I përçmuari dhe i lëvduari ynë Faik Konica

Ndër krijuesit e ekskomunikuar shqiptarë më i përçmuari dhe më i lëvduari është Faik Konica. Arsyeja e këtij qëndrimi të dyzuar të publikut është temperamenti kolerik dhe vepra e shkrimtarit që sfidon prapësitë e despotëve të sistemeve totalitare, tok me shpirtrobërit që sillen vërdallë rreth zeusëve si mizat rreth ushqimit të preferuar.

Konicën e quajtur nga gjigantët e letërsisë Enciklopedi e gjallë, autorin e eseve brilante, prozave unikate poetike e narrative, polemikave sarkastike, ligjëratave dhe shkrimeve të pavdekshme publicistike me tematikë kulturore, historike e politike, kritikave të papara letrare gjer në kohën e tij… e fyen rëndë krijuesit mediokër, sipas të cilëve Ai mbeti shkrimtar i parealizuar, që nuk ia doli të përfundojë asnjë vepër letrare.

Natyrisht, këtë byçim gjykimi e demanton lehtësisht cilado vepër e Faik Konicës, që nga ALBANIA – revista më e mirë shqiptare e Rilindjes, gjer tek eseja Mbi gjuhët e natyrshme dhe artificiale, të cilën e zbuloi para disa vitesh në bibliotekën e Gijom Apolinerit konicologu më i madh shqiptar Luan Starova. E përmenda këtë vepër sepse me të Konica u bë pjesë e polemikës së madhe evropianë që lidhej me përpjekjet hegjemnoniste të fuqive të mëdha për t’ua imponuar etnive të vogla si gjuhë kulture e shkrimi njërën prej gjuhëve artificiale, si Esperanto apo Gjuha blu. Ja si e shpjegon këtë profesor Luani në veprën Kthimi i Faik Konicës, të botuar më 2001 në shtëpinë botuese FLAKA, të Shkupit: Faik Konica mori pjesë në polemikën evropiane me  pseudonimin Trank Spiroberg.  Polemika u zhvillua në gazetën parisiene EUROPEEN, që kishte tendenca kosmopolite dhe mbronte interesat e popujve të vegjël, sidomos gjuhët e tyre nga të ashtuquajturat “gjuhë ndërkombëtare”. Konica e filloi debatin e madh mbi gjuhët e natyrshme dhe artificiale me linguistët e shquar evropianë, duke ofruar dëshmi të forta për evolucionin e gjuhëve të mëdha e të vogla, që u nënshtrohen ligjeve të njëjta. Ai vuri në sprovë tërë fuqinë e vet intelektuale të shtresuar nëpër universitetet evropiane dhe tërë logjikën e vet për të drejtën e ekzistimit të kombit të tij të shtypur, për të drejtën e gjuhës së tij të përbuzur pa të drejtë nga pushtuesit…

Mjerisht, krijimtarinë e Konicës e përçmuan herëpashershëm edhe krijues me emër të përveçëm, madje dhe disa miq të tij si puna e Fan Nolit, por kjo ndodhte në stinët kur hidhëroheshin për shkak të qëndrimeve të ndryshme politike lidhur me formimin e shtetit të mirëfilltë shqiptar. Në këtë pikë duhet thënë se të njëjtën gjuhë të pelintë e përdorte ndaj tyre edhe Konica, gjersa qetësoheshin shpirtërat e trazuar.

Po sjellim në vijim disa kritika të ashpra drejtuar Konicës nga miqtë e tij, e pas tyre disa lëvdata që duken si kërkimfalje për kacagjelimet e ndodhura për çështje parimore dhe qasje të ndryshme ndaj problemeve kombëtare. Kështu, gjatë dekadës kur qenë të hidhëruar me njëri-tjetrin, Noli e akuzoi për përkrahjen e Zogut, duke e ditur se presidentin e republikës arnaute e emëroi dhe ua imponoi shqiptarëve Pashiqi; e dalloi Faikun e Francës nga Faiku i Konicës, sepse ky i dyti ishte ai që lëpiu damkat e tradhëtive; e quajti mercenar, çkatërronjës demoniak, dallkauk aziatik, bejlurçinë që heshtet me para... Nganjëherë e ironizoi kot: Faik beu s’ka nge kurrë, s’ka nge për të shkruar gjëra serioze, por ka nge për ziafete, ka nge për verë të vjetra, ka nge makar edhe për uiski, po s’ka nge për zanatin për të cilin lëvdohet se është usta…Por, kur pushoi furtuna e hatërmbetjes, Noli lëvdoi pakursyeshëm Faikun: Faiku është ekspert i letërsisë frënge. Faiku ka punuar më tepër e më përpara se të gjithë ne. Faiku është dekani i veteranëve të çështjes shqiptare, ustai më i madh i shkrimit të gjuhës sonë, njeriu që na ka zbuluar Flamurin e  Skënderbeut…

Ernest Koliqi, ngjashëm si Noli, shkroi edhe për cenet edhe për virtytet e Konicës. Ai theksoi stilin e papërsëritshëm të magjistarit të shkrimit, lëvdoi zejtarin e  shkrimit qi i shëndrron fjalët në diamant e thurë me ta shëndriza vezullore, palestrën e vërtetë kombëtare, pasqyrën e të gjitha rrymave mendore e shoqnore, që dijti me iu afrue në shprehje shkrimtarvet ma të përmendun freng për zgjedhësi (elegance) e ligjirim të mrekullueshëm. Koliqi tha dhe atë që s’e thanë të tjerët: Në kandar t’artit të mbetat njerëzore të çdo lloji nuk peshojnë asnjë grimë… Cilido të jetë gjykimi mbi Faikun njeri, kurrnji grimë ai gjykim nuk ia zvoglon vlerën artistike.

Edhe Jup Kastrati, në monografinë voluminoze mbi jetën dhe veprën e Konicës, shkroi njëkohësisht për karakterin kolerik dhe veprat e larmishme dhe të veçanta të poligrafit shqiptar. Në një paragraf të librit ai shprehu revoltën ndaj atyre që e tepruan me fyerjet vendepavend drejtuar shkrimtarit të madh: Është i habitshëm zelli për të përbaltur figurën madhore të Konicës, pa çarë kokën për administrimin e fajeve të tij. Bie fjala, e akuzojnë për injorimin e Rilindjes Kombëtare shqiptare, sikur nuk e dinë se ai ishte dhe vetë përfaqësues i Rilindjes dhe se bëri si i vetëm mbase më shumë e punë më me efekt se të gjithë Rilindasit tjerë bashkas; sikur nuk e dinë se ai Rilindjen e pa me syrin e kohës dhe u bind se propaganda e saj ishte shumë e vakët në raport me ngjarjet dhe rreziqet që do pasonin e do i binin së shpejti Shqipërisë mbi krye.

Rexhep Qosja është njëri prej shumë studiuesve që nuk shkroi asnjë fjalë për Konicën gjatë kohës së monizmit. Heshtjen 40 vjeçare ai e theu në parathënien e monografisë së Jup Kastratit, ku theksoi gabimet e Konicës, por nuk e la pa thënë se: Konica qëndron në krye të një revolucioni mendor në jetën e popullit shqiptar dhe se ka shprehur qëndrim kundërkomunist para se të mbërrinte komunizmi në Ballkan.

Personalitetet që kanë përçmuar dhe lëvduar Faik Konicën janë të shumtë, por këtu përmendëm vetëm disa prej tyre. Fatmirësisht, në kohën tonë, kur veprat e Konicës botohen e lexohen lirshëm nga libërdashësit, janë pakicë ata që, për shkaqë jashtëletrare e jashtëkulturore, vazhdojnë ta  konsiderojnë shkrimtar dështak dhe tradhëtar të kombit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.