Agjërimi, dëshmitar i imanit

Shkruan: Doc. dr. Husein Rizai

Ishim shumë të mallëngjyer për këtë muaj, sepse me vete na sjell shumë mirësi, bukuri, lezet dhe sevape. Sepse Ramazani ka kujtime të paharruara, ditë të mrekullueshme dhe vlera të dyfishta.

Agjërimi i muajit të Ramazanit është urdhëruar në mënyrë të qartë në Kur’an. Një e pesta e të gjithë njerëzve në planet janë thirrur të abstenojnë nga ushqimi gjatë orëve të dritës së diellit. Ky muaj është përkujtim i shpalljes së Kur’anit dhe do të duhej të shoqërohej me lutje dhe lexim të Kur’anit. Është manifestim i dhembshurisë, me fleksibilitet të ofruar ndaj të sëmurëve dhe udhëtarëve. Qëllimi i Perëndisë është zbuluar në ajetin e mëposhtëm: “All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju”, ndërsa obligueshmëria për agjërimin e  Ramazanit është theksuar në këtë ajet kur’anor

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, ashtu që të bëheni të devotshëm”. (Bekare 183)

I Dërguari i Allahut i përgëzonte shokët e vet duke u thënë: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e xhennetit, kurse mbyllen dyert e xhehenemit. Në këtë muaj lidhen shejtanët. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai vërtet është i privuar.”

Agjërimi i Ramazanit u bë obligim në ditët e fundit të muajit Shaban, në viti II hixhri. Para kësaj u bë obligim kthimi kah Kibleja në vend të kthimit kah mesxhidul Aksa-ja.

Në Kur’an, përveç në ajetet 183-187 të sures Bekare, agjërimi i muajit të Ramazanit përmendet edhe në ajetin 26 të sures Merjem:

“Ti pra, ha pi e qetësohu, dhe nëse sheh ndonjë prej njerëzve thuaj: “Unë kam vendosur heshtje për hir të të Gjithëmëshirshmit, andaj asnjë njeriu sot nuk i flas!” 

Pse agjërimi ka zbritur kaq vonë, apo 15 vjet pas shpalljes? Kemi 3 momente kryesore:

  1. Është adhurim (ibadet) i rëndë. Sips dijetarëve islamë, kur Allahu i rendit ibadetet në Kur’an, i rendit ato duke e pasur parasysh rëndësinë, gjegjësisht vështirësinë e kryerjes së tyre. Kjo më mirë është ilustruar në ajetin 35 të sures Ahzab, ku Allahu thotë:

“Nuk ka dyshim se për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, adhuruesit dhe adhurueset, të sinqertit dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përvuajturit dhe të përvuajturat, sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut , Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.”

  1. Zbriti në Medine, 15 vjet më vonë, për shkak se në Mekke besimtarët kryesisht ballafaqoheshin me xhihadin e jo me nefsin, ndërsa në Medine fillon rahatia dhe mbizotërimi i nefsit-epshit ndaj arsyes së zemrës.
  2. Me agjërim bëhet edukimi i nefsit-epshit (nefsi emmare) që të largon nga e mira, sepse Allahu i Lartëmadhëruar thotë:

“Unë nuk e shfajësoj veten time, sepse epshi është shumë i prirë pas të keqes, përveç atë që e ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që fal e mëshiron shumë. (Jusuf 53)

Ajeti që e obligon agjërimin fillon me “O ju që keni besuar… ” – dhe ka për qëllim se për besimtarët tashmë është koha për dëshminë e imanit.

Çka është imani?

IMAN-është orientim-drejtim i zemrës në diçka, ndërsa IKAN do të thotë ngopje, kënaqësi dhe përqëndrim në atë që është i afruar.

Rrënja e fjalës Iman vjen nga fjalal EMENE ose EMN që do të thotë besim -mbështetje. Imani është edhe mbështetje dhe mospërfillje ose largim prej diçkaje. Këtë më së miri e shohim tek Kelimei Tevhidi, apo deklarimi i njëshmërisës së Allahut, gjegjësisht në shprehjen “LA ILAHE IL-LALLAH”, para në fillim kemi mohim të çdo gjëje, e më pas kemi pranim vetëm të Allahut.

Iman do të thotë t’i mbështetesh atij që i beson, të jesh besnik ndaj asaj që i beson.

Kuptimi teologjik, apo në aspekt të akaidit-kelamit, i imanit është besimi, ndërsa në aspekt të ahlakut-etikës, ai do të thotë mbështetje.

Njeriu i sotëm ka iman, mirëpo nuk ka mbështetje në të, që do të thotë se e ka humbur ahlakun e besimit. Ai beson, mirëpo nuk mund të mbështetet në atë që e beson. Nuk ka besnikëri të plotë.

Pejgamberi ishte i mbështetur plotësisht në besimin që e kishte dhe këtë më së miri e shohim në rastin e shpellës Theur, kur i thotë Ebu Bekrit: “Mos u frikëso se Allahu është me ne”.

Edhe rastet e pejgamberëve të tjerë dëshmojnë për mbështetjen e tyre të plotë në besimin që e kanë pasur. P.sh. Kur e dërgojnë Ibrahimin a.s. për ta djegur, vjen meleku dhe e pyet a do diçka, ndërsa ai i përgjigjet: “Jo, mua më mjafton Allahu im”. Apo rasti i Hz. Aliut, kur e zëvendëson Muhammedin a.s. në shtratin e tij pa pikë frike. Poashtu, mund të përmendet edhe rasti i hz. Jusufit, kur kërkon nga një i burgosur që lirohet nga burgu të ndërmjetësojë tek udhëheqësi që e ka futur në burg, që ta lirojë edhe atë, gjë që Allahu e konsideron si mosmbështetje në të, dhe për këtë veprim e le hz. Jusufin të qëndorjë edhe 2 vite të tjera në burg.