Maqedonia ka problem serioz me korrupsionin, personat e “mëdhenj” nuk dënohen

Numri i hetimeve të suksesshme, aktakuzave dhe procedurave gjyqësore vazhdon të jetë mjaft i kufizuar, veçanërisht në drejtim të luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë. Ky është vlerësimi i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut në raportin për skriningun, i njëjtë si i para nëntë muajve në raportin e progresit për vitin 2022. Për këto muaj, gjendja nuk ka ndryshuar thuajse fare. Edhe edhe raporti i skriningut është pothuajse identik në këtë fushë. Njësoj, vendi mbetet mesatarisht i përgatitur në luftën kundër korrupsionit. Kuadri legjislativ dhe institucional për anti-korrupsionin është pjesërisht në përputhje me acquis të BE-së, raporton Portalb.mk.

“Vendi duhet të vazhdojë zbatimin e strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit, veçanërisht në sektorët e rrezikut si prokurimi dhe financat publike. Duhet të ndajë burime të mjaftueshme për Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Zyrën e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCPPO) dhe të konsolidojë hetimin në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë. Sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale që rezultojnë nga veprat penale të lidhura me korrupsionin mbeten të kufizuara dhe duhet të trajtohen seriozisht. Maqedonia e Veriut duhet të adresojë sistematikisht rekomandimet e Grupit të Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO)”, është vlerësimi i përgjithshëm i Komisionit mbi fushën e korrupsionit.

Foto ilustrim nga Bermix Studio/Unsplash
Foto ilustrim nga Bermix Studio/Unsplash

Më tej thuhet se zbatimi i strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit (2021-2025) dhe planit të veprimit përkatës ka qenë i ngadalshëm. Sipas raportit të KSHPK-së për vitin 2022 për zbatimin e Strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit vetëm 10% e aktiviteteve të planifikuara për vitin 2022 janë realizuar plotësisht deri në fund të vitit.

“Për të qenë efektive, zbatimi i Strategjisë Kombëtare duhet të kryhet në të gjitha nivelet e administratës. Institucionet përgjegjëse për aktivitetet e Strategjisë duhet të zbatojnë një sistem efektiv të raportimit për shkallën e zbatimit të aktiviteteve për të cilat janë përgjegjëse. Shkalla e ulët e zbatimit të strategjisë kombëtare tregon mungesën e angazhimit politik dhe ndjenjës së pronësisë ndërmjet institucioneve”, thuhet në raport

  • Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit kërkohet që të zbatohet plotësisht.
  • Lidhur me kuadrin ligjor, Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve ende duhet të përafrohet më tej me acquis të BE-së.
  • Rekomandimet e Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit të Këshillit të Evropës (GRECO) duhet të zbatohen në mënyrë më sistematike. Në qershor 2023, GRECO miratoi Raportin e Dytë të Përputhshmërisë të Raundit të Pestë të Vlerësimit për parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e integritetit, i cili arriti në përfundimin se 13 nga 23 rekomandimet janë zbatuar në mënyrë të kënaqshme, nëntë janë zbatuar pjesërisht dhe një nuk është zbatuar. Në Raportin e Vlerësimit të Raundit të Katërt për parandalimin e korrupsionit në lidhje me anëtarët e parlamentit, gjyqtarët dhe prokurorët, GRECO arriti në përfundimin se nëntë nga 19 rekomandimet janë zbatuar (ose trajtuar) në mënyrë të kënaqshme, nëntë janë zbatuar pjesërisht dhe një nuk është zbatuar. Në mars 2023, Maqedonia e Veriut i dorëzoi GRECO-s një raport të situatës, mbi masat e marra për zbatimin e rekomandimeve të mbetura.

Sa i përket parandalimit, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) është proaktiv, por:

  • Përpjekjet për të përmirësuar funksionimin e tij duhet të vazhdojnë dhe nevojitet ndarje e mëtejshme e burimeve financiare dhe njerëzore.
  • Deri në fund të vitit 2022, KSHPK kishte gjithsej 48 punëtorë nga 64 që ishin planifikuar. KSHPK duhet të rekrutojë staf të specializuar me përvojë hetimore për të rritur efektivitetin e verifikimit të deklaratave të pasurisë.
  • Autoritetet duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të adresuar plotësisht konkluzionet e raporteve të KSHPK-së. Sektorët më të cenueshëm ndaj korrupsionit kërkojnë vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të përkushtuara.
  • KSHPK-ja duhet të forcojë më tej të drejtat e veta të iniciativës, duke identifikuar keqbërjet e mundshme që ende nuk janë denoncuar dhe raportuar në media.
  • Softueri, i cili do të mundësojë ndërveprim ndërmjet kadastrës, shërbimit të të hyrave, Ministrisë së Brendshme dhe regjistrit qendror, duhet të jetë funksional për të siguruar verifikim më të mirë të deklaratave të pasurisë.
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni), foto: Portalb.mk
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni), foto: Portalb.mk

Maqedonia e Veriut, thuhet më tej, duhet të ndjekë në terma më të vendosur parandalimin e korrupsionit, duke siguruar efektivitet më të madh të të gjitha organeve që kontribuojnë në zbatimin e strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit.

Nevojitet një qasje sistematike në trajtimin e korrupsionit për të adresuar emëruesit e përbashkët të faktorëve të rrezikut:

  • ndikim i fortë politik në sektorin publik;
  • shkalla e ulët e sanksionimit të sjelljeve korruptive; rregullore jokonsistente;
  • niveli i ulët i zbatimit të masave të integritetit;
  • transparencë e pamjaftueshme, sistem mbikëqyrës dhe mekanizma kontrolli në sektorin publik.

Për sa i përket anës së represionit, niveli dhe cilësia e burimeve duhet të kalibrohen më mirë, veçanërisht në prokuroritë kompetente. Burime njerëzore dhe mjete financiare shtesë duhet të vihen në dispozicion të Prokurorisë Publike, qendrave hetimore dhe njësive të zbatimit të ligjit të ngarkuara me hetimin e korrupsionit. Prokuroria Themelore Publike për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin duhet të pajiset me prokurorë të specializuar, ekspertë financiarë dhe analistë të forenzikës digjitale në radhët e stafit mbështetës.

“PNKOK duhet të rrisë bashkëpunimin, shkëmbimin e informacionit dhe të ndjekë iniciativat dhe rekomandimet e KSHPK-së. Një zbatim efektiv i Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar së fundmi midis dy institucioneve mund të ndihmojë në këtë aspekt”, thuhet në raport.

Maqedonia e Veriut vazhdon të hetojë, ndjek penalisht dhe gjykojë rastet e korrupsionit, përfshirë në nivel të lartë. Megjithatë, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe mbetet një zonë me shqetësim serioz.

“Rekordi i hetimeve të suksesshme, aktakuzave dhe procedurave gjyqësore vazhdon të jetë mjaft i kufizuar, veçanërisht në drejtim të luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, janë shqiptuar disa dënime përfundimtare kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë. Megjithatë, ka një mospërputhje ndërmjet numrit të hetimeve dhe numrit të dënimeve përfundimtare. Pas dhënies së vendimeve të shkallës së parë, ka një numër të konsiderueshëm të rasteve ku zvarritjet e proceseve gjyqësore sjellin skadimin e afatit të aktgjykimeve. Rastet duhet të menaxhohen në mënyrë efikase përmes sistemit gjyqësor për të garantuar drejtësi në kohë. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit”, vlerësohet në raport.

Në përgjithësi, masat kundër korrupsionit vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar në sektorët veçanërisht vulnerabël (infrastruktura publike, kadastra, prona, doganat, administrata tatimore, arsimi, shëndetësia, prokurimet publike, kontratat PPP, etj.). Këta sektorë kërkojnë vlerësime të synuara të rrezikut dhe veprime të dedikuara. Dobësitë në lidhje me kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e inspektimit në administratën publike mbeten për t’u adresuar. Progresi i mëtejshëm vendimtar drejt krijimit të një historie solide të hetimeve proaktive, ndjekjes penale dhe vendimeve përfundimtare të rasteve të korrupsionit, veçanërisht në nivel të lartë, mbetet për t’u siguruar. Sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale që rezultojnë nga veprat penale të lidhura me korrupsionin është ende i kufizuar.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila nuk pranoi t’i votojë ndryshimin e Kushtetutës.