“Lidhja evropiane për ndryshim” është emri i koalicionit të frontit opozitar shqiptar

Tre partitë opozitare shqiptare tashmë kan shpalosur edhe emrin që do t’i përfaqësojë bashkërisht, si dhe nën të cilin do të bashkëpunojnë dhe do të garojnë në të ardhmen. Kështu ka bërë të ditur sot në një konferencë për media kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i shoqëruar nga dy kryetarët e partive, Izet Mexhiti dhe Bilal Kasami, transmeton Portalb.mk.

“Tek qëndrojmë përballë Jush të bindur se kemi fuqi dhe dijeni për ta realizuar ndryshimin, në prapavijë është mozaiku i Kuvendit të Lezhës, i bashkimit historik të principatave të atëhershme shqiptare. Simbolika e këtij Kuvendi, kur bëhet fjalë për shqiptarët, si në të kaluarën ashtu edhe tani, ka qenë udhërrëfyes i kthesave të rëndësishme. Sot jemi bashkuar këtu për t’i sfiduar betejat e radhës, duke demonstruar unitetin tonë për t’i dhënë fund keqqeverisjes, e cila shqiptarët këtu, në Maqedoninë e Veriut, i ka mbështetur për muri, duke krijuar një mozaik të dhimbjes së madhe dhe zbehjes maksimale të shpresave dhe perspektivës. Por, ja ku jemi, këtu, bashkë me ju dhe në vijat e para të frontit, të vendosur për ta sjellë ndryshimin”, tha Gashi.

Ky koalicion, sipas tij nuk pretendon të ketë monopolin e dëshirës për ndryshim. “Ne kemi nevojë për çdo person. Sot jemi tre parti, presim që “Lidhja Europiane për Ndryshim” të konsolidohet edhe më tej. Dera është e hapur për të gjithë individët mendjehapur, njerëz me integritet, organizata joqeveritare, por edhe politikanë e parti që janë të gatshëm të ndajnë me ne vlerat ideologjike dhe prioritetet programore mbi të cilat mbështetet ky koalicion. Siç mund ta shihni në logon e koalicionit tashmë janë tre yje të cilët jemi të sigurt se do të bëhen edhe më shumë”.

“Sot, dua të bëj edhe një apel. Në kupolën e BDI-së së tjetërsuar dhe të skaduar e cila për më shumë se 20 vite dështoi dhe zhgënjeu pritshmëritë e qytetarëve të sinqertë, janë instaluar një grusht mercenarësh kriminogjen, që partinë dhe politikën e shfrytëzuan si trampolinë për kariera personale e për tu bërë oligarkë të ri. Ky grusht njerëzish kriminogjen, nesër partinë do e braktisin ashtu siç kanë braktisur OJQ-të e themeluara, apo siç braktisën krejtësisht vendin në ato 18 muaj që BDI ishte në opozitë, ndërsa çmimin do e paguajnë themeluesit, antarët dhe strukturat e sinqerta që do të trashëgojnë një subjekt të dërmuar ideologjikisht dhe moralisht”, tha Gashi.

Gashi bën të ditur se prioritet kryesor i koalicionit të tyre mbetet lufta kundër korrupsionit. Ai theksoi se ata mbështesin edhe rrugën e vendit tonë drejt integrimeve evropiane.

Gashi thekson se është koha që të hiqet shprehja fyese “gjuha që flasin 20 për qind e qytetarëve” me gjuhën shqipe.

Kujtojmë se Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit u formua më 13 gusht, ku po të njëjtin ditë mbajti kuvendin themelues. Menjëherë pas formimit të kësaj partie, të tre partitë bashkuan “forcat” dhe në vazhdimësi kanë kritikuar qeverisjen aktuale.