Brukseli e sheh Maqedoninë si shtet pa institucione demokratike plotësisht të konsoliduara

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Në artikujt në vijim do të japim një pasqyrim të konstatimeve nga Raporti i skriningut për secilën fushë, gjegjësisht kapitull të përfshirë në Klasterin Themelet.

Institucionet demokratike për herë të parë janë pjesë e negociatave me Bashkimin Evropian. Në vetë fillimin e raportit shënohet se nuk ekziston një model unik, e as një definicion i demokracisë, por parime të përbashkëta. Pjesa në të cilën prezantohet Acquis-i është relativisht e përgjithshme – jo vetëm për këtë fushë, por edhe për fushat dhe kapitujt e tjerë të klasterit. Sipas prezantimeve të skriningut sqarues, përveç disa neneve të marrëveshjeve themeluese, rregullat që u referohen partive dhe zgjedhjeve në nivel evropian dhe “të drejtës së butë” të BE-së, këtu burime kryesore janë standardet evropiane. Ato, nga ana tjetër, janë zhvilluar nën mbulesën e organizatave të tjera evropiane, e edhe ndërkombëtare – OSBE-ja, Këshilli i Evropës/Komisioni i Venedikut, OKB-ja. Elementet, gjegjësisht kriteret, që janë pjesë e raportit mbi skriningun hasen në disa dokumente të BE-së, siç është Plani aksionar i BE-së për demokraci dhe Raporti për sundimin e të drejtës.

Në këtë tekst, theks vendosim mbi konstatimet e Komisionit dhe rekomandimet e të njëjtit.

Në tekst është dhënë një pasqyrë më e detajuar e konstatimeve dhe rekomandimeve, ndërsa në tabelë është e shfaqur rezymeja e konstatimeve, siç është dhënë në Raport.

Sa i përket kornizës së përgjithshme të demokracisë shqyrtohen vlerat të cilat i garanton Kushtetuta, ndarja e pushtetit dhe sistemi i baraspeshës së pushteteve. Vlerësimi për këtë segment kyç është realitivisht i përgjithshëm, por edhe fluid, “se shteti vazhdon me konsolidim të institucioneve demokratike”, posaçërisht kur kemi parasysh se për anëtarësim nevojiten institucione demokratike të konsoliduara. Identik është vlerësimi për Shqipërinë në këtë drejtim.

Sa i përket procesit zgjedhor edhe pse konstatohet se korniza juridike dhe ajo institucionale janë në masë të madhe të rregulluara, si dhe se raundet e fundit të zgjedhjeve kanë qenë kryesisht të lira dhe të drejta, jepen më shumë rekomandime konkrete, përfshirë këtu edhe ndërmarrjen e një shqyrtimi gjithëpërfshirës të legjislaturës me konsultim të gjerë. Ato nuk janë befasi sepse tashmë janë edhe në raportet vjetore. Nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venedikut, posaçërisht veçohen: sigurimi i resurseve të domosdoshme të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kontrollimi dhe azhurnimi sistematik i saktësisë së listave të zgjedhësve, si dhe parandalimi i presioneve mbi zgjedhësit, mbi të punësuarit në sektorin publik dhe privat dhe “blerja e votave”.

Zgjedhje RMV, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Zgjedhje RMV, Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Edhe pse e përsërit konstatimin e OSBE/ODIHR-it se mjedisi për mediat në fushatë zgjedhore është kryesisht i volitshëm, Raporti jep rekomandime konkrete që të vazhdohet me aktivitetet për vetërregullimin e mediave, transparencë më të madhe të reklamimit politik (përfshirë këtu edhe pavarësinë, profesionalizmin dhe qëndrueshmërinë financiare të shërbimit publik radiodifuziv), si dhe të ndërmerren masa kundër dezinformatave gjatë fushatave zgjedhore. Këtu nuk ka rekomandim konkret sa u përket mediave online – vetëm konstatohen mendime të ndryshme mbi nevojën (ose jo) për rregullimin e tyre. Me sa duket mungesa më e madhe e harmonizimit është konstatuar në lidhje me Financimin e partive politike dhe fushatës zgjedhore (përfshirë edhe masat e antikorrupsionit) dhe po shqyrtohet nevoja e një sërë masash edhe në plan legjislativ edhe në implementim. Në planin legjislativ sa i përket financimit të fushatave është nevoja për rregullimin e shumave të huave bankare dhe mundësisë për donacione pas zgjedhjeve, si dhe financimi nga palë të treta; problemi i limiteve për donacione dhe shpenzime (gjendja momentale lejon që një donator të financojë një fushatë të tërë nëpër komuna më të vogla); publikimi i përgjithshëm i të gjitha të hyrave dhe të dalave; raporte më të detajuara përfundimtare dhe parashtrim elektronik i tyre. Për mbikëqyrje më efektive të financimit të fushatave zgjedhore kërkohet përforcim i kapaciteteve të trupave kompetentë, si dhe respektim i rekomandimeve të KSHPK-së dhe GREKO-s.

Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Portalb.mk
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, foto: Portalb.mk

Raporti konstaton se me kalimin e kohës Parlamenti i ka konsoliduar funksionet e tij, duke vlerësuar se vijat e përgjegjësisë dhe transparencës janë vendosur. Mirëpo, përsëritet rekomandimi i raporteve vjetore për planifikim më të mirë të procesit legjislativ dhe kufizimit të procedurave të shkurtuara, posaçërisht përdorimi i “flamurit të BE-së” me qëllim të evitimit të konsultimit publik dhe që të tejkalohen pengesat procedurale në Kuvend. Përsëriten edhe kritikat e raportit të fundit vjetor mbi polarizimin ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe rekomandimi për punën e tyre të përbashkët konstruktive “me fokus te hapat konkretë në procesin negociues”. Theksohet obligimi i opozitës e cila udhëheq me Këshillin për eurointegrime për sigurimin e një konsensusi të gjerë mbi agjendën e BE-së. Raporti konstaton se korniza ligjore për integritet është vendosur, se ka nevojë për fokusim te implementimi, duke pasur parasysh rekomandimet e GREKO-s. Sa i përket efikasitetit, paralajmërohet që të mos vonohet më shumë me zbatimin e reformave të brendshme në pajtim me procesin “Zhan Mone” dhe të ndryshohet Rregullorja e Kuvendit deri në fund të këtij mandati të tij.  Ndryshimet e nevojshme janë numëruar në mënyrë konkrete: procedura për seancën konstitutive, mbikëqyrje më e madhe mbi qeverinë, konsolidim i praktikave të seancave publike, miratim i kalendarit parlamentar dhe procedurës për ligjet me “flamurin e BE-së”. Raporti nuk anashkalon të përmendë edhe se Kuvendi menjëherë duhet të emërojë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, zëvendës të Avokatit të Popullit, anëtarë të këshillave të mediave, të Këshillit të Prokurorëve publikë dhe të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi.

Rol të rëndësishëm në çdo gjë i jepet Rolit të shoqërisë civile (SHC). Konstatimi është se korniza juridike kryesisht i respekton standardet e lirisë së bashkimit, por nevojitet që të zbatohen vendimet e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut (GJEDNJ). KE-ja i konstaton ndryshimet e fundit të Ligjit mbi shoqatat dhe fondacionet, pa dhënë vlerësim për to. Mirëpo, me rastin e njoftimit të përfaqësuesve të Maqedonisë në skriningun bilateral mbi miratimin e një ligji të ri për shoqatat dhe fondacionet në vitin 2023, sugjeron një bashkëpunim thelbësor me SHC-në dhe palët e tjera të interesuara, por edhe konsultim me Komisionin e Venedikut, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta ndërkombëtare. Përveç kësaj, në rezymenë e konstatimeve bën me dije se procesi i regjistrimit të shoqatave duhet të jetë në harmonizim me aktgjykimet e GJEDNJ-së. Vlerësimi mbi mbrojtjen juridike nga SLAPP/s (paditë strategjike për parandalimin e pjesëmarrjes publike) është kryesisht i volitshëm, me rekomandim që të sigurohet mekanizëm për mbrojtjen e viktimave të këtyre padive. Edhepse vlerësimi është se kornizat ligjore, rregullatore dhe institucionale janë kryesisht të vendosura, është konstatuar nevoja për një sërë avancimesh: mbështetje financiare të OSHC-ve, zbatim të qëndrueshëm të ligjeve, zbatim të qëndrueshëm të Strategjisë për bashkëpunim dhe zhvillim të shoqërisë civile, avancim të punës së Këshillit të shoqërisë civile. Madje në pjesën vijuese “Konteksti më i gjerë mbi ambientin mundësues” Komisioni konstaton se përfaqësuesit e OSHC-ve e bojkotojnë këtë Këshill për shkak të shkurtimit të financimit publik të sektorit civil. Objekt i kritikave është edhe fakti se gjithnjë e më pak draft ligje konsultohen nëpërmjet ENER-it.

Rezyme e konstatimeve

Raport nga skriningu, Klasteri 1, Fusha: Institucionet demokratike

Fusha/zona Rezyme e konstatimeve
I. Korniza e përgjithshme për demokracinë Në rendin kushtetues janë vendosur themelet për shtet demokratik; vazhdon me konsolidimin e institucioneve demokratike

 

II. Procesi zgjedhor Korniza juridike dhe institucionale e vendosur në masë të madhe

 

II.A  Zgjedhje të lira dhe të drejta Të realizohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venedikut

 

II.B  Mediat në fushatë zgjedhore Kryesisht rrethinë e volitshme
II.C Financimi i partive politike dhe fushatave zgjedhore (përshirë edhe masat antikorruptive)  Të tejkalohen zbrazëtirat në kornizën juridike

 Forcimi i kapaciteteve implementuese të trupave kompetentë për mbikëqyrje

III. Funksionimi i parlamenteve në sistem demokratik

 

 Parlamenti me kalimin e kohës i konsolidon funksionet e tij demokratike.
III.A Transparenca dhe përgjegjësia Të vendoset një proces më efikas i planifikimit të veprimtarisë legjislative, që të kufizohet procedura e shkurtuar

 

III.B Integriteti
III.C Efektiviteti
IV. Roli i shoqërisë civile

 

IV.A Korniza e përgjithshme për shoqërinë civile –      Kornizat ligjore, rregullatore dhe institucionale kryesisht janë vendosur

 

–      Nevojitet harmonizim i procesit të regjistrimit të shoqatave me aktgjykimet e GJEDNJ-së

 

IV.B Korniza ligjore, rregullatore dhe e politikave mbi organizatat e shoqërisë civile (OSHC) Nevojitet më shumë avancim, përfshirë edhe mbështetje financiare të OSHC-ve.

 

IV.C Konteksti më i gjerë mbi rrethinën mundësuese Kryesisht i përshtatshëm, por nevojitet përmirësim i transparencës në procesin e krijimit të politikave dhe të kyçjes në procesin e konsultimeve.