MPB: Mbi 5.600 persona të arrestuar që nga viti 2024 në aksionin “Pastruesi”, janë sekuestruar drogë, armë dhe para
Gjithsej 5.628 persona janë ndaluar që nga shtatori i vitit 2024 e deri më tani në kuadër të aksionit “Pastruesi”, i cili synon zbulimin dhe luftimin e krimit të dhunshëm, tregtisë së paligjshme me drogë dhe krimit ndërkufitar, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
Sipas MPB-së, në kuadër të aksionit deri më tani janë kontrolluar dhe identifikuar 74.229 persona, janë kryer 158.955 kontrolle të personave, automjeteve dhe bagazheve, ndërsa policia ka kryer edhe 1.158 bastisje të banesave dhe hapësirave të tjera. Nga gjithsej 1.135 kallëzime penale të ngritura, 88 janë për vepra penale nga fusha e krimit të dhunshëm, ndërsa 1.047 për vepra penale të lidhura me tregtinë e paligjshme të drogës.
Për autorët e veprave penale janë caktuar masa paraburgimi, ndërsa në disa raste edhe dënime me burgim.
“Gjatë realizimit të aksionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të llojeve të ndryshme të drogave narkotike, ndër të cilat marihuanë, kokainë, amfetaminë, heroinë, hashash dhe tableta MDMA, si dhe armë, para, disa automjete dhe telefona celularë. Janë parandaluar edhe disa kanale ndërkombëtare për tregti të paligjshme me droga narkotike, veçanërisht në vendkalimet kufitare ‘Tabanoc’, ‘Deve Bair’ dhe ‘Star Dojran’“, thonë nga MPB-ja.
Nga Ministria bëjnë të ditur se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë kontrollet e intensifikuara, me fokus në krimin e dhunshëm, tregtinë e paligjshme të drogës dhe krimin ndërkufitar.