24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune në RMV për shkak të zgjedhjeve

24 prilli dhe 8 maji (të dy ditët të mërkura) janë shpallur si ditë jo pune për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut për shkak të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, transmeton Portalb.mk.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar informatat nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për shpalljen e këtyre dy datave si ditë jo pune.

“Qeveria rekomandon që punëdhënësit nga sektori privat në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut t’i zbatojnë këto përfundime”, informuan nga Qeveria.

Në informatën nga Ministria e Punës dhe Punës Sociale, theksohet se është e nevojshme që çdo qytetar të mund të ushtrojë të drejtën e tij të votës pa pengesa, në njësinë zgjedhore në të cilin ai është i regjistruar.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa rrethi i dytë është caktuar për 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.