Brukseli kërkon punë dhe jo llafe për gjyqësorin dhe korrupsionin në Maqedoni

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Nga raporti i skriningut të Komisionit Evropian për Kapitullin 23 –

Kapitulli 23 përbëhet nga katër fusha:

– Gjyqësori;

– Politika kundër korrupsionit;

– Të drejtat themelore;

– Të drejtat e qytetarëve të BE-së.

Për shkak të vëllimit të raportit të skriningut për këtë kapitull, ne do i kushtojmë dy artikuj – i pari për fushat e gjyqësorit dhe antikorrupsionin, ndërsa i dyti për fushat e tjera.

Acquis-i për gjyqësorin ndërtohet më intensivisht që nga Traktati i Lisbonës dhe inkorporimi i Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së në të drejtën primare të BE-së. Raporti i skriningut për këtë kapitull fillimisht thirret në nenin e njohur 2, me të cilin përcaktohen vlerat bazë të BE-së, por edhe në dispozitën e Traktatit të BE-së me të cilën përcaktohet detyrimi i shteteve anëtare për të siguruar mjete ligjore për të ofruar mbrojtje ligjore efektive në fushat e mbuluara me të drejtën e BE-së. Një dispozitë posaçërisht e rëndësishme është dispozita nga Karta e të Drejtave Themelore (neni 47) për një gjykim të drejtë, sipas të cilës gjyqësori duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm. Një burim i rëndësishëm dhe gjithnjë e më i pasur i të drejtës të BE-së në lidhje me këto të drejta është jurisprudenca e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së. Krijuesit e standardeve të BE-së për gjyqësorin janë Këshilli i Evropës, Komisioni i tij i Venecias dhe organe të tjera konsultative, si Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Evropianë. Mes burime të tjera relevante të standardeve janë edhe Rrjeti Evropian i Këshillave Gjyqësorë, si dhe OKB-ja.

Konstatimet dhe rekomandimet kryesore për gjyqësorin janë shprehur në mënyrë mjaft të moderuar dhe të përgjithësuar. Nota për përgatitjen mbetet e njëjtë si edhe në raportin e fundit – ndërmjet një niveli të caktuar dhe përgatitje mesatare (2,5). Niveli i harmonizimit ligjor dhe institucional me standardet evropiane vlerësohet si i mirë. Kjo tregon se ilaçi për “sëmundjet” aktuale nuk duhet kërkuar kryesisht tek ndryshimet e mëtejshme të ligjeve, por në praktikë. Rekomandimet në fushat: “Pavarësia dhe paanshmëria”, “Cilësia” dhe “Përgjegjësia” përmbajnë mesazhe të drejtpërdrejta drejtuar këshillave të gjyqtarëve dhe prokurorëve publik që të respektojnë parimin e pavarësisë së gjykatave, të promovojnë transparencë, të parandalojnë dhe sanksionojnë format e ndërhyrjes të brendshme dhe të jashtme në sistemin gjyqësor. Aty janë edhe rekomandimet për menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore (për çka ekziston një Strategji) dhe avancimin e sistemit AKMIS. Janë kritikuar dispozitat restriktive të Kodit të Etikës të Këshillit të Prokurorëve Publikë lidhur me mundësinë e komentimit të vendimeve të tij, që mesa duket aludon për “fushatën” kundër prokurores Ristoska. Krahas ruajtjes së rolit të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë si “pikë e vetme hyrëse” në gjyqësor, rekomandohet edhe një kontribut më i madh në specializimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në fushën “Efikasiteti”, përgjithësisht konstatohet se gjykatat, me përjashtim të Gjykatës Administrative, mbajnë një normë prej pothuajse 100% të zgjidhjes së lëndëve të pranuara. Komisioni shprehet qartë se nuk janë bërë përpjekje për të zbatuar rekomandimet e Komisionit të Venecias për rishikimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me dygjuhësinë e procedurave gjyqësore. Gjithashtu është dhënë edhe një rekomandim i përgjithshëm për promovimin e ndërmjetësimit.

Acquis-i për Politikën kundër korrupsionit është më i saktë në krahasim me atë të gjyqësorit. E drejta primare e BE-së parashikon një detyrim për parandalimin dhe luftimin e krimit edhe përmes përafrimit të të drejtës penale. Korniza ligjore është zhvilluar veçanërisht për mbrojtjen e interesave financiare të Unionit (Direktiva e njohur kundër mashtrimit – PIF), me të cilën përcaktohen definicionet për korrupsionin aktiv dhe pasiv, si dhe rregullat themelore për sanksionet. Me krijimin e Prokurorisë Publike Evropian u përforcua korniza institucionale e BE-së për luftë kundër korrupsionit. I rëndësishëm është edhe legjislacioni i zhvilluar i BE-së në lidhje me pastrimin e parave, ngrirjen dhe konfiskimin e aseteve dhe pronave të fituara nëpërmjet veprave penale, si dhe për mbrojtjen e “fishkëlluesve”. Të rëndësishme janë edhe instrumentet e shumta ndërkombëtare: konventat kundër korrupsionit të Këshillit të Evropës për të drejtën penale dhe civile, konventat e OKB-së kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe dokumentet e OECD-së. Ndër organet që ndjekin aktivitetet i rëndësishëm është Grupi i Vendeve Kundër Korrupsionit pranë Këshilli të Evropës (GREKO), raportet e të cilit rezultojnë me rekomandime specifike.

Nota e Raportit të skriningut për fushën “Antikorrupsioni” është e njëjtë me atë të gjyqësorit – 2,5. Edhe këtu rezymeja e gjetjeve është mjaft e përgjithshme. Korniza ligjore dhe institucionale është vlerësuar si  pjesërisht e harmonizuar. Në planin legjislativ, nevoja për harmonizim shtesë është identifikuar në legjislacionin për mbrojtjen e “fishkëllyesve”. Korniza e vendosur strategjike është zbatuar dobët (10%), prandaj rekomandohet një zbatim i qëndrueshëm. Nevoja për fuqizim institucional, por edhe specializim (sidomos në aspektin e kapaciteteve hetimore) konstatohet veçanërisht për Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, për Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, por edhe për gjyqtarët nga Departamenti për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Është përsëritur nevoja për një trajtim më serioz të konfiskimit dhe rikthimit të fondeve dhe pronës të fituar nga vepra kriminale korruptive, si dhe për zbatimin e rekomandimeve të pazbatuara ose pjesërisht të zbatuara të GREKO-s. Edhe krahas konstatimit se puna për lëndët e korrupsionit vazhdon, veçanërisht atij në nivel të lartë, dosja e rezultateve për lëndët e tilla vlerësohet si “mjaft e kufizuar”.

Për krahasim, notat për përgatitjen nga raportet e skriningut për Shqipërinë janë 3 për gjyqësorin, ndërsa 2 për antikorrupsionin.

 

Rezymeja e gjetjeve

Raporti nga skriningu, Klasteri 1, Kapitulli 23: Gjyqësori dhe të drejtat themelore

Fusha: Gjyqësori dhe antikorrupsioni

Nota për përgatitjen: nuk është dhënë në nivel të kapitullit

 

Fusha Nota për përgatitjen Rezymeja e gjetjeve
I Gjyqësori

 

 

 

I.A Pavarësia dhe

paanshmëria

 

I.B Përgjegjësia

 

I.C Cilësia

I.D Еfikasiteti
2,5 Korniza ligjore dhe institucionale për gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut ka një nivel të mirë të harmonizimit me ligjin e BE-së dhe standardet evropiane.

Maqedonia e Veriut duhet:

–        të forcojë shtesë, në mënyrë efektive, pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve,

–        të konsolidojë përgjegjësinë dhe integritetin në të gjitha nivelet e gjyqësorit,

–        të rrisë aksesueshmërinë dhe cilësinë e drejtësisë, e cila duhet të zbatohet në mënyrë efektive.

II. Antikorrupsioni  

 

 

II.A Korniza strategjike

dhe ligjore

 

 

 

II.B Korniza

institucionale

 

II.C. Dosja e zbatimit

2,5 Korniza ligjore dhe institucionale për antikorrupsionin është pjesërisht e harmonizuar me të drejtën e BE-së.

Vendi duhet të:

–        vazhdojë me zbatimin e strategjisë kombëtare për parandalimin e korrupsionit, veçanërisht në sektorët me rrezik si prokurimi dhe financat publike;

–        ndajë burime të mjaftueshme për Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokurorinë Publike për ndjekje penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

–        konsolidojë dosjen e rezultateve në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, përfshirë edhe atë në nivel të lartë;

–        merret seriozisht me sekuestrimin dhe konfiskimin/kthimin e pasurive të fituara me vepra penale që lidhen me korrupsionin;

–        zbatojë sistematikisht rekomandimet e Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GREKO) të Këshillit të Evropës.