RMV, filloi fushata për zgjedhjet presidenciale

Sot ka nisur fushata për zgjedhjet presidenciale. Shtatë kandidatë janë në garën për ulësen e vilës presidenciale “Vodno”. Fushata do të zgjasë deri më 22 prill në mesnatë, ndërsa votimi në raundin e parë është më datë 24 prill, e mërkurë, që është ditë jopune. Për zgjedhjet parlamentare, 17 koalicione dhe parti dhe një listë e pavarur, të cilat duhet të konfirmohen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, transmeton Portalb.mk.

Me hapjen e shtabit qendror zgjedhor në qendër të Shkupit, filloi fushata zgjedhore e kandidatit për president Stevo Pendarovski. Deri në raundin e parë të votimit, Pendarovski është paraparë të vizitojë mbi 60 vendbanime në vend.

Në një deklaratë për media, kandidati për president Stevo Pendarovski theksoi se edhe pse ka një mandat pesëvjeçar dhe qytetarët e Maqedonisë e dinë shumë mirë se për çfarë ka qenë president, kundër çfarë ka qenë dhe e dinë se çfarë mund të presin në pesë vitet e ardhshme, Pendarovski tha se dëshiron t’i ndaj me qytetarët pikëpamjet e tij për çështjet me dinamikë specifike politike.

Stevo Pendarovski. Foto nga kabineti i tij

“Mendoj se konteksti ka ndryshuar pak në 5 vitet e fundit, si ai rajonal, ashtu edhe i brendshëm, natyrisht edhe ndërkombëtar me luftën në Ukrainë dhe se duhet të them gjithashtu se pikëpamjet e mia janë rishikuar për disa çështje që kanë një dinamikë të veçantë politike specifike. Pres që në raundin e parë, meqenëse ka shumë kandidatë si asnjëherë më parë në historinë e Maqedonisë, votat të ndahen në disa anë dhe nuk pres që dikush të ketë shanse të fitojë në raundin e parë. Por, në raundin e dytë pres që të hyjmë dhe në fund të fitojmë zgjedhjet”, ka shtuar Pendarovski.

Pedarovski do të zhvillojë tubim qendror në Prilep.

Paraprakisht, Pendarovski do të vizitojë Krivogashtanin dhe Krushevën. VMRO-DPMNE në mbrëmje do të mbajë tubim para Qeverisë, në të cilin do të flasin kandidatja për presidente Gordana Siljanovska-Davkova dhe lideri i partisë Hristijan Mickoski.

Kandidati i BDI-së, Bujar Osmani e nisi fushatën për të parin e vendit me një press-konferencë mbajtur para vilës presidenciale në Vodno, nën shoqërimin e të rinjve të koalicionit e nën simbolikën e një autobusi të brenduar. Osmani tha se dita e sotme shënon fillimin e një rrugëtimi shumë të rëndësishëm,  e një referendumi popullor, për të ardhmen e vendit tonë.

“Duke qenë se me mbështetjen tuaj kam pasur privilegjin dhe më është dhënë mundësia që të shërbejë në proceset më të rëndësishme integruese në vend, vlerësoj se kam përvojën, kam njohuritë, kam kredibilitetin dhe kontaktet në qendrat e vendimmarrjes, por edhe kam përkushtimin që të rrumbullakësoj ëndrrën e çdo familjeje, ëndrrën e çdo qytetari të vendit tonë për një të ardhme të ndritur në Bashkimin Europian” theksoi Osmani.

Bujar Osmani. Foto nga kabineti i tij
Bujar Osmani. Foto nga kabineti i tij

Osmani ftoi të gjithë t’i bashkëngjiten në siç tha karvanin e fitores, sepse sipas tij, koha është për Presidentin e parë Europian.

Biljana Vankovska dhe Levica do të prezantohen në Strumicë. Kandidati për president Maksim Dimitrievski e nis fushatën nga Krusheva.

LSDM dhe koalicioni, VMRO-DPMNE dhe koalicioni, ZNAM i Maksim Dimitrievskit, GROM i Stevço Jakimovskit, koalicioni BDI, opozita shqiptare “VLEN” dhe e Majta kanë lista në të gjashtë njësitë zgjedhore.

Vendet deri në numrin 7 në fletën e votimit të 8 majit janë tashmë të rezervuara për partitë që mbështesin një kandidat presidencial. Për pjesën tjetër, KSHZ-ja ka afat deri më 13 prill për të hedhur shortin.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa përveç kabinetit Pendarovski, garojnë edhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO – DPMNE, Bujar Osmani nga BDI, Maksim Dimitrievski nga ZNAM, Arben Taravari nga VLEN, Biljana Vankovska nga e majta dhe Stevço Jakimovski nga partia GROM.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale është caktuar për 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.