KE e publikoi raportin e skriningut të klasterit të parë për Maqedoninë e Veriut: Themelet janë skanuar

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Publikohet raporti i skriningut për klasterin e parë të negociatave

Në mes të verës, Komisioni Evropian i publikoi raportet e skriningut të klasterit të parë për Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Ajo çka është konfuze që në fillim është se zëvendës kryeministri për çështje evropiane në publikimin e tij informoi se ky Raport është vetëm draft dhe se i njëjti duhet të miratohet nga ana e vendeve anëtare. Kjo procedurë nuk është e paraparë me kornizën negociuese, ku flitet vetëm për raporte të Komisionit nga skriningu. Ato raporte duhet të jenë bazë për udhërrëfyesit, të cilët nga ana tjetër, janë objekt shqyrtimi i Këshillit si përcaktues të hapjes së Klasterit. Në praktikën e deritanishme raportet e skriningut gjithmonë kanë qenë në duar të Komisionit. Në vetë tekstin e publikuar nuk qëndron që është draft, e as sqarim për procedurën e mëtutjeshme. Fjala “Draft” figuron në versionin elektronik të dokumentit, por kjo sigurisht se nuk ka domethënie juridike, vetëm sa krijon edhe më shumë konfuzion. Kështu, nuk është e qartë se si do të jetë procedura vijuese pas Raportit.

Pa ambicie që në këtë tekst të kufizuar t’i përshkruajmë të gjitha konstatimet e prezantuara në të, shkurt do t’u referohemi elementeve dhe risive më të rëndësishme në përmbajtje dhe strukturë. Risitë rrjedhin nga metodologjia e re e zgjerimit e vitit 2020, kështu që raporti nuk është me kaptina, por me klasterë. Për Maqedoninë dhe Shqipërinë, klasteri Themelet përmban edhe fusha që deri tani nuk kanë qenë objekt i skriningut:

  • Funksionimi i institucioneve demokratike,
  • Administrata publike dhe
  • Kriteret ekonomike.

I përfshin edhe kapitujt që deri tani kanë qenë objekte të skriningut:

  • Gjyqësia dhe të drejtat themelore,
  • Drejtësia, liria dhe siguria,
  • Prokurimet publike,
  • Statistika dhe
  • Kontrolli financiar.

Sipas strukturës dhe përmbajtjes, Raporti është diku ndërmjet raporteve të deritanishme të skriningut dhe raporteve vjetore. Në 130 faqe, në të gjitha fushat/kapitujt së pari e përshkruan shkurt përmbajtjen e standardeve të BE-së/ acquis-in e BE-së (të shfaqur në skriningun sqarues), pastaj atë që ka prezantuar shteti (gjatë skriningut bilateral), pastaj vlerësimin e Komisionit dhe në fund jep një rezyme të shkurtër të konstatimeve gjegjësisht të rekomandimeve. Sistemi i notimit që përdoret për nivelin e gatishmërisë është i njëjtë me atë të raportit vjetor.  Notat janë plotësisht identike me raportin e fundit vjetor, por në disa kapituj/fusha ato mungojnë. Nota më e shpeshtë është gatishmëri mesatare. Nota të njëjta janë dhënë edhe mbi harmonizimin e kornizës institucionale dhe legjislative me acquis-in dhe/ose standardet e BE-së, ku nota më e shpeshtë është “pjesërisht e harmonizuar”, por ka edhe numër të madh të fushave ku niveli është “i lartë” ose “harmonizuar në masë të madhe” dhe pak fusha ku korniza nuk është harmonizuar. Megjithatë, më me rëndësi është përcaktimi se ku ka nevojë për harmonizim dhe me çfarë standardesh/acquis të BE-së, se sa vetë notat. Me sa duket, këtu niveli i detajimit dallon dukshëm në fusha të ndryshme.

Si deri tani, vëmendje e madhe i është kushtuar zbatimit të realizimit efektiv. Edhepse nuk ka vlerësime të njëjta për këtë aspekt, kritikat zakonisht janë të shoqëruara me rekomandime konkrete se në cilin drejtim pritet përmirësim.

Për dallim nga raportet për shtetet paraprake që kanë qenë në këtë proces dhe për të cilët në fund të raportit janë dhënë rekomandime, në raportet e reja rezyme e konstatimeve është dhënë në çdo kapitull në veçanti – që ngjason me raportet vjetore. Ato janë veçanërisht të rëndësishme sepse do të jenë baza kryesore për përgatitjen e udhërrëfyesve. Udhërrëfyesit për administratën publike dhe sundimin e të drejtës (kapitujt 23 dhe 24) do të jenë pikë përcaktuese për hapjen e klasterit. Konstatimet e Komisionit janë shumë më të përgjithshme në fushën e institucioneve demokratike, por udhërrëfyesi që duhet të përgatitet për këtë fushë nuk është pjesë e përcaktuesve për hapjen e negociatave të klasterit.

Është aplikuar dhe një risi – trajtimi horizontal i masave kundër korrupsionit, e në kapituj ka konstatime të veçanta me rezyme. Kryesisht konstatohet se ekziston kornizë legjislative dhe institucionale, por kritikat dhe rekomandimet bëjnë fjalë për parandalimin dhe zbatimin.

Risi është edhe i ashtuquajturi “integrim i përshpejtuar”, edhepse shumica e formave që tani vendosen nën këtë term kanë qenë në dispozicion edhe deri tani, si për një vend kandidat. Janë shënuar kërkesat e dhëna nga ana e jonë dhe vlerësimi i realizueshmërisë së tyre nga ana e Komisionit. Kërkesat kanë të bëjnë me pjesëmarrje nëpër programe, trupa punues, rrjete (kryesisht si mbikëqyrës), etj. Për shumicën prej tyre KE ose ka dhënë qëndrim pozitiv ose ka njoftuar se do t’i shqyrtojë, përveç për një kërkesë, për të cilën pretendohet se nuk është e mundur në bazë të legjislacionit aktual të BE-së. Bëhet fjalë për kërkesën për qasje në bazën EURODAC – baza e shenjave të gishtërinjve për kërkuesit e azilit.

Dhe për në fund, çështja që është më aktuale – ndryshimet kushtetuese. Fillimisht, në preambulën e Raportit, si për Maqedoninë ashtu edhe për Shqipërinë, është shënuar se “Bashkëpunimi rajonal dhe raportet e mira fqinjësore mbeten elemente thelbësorë në procesin e zgjerimit. Mirëpo, për Maqedoninë është shtuar edhe teksti “Në bazë të asaj që është paraparë në paragrafin 47 të Kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, Komisioni do t’i kushtojë kujdes të veçantë angazhimeve të Maqedonisë së Veriut për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal”. Këtu në fakt bëhet lidhja me implementimin e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.

Sa i përket kësaj çështjeje, në tekstin e Raportit të skriningut  janë marrë plotësisht konstatimet e Raportit vjetor të Komisionit të vitit të kaluar. Kështu, në fund të rezymesë në kapitullin “Të drejtat themelore” Komisioni konstatoi se “Maqedonia e Veriut mori për obligim që të fillojë dhe t’i realizojë në mënyrë prioritare ndryshimet kushtetuese, me qëllim që në Kushtetutë të përfshihen qytetarë që jetojnë në kufijtë e shtetit që janë pjesë të popujve të tjerë”. Ky konstatim hyn në rezymenë e të gjithë fushës së Të drejtave themelore në bazë të prezantimit të skriningut bilateral për fushën e të drejtave të personave që janë pjesë e pakicave, ku pala jonë e ka shprehur qëllimin që t’i përfshijë në Kushtetutë edhe Bullgarët dhe e sqaron rrjedhjen e procedurës. Në vlerësimin e Komisionit të dhënë për këtë pjesë nuk ka pjesë për ndryshimin e Kushtetutës.