Nota shqetësuese nga Brukseli për sistemin ndëshkimor, barazinë gjinore, të drejtat e fëmijëve në Maqedoni

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Nota shqetësuese për sistemin ndëshkimor, barazinë gjinore, të drejtat e fëmijëve 

Acquis-i për të drejtat themelore në masë më të madhe përbëhet nga standardet ndërkombëtare, para së gjithash konventat e OKB-së, si dhe të Këshillit të Evropës, por edhe standardet që i zhvillojnë trupat e shumtë të formuar për ndjekjen e zbatimit të konventave ndërkombëtare. Megjithatë, në disa fusha ekziston edhe i ashtuquajturi acquis „i fortë“, që përbëhet nga aktet juridike të detyrueshme të BE-së. Akte të këtilla të BE-së ekzistojnë në fushat si: mosdiskriminimi, mbrojtja e të dhënave personale, të drejtat procedurale dhe mbrojtja e viktimave të veprave penale, si dhe te mediat.

Raporti nga skriningu për të drejtat themelore e elaboron detajisht kornizën juridike dhe institucionale, si dhe zbatimin e të drejtave. Të drejtat dhe liritë janë të sistematizuara sipas Kartës së BE-së për të Drejtat Themelore dhe përbëhen nga tre grupet e para të të drejtave të Kartës: dinjiteti, liritë, barazia. Të drejtat sociale janë lëndë shqyrtimi në Kapitullin 19: Politika sociale dhe punësimi.

Nota e përgjithshme është se Maqedonia është harmonizuar pjesërisht me standardet dhe të drejtën e BE-së, e më tej diferencohet: përderisa në lidhje me kornizën juridike thuhet se është vendosur në masë të madhe, vërejtjet kryesore janë në lidhje me implementimin. Mirëpo, analiza e detajuar tregon se edhe harmonizimi i kornizës juridike, posaçërisht në fushat ku ka acquis „të fortë“, lë shumë për të dëshiruar.

Ajo që më së shumti shqetëson është fakti se probleme të veçanta janë kronike dhe notat për ato përsëriten jo vetëm më vite – por me dekada të tëra.

Raporti e vlerëson kornizën juridike për të drejtën e jetës dhe të integritetit të personit dhe dinjitetit njerëzor si të harmonizuar në masë të madhe me acquis-in dhe me standardet evropiane, por nevojitet harmonizim me dispozitat e Kartës për të Drejtat Themelore në fushën e mjekësisë dhe biologjisë.

Shqetësuese, por jo edhe të papritura, janë kritikat e ashpra për parandalimin e torturës dhe veprimit jonjerëzor dhe nënçmues në sistemin ndëshkimor, pasi Maqedonia me vite nuk i zbaton në mënyrë adekuate rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës. Është turpëruese nota mbi gjendjen e sistemit penitenciar: “mbrojtje shëndetësore më cilësi të ulët, dhunë midis të burgosurve, kushte të këqija materiale, mungesë aktivitetesh të dobishme dhe korrupsion endemik“. Shprehimore është edhe kritika për joprofesionalizëm në menaxhimin e sistemit ndëshkimor.

Burgu në Maqedoni, foto nga Komiteti i Helsinkit
Burgu në Maqedoni, foto nga Komiteti i Helsinkit

Korniza juridike mbi të drejtën e martesës dhe krijimit të familjes vlerësohet si parimisht e harmonizuar me standardet evrpopiane, mirëpo theksohet problemi i martesave mes të miturve.

Mbrojtja e të dhënave personale është harmonizuar pjesërisht me acquis-in, mirëpo shqetëson fakti se, edhe përkrah tashmë rreth dy dekadash nga ekzistimi i Agjencisë për të Dhënat Personale, theksohet mungesë e të punësuarve. Observim tjetër i rëndësishëm në Raport është se nuk ka notë për harmonizimin e Kodit Zgjedhor me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, posaçërisht pas aplikimit të të dhënave biometrike.

Vlerësohet se liria e mendimit, ndërgjegjes dhe religjionit është e garantuar edhe juridikisht edhe në praktikë.

Fusha e vetme e Të drejtave themelore për të cilën BE-ja jep notë të uniformuar është liria e shprehjes, përfshirë këtu edhe lirinë dhe plurarizmin mediatik – 2,5. Harmonizimi me acquis-in dhe standardet e BE-së vlerësohet si i pjesërishëm. Është konstatuar se Qeveria ka lëvizur nga nivelet e caktuara me ligj të financimit të servisit radiodifuziv dhe rregullatorit (Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele). Edhepse konteksti i përgjithshëm vlerësohet si i volitshëm për lirinë e shprehjes, janë vërejtur sulme, kërcënime dhe frikësime të gazetarëve, e kështu kërkohen edhe standarde më të larta të funksionarëve publikë në raportin e tyre ndaj gazetarëve. Konstatohet nevoja e një kornize strategjike për sektorin mediatik dhe konsolidim i stabilitetit dhe pavarësisë financiar të rregullatorit, si dhe vazhdim i reforës së RTVM-së. Raporti vetëm e konstaton, por nuk jep notë për debatin mbi mundësinë e aplikimit të sërishëm të reklamimit shtetëror nëpër mediat private, vetëm kërkohet transparencë më e madhe. Theksohet nevoja e harmonizimit me acquis-in në drejtim të dezinformatave. Rekomandohet edhe përshpejtim i vetërregullimit të mediave.

Legjislatura për lirinë e grumbullimit dhe bashkimit është vlerësuar si e harmonizuar me Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, kërkohet edhe më shumë mund për implementimin e aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Edhepse konkretisht nuk përmenden ndryshimet e fundit ligjore (të motivuara nga emrat e “klubeve bullgare”), theksohet se çdo ndryshim duhet të jetë në pajtim me acquis-in dhe të miratohet pas konsultimeve të gjëra, si dhe pas marrjes së mendimit nga Komisioni i Venedikut.

Ne lidhje me mosdiskriminimin është konstatuar harmonizim i pjesërishëm i kornizës juridike dhe institucionale. Është vlerësuar se Komisioni për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Diskriminimit funksionon, kundrejt zvogëlimit të buxhetit dhe mosemërimit të dy anëtarëve. Theksohen mbivendosje të mundshme me Avokatin e Popullit.

Foto: Asiandelight në Canva
Gjuha e urrejtjes. Foto: Asiandelight në Canva

Përveç vlersimit se korniza juridike për luftën kundër racizmit, ksenofobisë, gjuhës së urrejtjes dhe veprave penale të urrejtjes është harmonizuar pjesërisht me acquis-in, vërejtjet kyçe kanë të bëjnë me nevojën për një ndjekje dhe forcim sistematik të kapaciteteve të institucioneve për parandalimin dhe ndjekjen e gjuhës dhe veprave të urrejtjes.

Notat në lidhje me barazinë gjinore dhe të drejtat e grave janë mjaft kritike. Përveç harmonizimit të pjesërishëm të konstatuar të kornizës legjislative, kritikat kanë të bëjnë edhe me mungesën e të dhënave që të mund të krijohen politika adekuate, përfshirë këtu edhe mungesën e instrumenteve për planifikim strategjik dhe buxhetor gjinor të ndjeshëm. Bëhet me dije se nevojitet harmonizim i mëtutjeshëm, por edhe zhvillim i shërbimeve që të arrihen standardet e Konventës së Stambollit. Konstatohen kapacitete të pamjaftueshme dhe koordinim i pamjaftueshëm i shërbimeve kompetente, që rezulton me mbështetje të pamjaftueshme të viktimave të përdhunimit dhe dhunës.

Nota për të drejtat e fëmijëve është shumë kritike. Veçanërisht në këtë fushë thuhet shprehimisht se korniza juridike nuk është në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së. Vlerësohet se nuk zgjidhen sfidat strukturale: nuk ka kornizë strategjike, nuk ka resurse të mjaftueshme të institucioneve kompetente, nuk ka shërbime adekuate, ndërsa në sistemin e mbrojtjes sociale mungon zhvillimi profesional dhe mbikëqyrja e shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve. Mungojnë programet për mbështetje sociale, psikologjike dhe juridike të fëmijëve viktima të dhunës. Bëhet me dije edhe nevoja për qasje të barabartë deri të arsimimi cilësor. Mungesa serioze vërehen edhe në implementimin e Ligjit për Drejtësinë e të Miturve.

Edhe përkundër ekzistimit të kornizës strategjike dhe institucionale, konstatohet se personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me diskriminim të konstatuar edhe nga ana e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në më shumë lëndë. Nota për procesin e deinstitucionalizimit është pozitive.

Korniza juridike për të drejtat e personave lezbike, gej, transgjinorë, interseks dhe kuir vlerësohet si e harmonizuar në masë të madhe me acquis-in, por me probleme në implementim, posaçërisht tek parandalimi dhe ndjekja e veprave të urrejtjes ndaj këtyre personave. Komisioni e përmend edhe faktin se nuk janë miratuar ndryshimet e Ligjit për Evidencën Amë me të cilat duhej të implementohet një aktgjykim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

E drejta e pronësisë është e garantuar në pajtim me acquis-in. Vërejtje ka për procedurat e gjata dhe të kushtueshme, si dhe për lëndët ende të pazgjidhura të denacionalizimit.

Harmonizim i pjesërishëm është konstatuar edhe për të drejtat procedurale të përcaktuara me më shumë direktiva të BE-së, të drejtat e informimit në procedurë penale, për avokat, për ndihmë juridike falas, si dhe për mbrojtjen procedurale të fëmijëve në procedurë penale. E njëjtë është nota edhe për të drejtat e viktimave të veprave penale.

Levizja Qytetare per te drejtat e romeve, Avaja duke protestuar, foto nga Avaja
Levizja Qytetare per te drejtat e romeve, Avaja duke protestuar, foto nga Avaja

Fokusi në lidhje me të drejtat e personave që u përkasin pakicave dhe të drejtat kulturore është vënë në implementimin e Strategjisë “Një shoqëri për të gjithë”, përfshirë këtu edhe rekomandimet e Komitetit Këshillëdhënës për Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës mbi pakicat kombëtare. Vërehet koordinim i pamjaftueshëm midis trupave kompetentë të ndryshëm, si dhe nevoja e “rritjes së rezistencës ndaj influencës politike” te institucionet (Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që e flasin 20% e qytetarëve). Konstatohet mungesë përkthyesish dhe personeli bilingual nëpër institucione. Komisioni vlerëson se përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në nivel lokal është i ulët, si dhe ka shumë dallime në zbatimin e ligjit midis Komunave. Edhepse pozitiv në lidhje me kornizën strategjike për Romët, Raporti bën me dije për probleme të vazhdueshme afatgjate dhe nevojën për masa sistematike dhe ndërtim të kapaciteteve që të parandalohet diskrimimini i shumëfishtë struktural i Romëve, si dhe problemet specifike siç janë fëmijët e rrugës, braktisja e hershme e shkollimit, vulnerabiliteti i grave dhe vajzave Rome.

Në fund, çështja e përfshirjes së bashkësisë bullgare në Kushtetutë aspak nuk gjendet  në Raportin e skriningut në të cilin jepet nota e Komisionit për gjendjet. Është evituar çfarëdolloj note për harmonizim me acquis-in ose me standardet evropiane. Në pjesën e ekspozimit nga ana e shtetit qëndron qëllimi për përfshirjen e bashkësive të tjera, përfshirë edhe atë bullgare. Pastaj në rezymenë e gjetjeve është futur fjalia e raportit të fundit të KE-së dhe konstatimet e Këshillit të BE-së – se “Maqedonia e Veriut është obliguar që t’i fillojë dhe me prioritet t’i arrijë ndryshimet kushtetuese adekuate, me qëllim që të përfshihen në Kushtetutë qytetarë që jetojnë ne kufijtë e shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë”.

Fusha e katërt e Kapitullit 23 – Të drejtat e qytetarëve të BE-së është acquis i “fortë” i BE-së dhe zakonisht harmonizohet para aderimit, sepse ka të bëjë me të drejtat që do tu përkasin qytetarëve të anëtarëve të rinj si qytetarë të BE-së, e drejta e votës dhe zgjedhjes në Parlamentin Evropian dhe në nivel lokal në BE, e drejta për lëvizje të lirë në BE, si dhe e drejta e mbrojtjes konsullore. Kësisoj, na befason nota se në këtë fushë nuk jemi të harmonizuar. Megjithatë, komisioni bën edhe vërejtje se nevojitet përmbajtje nga mundësimi i marrjes sistematike të shtetësisë në bazë të interesit ekonomik.

Rezymeja e gjetjeve

Raporti i skriningut, Klasteri 1, Kapitulli 23: Gjyqësia dhe të drejtat themelore

Fusha: Të drejtat themelore dhe Të drejtat e qytetarëve të BE-së

Nota për përgatitjen: nuk është dhënë në nivel kapitulli

Fusha Rezyme e gjetjeve
III Të drejtat themelore

 

Korniza juridike dhe institucionale e Maqedonisë së Veriut është pjesërisht e harmonizuar me të drejtën e BE-së dhe standardet evropiane për të drejtat themelore. Korniza juridike, përfshirë edhe të drejtat e njerëzve që u përkasin pakicave është vendosur në masë të madhe, por implementimi duhet të përforcohet që të garantohet shfrytëzim i plotë i të drejtave të njeriut në praktikë, posaçërisht në lidhje me:

–    zbatimin e denjë të rekomandimeve të trupave ndërkombëtarë për ndjekjen e të drejtave të njeriut;

–    përforcimin e kapaciteteve të trupave kombëtarë me kompetenca për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut;

–    përmirësimin e kushteve për personave e privuar nga liria;

–    rritjen e mbrojtjes së lirisë së shprehjes;

–    avancimin e barazisë gjinore dhe mosdiskriminimit;

–    rritjen e efikasitetit në menaxhimin me kriminalitetin e urrejtjes dhe gjuhën e urrejtjes;

–    mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve;

–    mbrojtjen e personave me nevoja të veçanta;

–    përforcimin e kapaciteteve dhe pavarësisë së institucioneve kompetente për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin pakicave ose komuniteteve.

Maqedonia e Veriut u obligua që të fillojë dhe në mënyrë prioritare t’i zbatojë ndryshimet kushtetuese, me qëllim që të përfshihen në Kushtetutë qytetarë që jetojnë në kufijtë e shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë.

 

IV. Të drejtat e qytetarëve të BE-së Korniza juridike dhe institucionale nuk është e harmonizuar me të drejtën e BE-së për të drejtat e qytetarëve të BE-së.

Maqedonia e Veriut duhet të:

–    sigurojë harmonizim të plotë të kornizës së saj legjislative me të drejtën e BE-së që të sigurohet shfrytëzim i plotë i të gjitha të drejtave të qytetarëve të BE-së gjatë aderimit.

–    të përmbahet nga mundësimi i pajisjes sistematike me nënshtetësi në bazë të interesit të veçantë ekonomik.

 

 

 

Analizat e Portalb-it për raportin e Skriningut i gjeni në këto linqe:

  1. LEXO: Maqedonia ka problem serioz me korrupsionin, personat e “mëdhenj” nuk dënohen
  2. LEXO: Brukseli kërkon punë dhe jo llafe për gjyqësorin dhe korrupsionin në Maqedoni
  3. LEXO: RMV, reforma e Administratës Publike: çfarë fshihet pas notës së dhënë nga Brukseli “mesatarisht e përgatitur”
  4. LEXO: Brukseli e sheh Maqedoninë si shtet pa institucione demokratike plotësisht të konsoliduara
  5. LEXO: KE e publikoi raportin e skriningut të klasterit të parë për Maqedoninë e Veriut: Themelet janë skanuar
  6. LEXO: Komisioni Evropian: Në RMV të përmirësohet transparenca në hartimin e politikave dhe përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e konsultimit
  7. LEXO: Administrata publike në RMV, të vazhdojnë reformat brenda kornizës së një strategjie të vlefshe dhe të mirëkoordinuar, apelon BE
  8. LEXO: Rezultatet e skriningut: Kuvendi i RMV-së të vendosë planifikim më efikas të procesit ligjvënës, të kufizohet përdorimi i procedurave të shpejta
  9. LEXO: Rezultatet e skriningut: Mangësi në procesin zgjedhor të RMV-së dhe financimin e partive, vetërregullimi i mediave të merret seriozisht