetësore, atëherë funksionimi do të ishte më i lehtë se tani në mes të vitit”, tha Mexhiti.

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Sashko Jovev, dje u shkarkua nga detyra me arsyetimin fillestar se nuk do të ketë më drejtorë që rrinë e flenë nga pesë apo dhjetë vjet dhe nuk kanë rezultat.

Më pas ministri Fatmir Mexhiti në emisionin “24 analizë” në TV 24 tha se Jovev është shkarkuar pasi pas një inspektimi në këtë institucion shëndetësor janë zbuluar keqpërdorime të mëdha.

“Në të gjitha klinikat kemi një tajming dhe dërgojmë inspektime. Nga Inspektorati Sanitar Shtetëror, urdhërova, dhe nga raporti kemi parë që ka pasur keqpërdorime të mëdha dhe prandaj kam vepruar kështu. Me kabinetin tim si ministër, pesë deri në dhjetë vjet nuk do të ketë drejtorë që nuk japin asnjë raport dhe nuk kanë bërë asgjë dhe këtë e vendosin organet profesionale. Ata vendosën se kishte abuzim dhe kjo është arsyeja pse unë e ndërmora një verim të tillë”, tha Mexhiti, duke bërë të ditur se në muajt në vijim do të dërgojnë inspektime në të gjitha klinikat dhe objektet shëndetësore në mbarë vendin.

I shkarkuari Jovev është kardiokirurgu që drejtoi ekipin që realizoi transplantin e parë të zemrës në vend. Ai më herët në një prononcim për “Fokus” tha se një nga arsyet është se ka zgjedhur datën për një ngjarje publike që ishte propozuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe jo nga ministri Mexhiti.

“Një javë më parë hapëm një sallë hibride dhe mund të them me siguri se është e vetmja e këtij lloji në rajon. Mirëpo, në këtë ngjarje është dashur të merrnin pjesë kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri Mexhiti. Të dy thanë data të ndryshme që u përshtaten për ditën kur do të vihet zyrtarisht në përdorim salla hibride, por kryeministri këmbënguli për një datë të caktuar duke pasur parasysh aktivitetet e shumta që ka. Ne vendosëm atë datë dhe aty u zemërua ministri, i cili nuk u shfaq në atë ngjarje”, tha Jovev për “Fokus”.