Tre stërvitje në kuadër të NATOS, Qeveria e RMV-së miratoi këto vendime

Në seancën e sotme Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi hyrjen dhe qëndrimin e forcave të armatosura të huaja në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim të realizimit të stërvitjes “Swift Response 24”, transmeton Portalb.mk.

Stërvitja, sipas informacioneve të ministrisë resoriale, organizohet plotësisht nga Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropën dhe do të zhvillohet nga data 24 prill deri më 29 maj 2024 në poligonin e Armatës në Krivollak.

“Stërvitja parashikon pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara për Evropën, me pajisje, armë, mjete motorike ushtarake dhe civile, avionë, dronë dhe mjete të tjera materiale dhe teknike dhe kryerjen e kërcimeve me parashutë, të shtënat të njësitit dhe të shtëna në ujë”, informoi Qeveria.

Gjithashtu Qeveria ka vendosur për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në stërvitjen “EFES 24”, në Republikën e Turqisë, organizuar nga Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë, e cila pritet të kontribuojë në përmirësimin e njohurive të fituara dhe për të fituar njohuri dhe përvojë shtesë në fushën e planifikimit të operacioneve të NATO-s në një mjedis shumëkombësh.

Sot u miratua edhe vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në stërvitjen “Vigorous Warrior 24” në Republikën e Hungarisë.

“Stërvitja, sipas sqarimit, organizohet nga NATO Medical Centre of Excelence dhe përveç përfaqësuesve nga anëtarët e NATO-s, parashikohet pjesëmarrja e përfaqësuesve nga vendet partnere të Aleancës së NATO-s”, theksojnë nga Qeveria.

Stërvitja, siç theksohet do të mundësojë përmirësimin e ndërveprimit të pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në ofrimin e mbështetjes mjekësore gjatë operacioneve të përbashkëta shumëkombëshe.

Kujtojmë që Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s me 27 mars 2020, ndërsa më 30 mars, flamuri i RMV-së, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.